Tregu i vëllezërve Devolli

Më shumë se 2,300 punëtorë të kompanisë Telekomi, që është pronë e Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij muaji nuk kanë pasur mundësi që t’i marrin pagat.

Kjo për shkak të një borxhi në vlerë prej 25 milionë eurosh që Telekomi i ka kompanisë private Dardafon.net, apo si njihet me emrin tregtar Z- Mobile. Kjo kompani, nëpërmjet një përmbaruesi privat, për një javë i ka mbajtur të bllokuara llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës.

Një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe operatorit privat është arritur të hënën, për t’i zhbllokuar llogaritë ku thuhet se Telekomi obligohet që brenda 24 muajve, duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyejë komplet borxhin ndaj Dardafon.net”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Dardafon.net është në pronësi të vëllezërve Devolli që në Kosovë njihen si biznesmenë të dhjetëra bizneseve të ndryshme.

Dardafon.net është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARB), agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në fund të vitit 2008.

Kjo kompani është regjistruar në emër të Blerim Devollit, me kapital 135 mijë euro dhe me 117 punëtorë.

Por, mbiemri Devolli në MTI nuk përfundon me kompaninë Dardafon.net. Në agjenci vërehen se dy vëllezërit, Blerim e Shkëlqim Devolli nga Peja, udhëheqin një numër të madh të bizneseve me aktivitete të ndryshme në tregun e Kosovës.

Bizneset e tyre në Kosovë fillojnë nga fusha e telekomunikacionit, homologimit të veturave, prodhimit të pijeve alkoolike dhe joalkoolike.

Të gjitha këto në agjenci janë të regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara “Devolli Group” dhe “Devolli Corporation”, por edhe biznese tjera në sektorë të ndryshëm. Rreth 49 milionë euro është paraqitur vlera e kapitalit të disa bizneseve të regjistruara në ARB.

Radio Evropa e Lirë ka shikuar disa biznese të vëllezërve Devolli të regjistruara në ARB.

Nga kafeja deri te homologimi i veturave

Në kuadër të “Devolli Corporation”, ku pronar figuron Shkelqim Devolli, janë katër njësi – dy depo të produkteve, terminal doganor dhe sigurim, me një vlerë mbi një milion euro.

Terminali doganor

Në faqen zyrtare “Devolli Corporation”, që është e regjistruar në emër të Shkelqim Devollit, është vendosur Terminali doganor.

Terminali ka një hapësirë prej 21,000 metrash katror ku janë të vendosura më shumë se 50 biznese dhe zyra që ofrojnë shërbime të ndryshme si: agjenci zhdoganimi, banka, kompani sigurimesh, zyra doganore dhe kompani të tjera.

Për të ofruar shërbime terminale, “Devolli Corporation” ka një kontratë shumëvjeçare me Autoritetin Doganor të Kosovës, thuhet në faqen zyrtare të kësaj kompanie.

Në emër të Shkelqim Devollit, gjendet e regjistruar në vitin 2012 edhe “Devolli Holding”, që aktivitet primar dhe sekondar ka hotele, akomodim, restaurante dhe aktivitete shërbyese lëvizëse të ushqimit.

DLS – Devolli Logistic System

“Devolli Logistic System”, po ashtu është në pronësi të Shkelqim Devollit, i regjistruar në vitin 2016, me një kapital rreth 1.5 milion euro me 123 punëtorë.

Kjo kompani në faqen zyrtare të “Devolli Corporation” thuhet se zhvillon sistemin e distribuimit të produkteve të tyre në gjithë Kosovë. Ka në pronësi mbi 100 automjete transportuese duke përfshirë kamion të rëndë dhe kombi distribues.

Prince Coffee House

Prince Coffee House, e regjistruar në vitin 2010, sipas të dhënave të regjistruara ka 11 njësi me kapital 168 mijë euro dhe 180 punëtorë.

Përveç lokaleve shërbyese, kompania “Devolli Corporation”, prodhon kafenë “Princ” dhe njëherësh ka zgjeruar asortimanin edhe me kafene të shumta.

Kurse, në kuadër të Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuara, “Devolli Group” e regjistruar në vitin 2012 me pronar Blerim Devolli, kurse përfaqësues i autorizuar është Shpresa Mustafa, ndërsa drejtor operativ Armend Devolli.

Në agjenci figuron se kjo kompani ka kapital 5.000 mijë euro dhe numri i punëtorëve është 55. Në kuadër të kësaj shoqërie, funksionojnë disa brende.

Qumështorja VITA

“Devolli Group”, me seli në Pejë, ka filluar përpunimin e qumështit “Vita” në vitin 2003. Tani në tregun e Kosovës ka produkte të shumta të përpunuara nga qumështi, si kos, jogurt, ajran, qumësht për fëmijë e produkte të tjera.

Mia Vita,Tango Life + Uji Akull

Tango Life është tjetër linjë prodhuese e vëllezërve Devolli. Në faqen zyrtare të kësaj linje thuhet se kapaciteti prodhues është 12,000 litra në orë. Ky brend, thuhet se është artikull shumë i shitur në Kosovë dhe Shqipëri dhe dominon në të dy tregjet.

Birra PEJA

Kompleksi i fabrikës përfshin sipërfaqen prej 24 hektarësh me tërë infrastrukturën e saj. Që nga privatizimi dhe deri në prill 2010 është investuar vlerë e konsiderueshme në linja të reja prodhuese, teknologji, energjetikë, infrastrukturë, marketing, si dhe në sektorë tjerë.

Comodita Home

Në mars të vitit 2014 “Devolli Corporation” prezantoi produktin ‘Dyshek Comodita’. Pas gjashtë vjetësh, kur ka filluar ky projekt, Comodita Home ka rritur rrjetin e dyqaneve.

Sipas faqes zyrtare, Comodita Home ka 25 dyqane në gjithë Kosovën, 15 në Shqipëri dhe 14 në Maqedoninë e Veriut.

Homologimi i veturave, Eurolab

Një ndër kompanitë për të cilat është bërë zhurmë viteve të fundit, si nga zyrtarë të ndryshëm të qeverisë, por edhe nga shoqëria civile, është Qendra për Automjete e Kosovës, Eurolab.

Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Një kontratë dhjetëvjeçare e Ministrisë së Infrastrukturës me kompaninë EuroLab për homologimin e automjeteve që regjistrohen në Kosovë, kishte autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

Pavarësisht se emri i kësaj kompanie është përmendur disa herë nga deputetë të Kuvendit të Kosovës edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, si pronë e vëllezërve Devolli, EuroLab në formularin e ARB-së, nuk është e regjistruar me mbiemër Devolli.

Kjo kompani është regjistruar më 15.02.2008, me numër të punëtorëve 77 dhe kapital mbi 20 milionë euro. Pronar është Valon Shala, i cili është edhe kryetar i Bordit. Veton Begolli është drejtor i përgjithshëm, kurse Shkumbin Shala drejtor teknik.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me një person që është paraqitur në numrin e telefonit që është i publikuar në formularin e ARB-së dhe e ka pyetur se kush është pronar i kompanisë. Personi që pranoi se është nga Eurolab, shkurt u përgjigj se “gjithçka është e shkruar në dokumentet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve”.

Artmotion

Në emër të Valon Shalës, figuron edhe kompania “Artmotion” që merret me aktivitetet e telekomunikimit kabllor. Kjo kompani e regjistruar në vitin 2017, ka të deklaruar 470 mijë euro dhe 177 punëtorë. Numri i publikuar në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë është numri fiks i Artmotion, në të cilin klientët mund të informohen për shërbime apo të paraqesin problemet eventuale.

M-Sillos

Një kompani tjetër është M-Sillos në fshatin Xërxe, Komuna e Rahovecit, e regjistruar në emër të Artan Devollit, si përfaqësues i autorizuar më 11.01.2005, me një vlerë prej 24 milionë eurosh, me 82 punëtorë.

Radio Evropa e Lirë ka telefonuar në numrin e telefonit të publikuar në ARB-së për të marrë informata se çfarë lidhje ka Artan Devolli me vëllezërit Devolli, por ka qenë e pamundur të marrë informacion.

M-Sillos udhëheq tregun e Kosovës me furnizime të miellit me shumicë dhe pakicë. Përveç tregut në Kosovë, M-Sillos eksporton në vende të ndryshme në rajon dhe botë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet