Tre rusë dhe një ukrainas të dyshuar për rrëzimin e aeroplanit MH17 në Ukrainë

Kryeprokurori holandez, Fred Westerbeke, ka shpallur akuzat ndaj katër të dyshuarve, të cilët do të akuzohen për vrasje, për rolin e tyre në rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines, më 2014 në Ukrainë, kur humbën jetën 298 pasagjerë.

Westerbeke tha në një konferencë më 19 qershor se rusët Sergei Dubinsky, Igor Girkin dhe Oleg Pulatov, së bashku me ukrainasin Leonid Kharchenko, do të gjykohen në Holandë për krimet e tyre.

Ndaj tyre është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.

Rusia mohoi përfshirjen në këtë rast. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov nuk pranoi gjetjet e prokurorëve. Ai tha se Rusisë nuk iu dha “mundësi për të marrë pjesë” në hetim.

Por, kryeprokurori, Westerbeke fajësoi Rusinë për ”përfshirjen në një mënyrë apo në një tjetër në këtë krim”.

Kush janë të akuzuarit?

Igor Girkin (i njohur gjithashtu si Strelkov) është një ish-kolonel i shërbimit të inteligjencës së Rusisë, thonë prokurorët. Atij iu dha posti i ministrit të Mbrojtjes në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, që kontrollohet nga separatistët pro-rus.

Sergei Dubinskiy (i njohur si Khmuriy), i cili ishte i punësuar nga agjencia e zbulimit ushtarak, ishte zëvendës i Girkinit.

Oleg Pulatov, i njohur si Giurza, është një ish-ushtar i forcave speciale të inteligjencës ushtarake të Rusisë – dhe ishte zëvendës kryetar i shërbimit të inteligjencës në Donetsk.

Leonid Kharchenko i Ukrainës nuk ka një sfond ushtarak, por ka udhëhequr njësinë luftarake si komandant në Ukrainën Lindore, thanë prokurorët.

Çfarë dihet për incidentin?

Aeroplani i Malaysia Airlines po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur kur u rrëzua, duke vrarë 298 persona që gjendeshin në bord.

Aeroplani i tipit Boeing 777 u rrëzua në Ukrainën lindore, më 17 korrik 2014, në kulmin e konfliktit midis trupave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë.

Rusia ka thënë se raketa që goditi aeroplanin është shkrepur nga territori i kontrolluar nga Ukraina.

Hetuesit, që kërkojnë të gjykojnë të dyshuarit sipas ligjit holandez, më parë kanë thënë se posedojnë një listë të personave dhe u bën thirrje dëshmitarëve të ndihmojnë në hetimet për këtë ngjarje.

Javën e kaluar, hetuesit njoftuan se posedojnë detaje të reja nga hetimi, duke bërë që mediat holandeze të raportojnë se në bazë të këtyre të dhënave, do të emërohen edhe të dyshuarit për sulmin.

Lidhur me publikimin e akuzave, Hans De Borst – vajza 17-vjeçare e të cilit ishte në bordin e aeroplanit – i tha BBC-së se ky është vetëm hapi i parë për të arritur drejtësinë.

Fluturimi MH17 ishte nisur nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit më 17 korrik, 2014. Pasi ka fluturuar mbi Gjermani dhe Poloni, aeroplani, siç ka qenë e planifikuar, ka kaluar në jug të hapësirës ajrore të Ukrainës.

Rreth katër orë pas ngritjes, aeroplani humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror rreth 50 kilometra nga kufiri Rusi-Ukrainë.

Aeroplani u rrëzua në zonën e Donetskut, në territorin e kontrolluar nga separatistët. Pjesët e rrënojave u gjetën të shpërndara në një sipërfaqe prej rreth 50 kilometra katrorë.

Në tetor të vitit 2015, Bordi Holandez i Sigurisë tha se aeroplani ishte goditur nga një raketë ruse Buk, duke shkaktuar që fluturakja të shpërbëhej në ajër.

Në vitin 2016, Ekipi i Përbashkët Hetues – që përfshin zyrtarë nga Holanda, Australia, Belgjika, Malajzia dhe Ukraina – arriti në një përfundim të ngjashëm.

Ky ekip ka thënë se raketa Buk është sjellë në Ukrainë nga Rusia pak kohë përpara se të rrëzohej aeroplani. Ekipi i Përbashkët Hetues po ashtu ka thënë se raketa është hedhur nga një rajon i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Më herët autoritetet ruse patën deklaruar se “raketa që e ka rrëzuar aeroplanin e kompanisë Malaysia Airilens, është dërguar në Ukrainën sovjetike pasi është prodhuar në vitin 1986 dhe nuk është kthyer kurrë në Rusi”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet