Tradita 300 vjeçare, Dita e Ashures kremtohet në Teqenë e Saraçhanes në Prizren (Foto)

Një tradite 300 vjeçare në një teqe e cila është ndërtuar ne shekullin e 18-të gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Teqeja e Saraçhanës (Saraçhane Halveti Tekkesi) në Prizren po vazhdon ruajtjen e traditës së kremtimit të ditës së Ashures, shkruan Gazeta e Re.

Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës.

Shehët e përgatisin ashuret në kazanet e mëdha me recitimin e Ilahive dhe duave, ato pastaj i shpërndajnë mysafirëve.

Ndryshe, fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr”, që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem, sipas kalendarit hënor. Sipas një transmetimi të Abdullah bin Abasit, kur profeti Muhamed a.s. erdhi në Medine, vuri re se hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashuras dhe pyeti për shkakun. Ata iu përgjigjën: “Kjo është një ditë e madhe. Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa e agjëroi. Edhe ne për respekt e agjërojmë”. I dërguari i Allahut a.s. u shpreh: “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa a.s.”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashuras.

Dita e ashures, që përkon me një sërë ngjarjesh të shënuara në historinë e njerëzimit. Në lidhje me këtë, imam Gazali thotë: “Për epërsitë e kësaj dite na kanë ardhur shumë informacione. Sipas tyre, në këtë ditë është pranuar pendesa e Hz. Ademit, është ndaluar në malin Xhud anija e Hz. Nuhut, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Hz. Ibrahimi, është shëruar nga sëmundja e gjatë Hz. Ejubi, ka shpëtuar nga barku i peshkut Hz. Junusi, është ngjitur në qiell Hz. Isai. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni r.a.” /Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet