Tomë Gashi: Gjykata Speciale është gjykatë raciste

Avokati Tomë Gashi është bërë i njohur edhe për opinionin publik, sidomos pas paraqitjeve të tij të shumta nëpër media. Rastet më të bujshme gjyqësore viteve të fundit, janë lidhur me emrin e tij. Ai është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës dhe si specialitet i ka çështjet civile dhe penale.
Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka folur për sistemin juridik shtetëror, ecejaket për forcimin e tij dhe probleme të tjera të cilat janë duke e përcjellë këtë sistem. Veçanërisht është ndalur te çështja e Gjykatës Speciale dhe Eulex-it, ndërsa ka reflektuar edhe mbi rastin e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

GeR: Si e vlerësoni funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë?

Gashi: Sistemi i drejtësisë në Kosovë është jashtëzakonisht i politizuar dhe kështu ka qenë që nga viti 1999 e deri më tani. Asnjë ndryshim të rëndësishëm në sistemin juridik nuk mund ta presim, pa pasur vullnet të vërtetë politik që mos të ndërhyhet në këtë sistem, por po ashtu duhet të ekzistojë vullneti politik për ta forcuar këtë të fundit, pra për ta pavarësuar tërësisht nga politika. Por kjo është më e lehtë të thuhet, e me vështirë të bëhet sepse politika do ta ketë nën kontroll sistemin juridik.

GeR: A mendoni se ka ardhur koha që misionit të EULEX-it t’i përfundojë mandati dhe a është i gatshëm sistemi i drejtësisë në Kosovë që t’i pranojë lëndët që trajtohen nga EULEX-i?

Gashi: Që nga viti 2015 kur është votuar gjykata speciale është dashtë të kërkohet të përfundojë misioni i EULEX-it në Kosovë, sepse nuk ka arsye që t’i kemi dy misione të formuara nga i njëjti institucion, nga BE, me të njëjtin qëllim, imponimin e sundimit të ligjit. Por nuk ka kuptim t’i kemi dy misione të njëjta, Gjykatën Speciale dhe tjetra EULEXI, sepse siç e thash, kjo është të kemi misione të dyfishta në të njëjtin shtet. Nuk ka kuptim dhe as arsye që të jetë kështu. Kosova është e lirë që nga 1999 dhe e pavarur që nga 2008, prandaj është koha e fundit që ne të merremi me të gjitha punët tona të funksionalizimit të shtetit. Nuk ka asnjë arsye që ne të paraqitemi dhe të dukemi kinse të paaftë për t’i ushtruar të gjitha funksionet shtetërore vet pa ndihmën e askujt nga jashtë. Ne duhet të jemi falënderues ndaj EULEX-it, por t’i marrim të gjitha lëndët dhe t’i zgjidhim vet. Pa i marrë përsipër përgjegjësitë në sistemin juridik asnjëherë nuk do ta forcojmë dhe pavarësojmë në tërësi sistemin juridik. Gjyqtarët dhe prokurorët tanë janë në gjendje të përballen me çdo lëndë, qofshin ato lëndë të profileve të larta, të krimit të organizuar apo edhe të krimeve të luftës.

GeR: Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi është duke u hetuar për falsifikim të provimit të jurisprudencës. Sipas jush, a duhet të formohet një komision parlamentar për këtë rast? Dhe a duhet që Lumezi të pezullohet nga puna e tij deri në përfundim të hetimeve apo cilët janë hapat që duhen ndërmarrë për rastin në fjalë?

Gashi: Sa i përket hulumtimit të rastit të provimit të jurisprudencës në asnjë variant nuk është duke u hetuar Aleksander Lumezi, as kuptimin personal, dhe as në rolin e kryeprokurorit të shtetit.
Aleksandër Lumezi e ka të dhënë provimin e jurisprudencës, ky fakt nuk është aspak kontestues dhe nuk është çështje e tij nëse dikush ka manipuluar qëllimisht apo rastësisht dosjen e tij. Pra ta kemi të qartë, rasti është duke u hetuar e jo Aleksander Lumezi. Mund të verifikohet lehtë që ai e ka dhënë provimin e jurisprudencës. Pse po bëhet kjo kampanjë kundër tij dhe kundër institucionit të prokurorisë së shtetit? Vetëm ata që janë dirigjuar që ta bëjnë këtë kampanjë kundër tij, mund ta dinë kush janë porositësit. Mandej, në asnjë variant nuk ka asnjë arsye që z. Aleksander Lumezi të jep dorëheqje dhe nuk ka asnjë arsye që të formohet ndonjë komision parlamentar për ta verifikuar këtë çështje. Tashmë janë organet kompetente që janë duke u marrë me rastin. Por një është e sigurt 100% Aleksander Lumezi ka dhënë provimin e jurisprudencës dhe 100% kjo do të vërtetohet edhe për opinionin publik. Unë edhe personalisht garantoj që ai e ka dhënë provimin e jurisprudencës krejtësisht në mënyrë të rregullt.

GeR: Është përfolur se Gjykata Speciale do ta “pastrojë” skenën politike në vend. Çka prisni nga Gjykata Speciale?

Gashi: Sa i përket Gjykatës Speciale, kjo është një gjykatë ndërkombëtare dhe nuk është fare e Kosovës. Është gjykate raciste prandaj merret vetëm me gjykimin e një pale ndërluftuese, shqiptarëve, pra pjesëtarëve të UÇK. Dhe kjo gjykatë është tejet e dëmshme për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, është shumë e dëmshme për shtetin e ri të Kosovës dhe posaçërisht do të ketë pasoja katastrofale për luftën e UÇK-së.

Pastaj, përderisa asnjë kosovar nuk mund të aplikojë për punë, pra si qenka gjykatë e jona? Edhe për ne avokatët e Kosovës kanë vu një mori kushtesh që të regjistrohemi në këtë gjykatë. Nëse do të ishte e Kosovës ne pa asnjë kusht shtesë, do të mund t’i mbronim klientët tanë. Sidoqoftë, pasojat do të jenë të dëmshme për Kosovën. E nëse akuzon udhëheqës politikë të tanishëm kosovarë, që gjatë luftës kanë mbajtur pozicione të larta ushtarake në kuadër të UÇK-së, mund të prodhojë ndryshime drastike në skenën politike. Gjithsesi nuk është normale që të pasojnë ndryshime politike si rrjedhojë e veprimtarisë së një gjykate, të ashtuquajtur speciale. Ndryshimet politike duhet të vijnë nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës e jo të imponohen nga çfarëdo gjykate./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet