Tiranë – Sot mbahet mbledhja e 4-t për gazsjellësin Adriatiko-Jonian

Mbledhja e 4-t e radhës, e Njësisë së Menaxhimit të projektit për gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP) do të zhvillohet sot në Tiranë, ku pritet të jenë të pranishëm personalitete të institucioneve të linjës kombëtare dhe ndërkombëtare, ambasadave të huaja në Shqipërisë, donatorë dhe ekspertë të fushës.

Ky është projekti i dytë pas TAP, me një rëndësi strategjike jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për vendet e rajonit e më gjerë. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian është i gjatë 516 kilometra. Gazsjellësi i propozuar IAP do të nisë nga qyteti i Fierit (Shqipëria e mesme) duke u lidhur me TAP, do të kalojë në Mal të Zi, Bosnje dhe do të përfundojë në Split të Kroacisë.

Në gushtin e vitit të shkuar, ministritë e Energjisë të Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë dhe Malit të Zi nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mes tyre, që së bashku me operatorët e transmetimit të gazit për çdo vend, krijuan edhe Njësinë e menaxhimit, e cila synon të përcaktojë hapat e nevojshëm për lehtësimin e zhvillimit dhe zbatimit të projektit IAP.

Ky gazsjellës ka si objektiv primar transportin e 5 miliardë metrave kub gaz çdo vit, nga Azerbajxhani në vendet e Evropës Jug-lindore.

Njësia e Menaxhimit të Projektit promovon IAP dhe shfrytëzon çdo mundësi për të paraqitur rëndësinë e tij tek palët e interesuara, vendimmarrësit brenda komunitetit ndërkombëtar dhe tek investitorët e partnerët potencialë.

Mbledhjet e njësisë ndiqen edhe nga Komuniteti i Energjisë dhe SOCAR, kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit. Shtetet kanë secila nga dy anëtarë në këtë njësi, ndërsa sekretariati i përgjithshëm mbahet nga Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi.

Kategoritë
EkonomiLajmeRajoni

Të ngjajshmet