Tiranë, protestë kundër përdorimit të detyruar të maskave

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë, protesta është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e policisë

Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbajtjen e maskave edhe në ambiente të hapura është shoqëruar edhe me kundërshtime, pasi në Tiranë është mbajtur një protestë për të kundërshtuar këtë masë, raporton Anadolu Agency(AA).

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë, protesta është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e policisë.

Për shkak se janë të ndaluar tubimet me pjesëmarrje masive të qytetareve, forcat e policisë kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestës, duke shoqëruar edhe disa protestues.

Sipas qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, “askush nuk mund të detyrohet të mbajë maskë kundër vullnetit të tij”. Protestuesit në mënyrë simbolike kanë djegur masakt.

Kujtojmë se që nga 15 tetori, në Shqipëri ka hyrë në fuqi akti normativ i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë që përcakton se barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë.

Sipas udhëzimit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP), maska duhet të mbahet nga çdo individ mbi moshën 11-vjeç gjatë gjithë veprimtarisë jashtë banesës.

Zbatimi i masës së re vjen pas vazhdimit të rritjes së rasteve me COVID-19, ku sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 16.212 raste pozitive me COVID-19, mes tyre, 439 persona kanë ndërruar jetë dhe 9.864 janë shëruar

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet