TIKA vazhdon mbështetjen për institucionet arsimore në Kosovë

Në Podujevë, qytet verilindor i Kosovës, sot u bë përurimi i “Projektit të Furnizimit me Inventar të Kopshtit Armela”, projekt i realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Arsimit të Komunës së Podujevës, Agim Blakqori, si dhe stafi shkollor, prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle, raporton AA.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kılıç deklaroi se ndihet shumë e lumtur për të qenë e pranishme në përurimin e këtij projekti të realizuar nga TIKA, ku u shpreh se janë shumë krenarë për projektet e realizuara nga kjo agjenci.

Duke shprehur mendimin se mjedisi i miqësisë dhe vëllazërisë në këtë kopsht është një prototip i Kosovës, si një shtet multietnik dhe multikulturor, Kılıç tha se “Shpresoj se gjithë këto që janë bërë të kontribuojnë në arsimimin që do të marrin këtu dhe në të ardhmen e fëmijëve. Besoj se marrja e arsimimit në mënyrë të lumtur këtu, edhe me dashurinë dhe mbështetjen tuaj (stafit të kopshtit), si dhe nën kujdesin e komunës, do të ofrojë një kontribut të madh në shëndetin e arsimimin e fëmijëve dhe në të ardhmen e këtij shteti”, tha ajo.

Kılıç më tej shprehu bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimi me komunën e Podujevës edhe në projekte tjera.

Kurse drejtori i Arsimit, Blakqori, falënderoi Qeverinë e Turqisë, meqë sipas tij e kanë përzgjedhur institucionin më të duhur për të sjellë donacionin e tyre.

“Falënderoj qeverinë e Republikës Turke që përmes organizatës TIKA ka zgjedhur çerdhen Armela për të sjellë donacion dhe për t’iu krijuar kushte më të mira të gjithë fëmijëve që frekuentojnë këtë institucion”, tha Blakqori, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim edhe në projektet tjera.

Drejtoresha e kopshtit, Taibe Nishevci, deklaroi se komplet inventari i këtij kopshti është realizuar nga TIKA dhe se po ashtu janë dhuruar laptopët e projektorët të cilët sipas saj lehtësojnë shumë mbarëvajtjen e punës me fëmijë.

“Për t’i realizuar të gjitha ato planprograme neve normalisht që na duhen edhe kushtet, duhet një ambient më tërheqës për fëmijë dhe materiale të ndryshme didaktike dhe këto i kompletuam falë edhe TIKA-s. Fëmijët janë shumë të kënaqur, është bërë një atmosferë shumë e mirë dhe interesimi është më i madh i fëmijëve “, tha ajo.

Gjatë ceremonisë së përurimit pjesëmarrësit vizituan klasat e këtij kopshti dhe panë nga afër pajisjet e dhuruara nga TIKA, kurse ambasadorja Kılıç dhuroi lodra për fëmijë. Nga ana tjetër edhe fëmijët përgatitën një program me këngë e valle, kurse drejtoresha e kopshtit, Nishevci, në shenjë falënderimi i dhuroi ambasadores turke pikturë me flamurin e Kosovës dhe të Turqisë.

“Armela” është institucioni i vetëm parashkollor publik në Komunën e Podujevës. Në këtë kopsht edukohen rreth 70 nxënës të grupmoshës 1-6 vjeç.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet