TIKA dhuron 1050 koshere bletësh në Podujevë

Pos koshereve, TIKA në fshatin Dumnicë të Ulët, ka ndihmuar bletarët edhe me materiale tjera, rroba të bletarisë, makina ndihmëse e pajisje të ndryshme.

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), ka dhuruar sot 1050 koshere bletësh dhe pajisje ndihmuese për blegtori në Dumnicë të Ulët të Podujevës në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhurimi i materialeve u bë në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Bletarisë së Qëndrueshme dhe Produkteve të Bletës të implementuar nga TIKA si pjesë e Programit për Siguri të Ushqimit dhe Jetesës.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, tha se Turqia e ka një politikë të jashtme sipërmarrëse dhe humanitare, ndërsa këto projekte të TIKA-s, po e shtrojnë dorën vëllazërore të Turqisë.

Sakar tha se kjo mbështetje do të ndikojë në rritje ekonomike në Komunën e Podujevës me rreth gjysmë milioni euro në afat kohor prej tre vjetësh.

“Në këtë mbështetje të ofruar nga TIKA, në një afat tre vjeçar ekonomia e Komunës së Podujevës llogaritet që do të përkrahet me më shumë se gjysmë milioni euro. Me këtë përkrahje synohet që të mbështeten ekonomitë familjare të Podujevës, rritja e mundësive të punësimit, zbutja e papunësisë si dhe rritja e prodhimtarisë në zonat rurale”, tha Sakar.

Kryetari i Shoqatës së Bletarëve “E Bukura Mbretëreshë” në Podujevë, Hilmi Syla, duke e falënderuar TIKA-n për ndihmën tha se shoqata që udhëheq ai ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me TIKA-n, ndërsa është privilegjuar edhe nga drejtoria e Bujqësisë së Podujevës.

“Kjo ndihmë, nga shoqata turke dhe nga populli turk nuk është vetëm në fushën e bletarisë, por në çdo pore të jetës”, tha Syla.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, tha se ndihma e TIKA-s është mjaft me rëndësi për Komunën e Podujevës si dhe fermerët e kësaj ane.

Gjithashtu i pranishëm gjatë dhurimit të këtyre materialeve ishte i pranishëm edhe koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran.

“Të dashur fermerë, vërtetë meritoni një përkrahje edhe nga ne si institucione, por edhe nga donatorët tjerë, sepse përkushtimi juaj në vendin tonë, edhe në Podujevë, edhe në Kosovë është çdo ditë duke gjeneruar vende të reja të punës”, tha Januzi.

TIKA nga viti 2015 ka filluar të implementojë Programin për Siguri të Ushqimit dhe Jetesës, duke ndihmuar në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Në këtë program i cili synon përfshirjen e 5.000 familjeve në gjithë rajonin e Ballkanit Kosova është përfshirë nga viti 2017.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet