Theresa May nën presion pas rrjedhjes së informacionit për Huawei

Kryeministrja britanike Theresa May shpresoi se shkarkimi i sekretarit të saj të Mbrojtjes për shkak të informacionit të rrjedhë në media, do të ndikojë që të pushojë skandali qeveritar për Huawei.

Por duket se vetëm një tjetër stuhi politike është lëshuar për kryeministren britanike, ku anëtarët e partisë së saj e vënë në pyetje vendimin e saj.

May, e cila vazhdon punën pavarësisht se dështoi të bindë parlamentin të pranojë planet për daljen e Britanisë nga BE, shkarkoi dje sekretarin e mbrojtjes Gavin Williamson për shkak të rrjedhjes së informacionit për firmën kineze Huawei nga një takim i Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Kabinetit (NSC), i cili diskuton strategjinë e inteligjencës dhe të mbrojtjes.

Williamson ka vazhduar të hedhë poshtë akuzat, duke thënë se ai është “gjykuar nga një gjykatë kangurësh”, por May e konsideron çështjen të mbyllur.

Sipas informacionit, së pari i raportuar në gazetën Telegraph, thuhet se Britania do të lejonte Huawei për të pasur një rol në ndërtimin e pjesëve të rrjetit të vet 5G, duke e vendosur Londrën në kundërshtim me Uashingtonin, i cili kërkon që aleatët të ndalojnë firmën kineze nga brezat e ardhshëm të teknologjisë së komunikimit, transmeton KosovaPress.

Williamson ishte një aleat i rëndësishëm politik për May, ndërsa luftoi për të drejtuar Britaninë nëpërmjet Brexit, pa një shumicë në parlament dhe pa konsensus të qartë për mënyrën më të mirë për të braktisur Bashkimin Evropian.

Kryeministrja britanike njoftoi në mars se do të largohej nëse parlamenti do të pranonte marrëveshjen e saj Brexit.

Rrjedhja e informacionit mbi Huawei ka ngritur dyshime për aftësinë e May për të mbajtur në kontroll ministrat e saj dhe për të qeverisur në mënyrë efektive.

Ndryshe, disa nga ministrat e lartë të kabinetit janë kandidatë të lartë për të zëvendësuar May. Supozohet se rrjedhja e informacionit kishte për qëllim t’u jepte rivalëve një shans për të portretizuar veten më të fortë se May lidhur me çështjet e sigurisë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet