Thaçi nuk e mohon mundësinë për shkëmbim territoresh, nuk flet për Gazivodën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që me shtetin serb do të diskutohet edhe për shkëmbim të territoreve.

Thaçi ka thënë se Kosova është e pavarur dhe e ka të drejtën e vet që të nënshkruajë marrëveshje me shtetet fqinje.

Thaçi: Kosova e ka të drejtën e vet që të nënshkruajë marrëveshje me shtetet fqinje

“Kosova është e pavarur, është sovrane, e ka të drejtën e vet që të nënshkruajë marrëveshje me shtetet fqinje. Pa normalizim të raporteve Kosovë-Serbi nuk ka lëvizje përpara drejt së ardhmes euroatlantike as për Kosovën as për Serbinë. Në veçanti pas arritjes së marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, kështu që na mbetet neve për të punuar me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne i kemi hyrë këtij procesi me përgjegjësi më të lartë kushtetuese dhe ligjore, Kosova është e sigurt në sukses  mund të themi. Mirëpo, në të njëjtën kohë kjo nuk është një garë për të mundur njëri tjetrin, por është një proces që duhet të përmbyllet në përputhshmëri edhe me angazhimet e Bashkimit Evropian dhe të ShBA-ve. Jam i bindur që nga ky proces Kosova do ta fitoi në aspektin strategjik të ardhmen e sigurt euroatlantike dhe konsolidimit të shtetit gjithashtu”, tha presidenti.

Në media gjatë ditës së sotme është raportuar se Leposaviqi mund të shkëmbehet me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit, por këto shkrime Thaçi nuk i ka komentuar, përderisa ka thënë se qëllimi i institucioneve është arritja  e njohjes formale mes Kosovës dhe Serbisë në fund të procesit.

Thaçi: Qëllimi jonë është njohja formale të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë

“Unë nuk komentoj opinione të mediave, nuk komentoj opinionet që nuk kanë adresë. Por, ajo që dua të them është se institucionet e Kosovës, partitë politike, qytetarët, shoqëria civile, mediat, të gjithë duhet të punojmë me përkushtimin më të madh që me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm institucional politik e qytetar të vazhdojmë procesin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian me mbështetje të fuqishme në 100  përqind të SHBA-ve. Ne e dimë qëllimin tonë, qëllimi jonë është njohja formale të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë në fund të procesit që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshi edhe organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, kjo është qëllimi dhe është objektiva. Ndërsa, tash kemi opinione të ndryshme për çështje të ndryshme, ka edhe opinione deformuese, ka edhe fake neës të shumtë të cilat me të vërtet po e fusin në kon fuzion opinionin publik. Objektiva e Kosovës është që në fund të procesit të ndodh njohja formale”, tha ai.

Presidenti i vendit ka insistuar që në fund të dialogut Kosova dhe Serbia do të kenë njohje reciproke.

Thaçi: Procesi të përmbyllet me njohje formale

“Unë shpresoj dhe besoj, punoj fuqishëm me të gjithë të tjerët në Kosovë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë që marrëveshja të ndodh mes dy vendeve të pavarura, që procesi të përmbyllet me njohje formale dhe Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Ky është kompromisi që Kosova e bënë”, tha presidenti Thaçi.

I pyetur për liqenin e Gazivodës, presidenti Thaçi nuk ka pranuar të përgjigjet. Këto deklarata kreu i shtetit i ka bërë gjatë vendosjes së kurorave me lule tek varri i veprimtarit Adem Demaçi, i cili ka ndërruar jetë të enjten pasdite.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet