Thaçi: Është e drejtë e Kurtit ta refuzojë mandatimin për kryeministër

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se adresa e zgjidhjes së ngërçit politik në të cilin ndodhet vendi është te partitë politike, ndërsa potencoi se në rast të kalimit në një fazë tjetër si president i vendit do të punojë me tërë potencialin që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të vendit.

Kreu i shtetit tha se ka nënshkruar vendimin për mandatimin e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për kryeministër, derisa i ka bërë thirrje që të njëjtin vendim ta pranojë. E në rast të mospranimit, Thaçi tha se është e drejtë e Kurtit që ta refuzojë publikisht që nuk është i gatshëm ta formojë qeverinë.

Ai tha se vullneti i njerëzve të Kosovës është më i madh se çdo lider dhe vullneti për të lëvizur më shpejt i qytetarëve të Kosovës, është më i madh sesa pretendimi për të mbajtur peng një proces, një shtet dhe një popull.

“Dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdojë të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për kryeministër. Kështu që, nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston, është në tavolinën time dhe pret. Unë dua të shpreh përgjegjësinë time si president i vendit, përgjegjësinë e përfaqësimit të unitetit politik dhe qytetarë, por theksoi se vullneti i njerëzve të Kosovës është më i madh se çdo lider dhe vullneti për të lëvizur më shpejt i qytetarëve të Kosovës është më i madh sesa pretendimi për të mbajtur peng një proces, një shtet dhe një popull. Unë pres që vendimin që e kam nënshkruar, duke menduar se do ta merr pasi që veç është deklaruar, ka zhvilluar fushatë si kandidat për kryeministër, ka emëruar gjysmën e qeverisë, andaj është krejt normale, e logjikshme dhe e përgjegjshme që në kuptimin ose fizik ose përmes komunikimit tjetër ta pranojë zyrtarisht nominimin si kandidat për kryeministër. Nëse jo, atëherë natyrisht është e drejtë e tij e refuzimit publik, zyrtar që nuk është i gatshëm, por kjo i mbetet në përgjegjësinë e respektimit të vullnetit të elektoratit, por para së gjithash e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se qytetarët kanë votuar për krijimin e institucioneve dhe jo për krijimin e vakumeve të panevojshme, e në këtë drejtim ai tha se beson se nuk do të mungojë angazhimi i spektrit politik.

“Kjo rrjedhojë e zhvillimeve politike përgjigjen e  kërkon nga adresat e partive politike, nga partitë parlamentare, prandaj dua të shpresoj në përgjegjësitë shtetërore, respektimin e vullnetit qytetar dhe natyrisht të mos hyjmë në një fazë të një ngërçi apo një refuzimi për mos ndërtimin e institucioneve të vendit. Sepse njerëzit kanë votuar me ndërtua institucione dhe jo me krijua vakume të panevojshme. Prandaj, dua të shpresoj në kulturën politike, në spektrit politik, të liderëve politik dhe në këtë drejtim besoj që nuk do të mungojnë angazhimet e spektrit politik dhe liderëve politik”, tha ai.

I pyetur rreth mundësisë së mandatimit të një partie tjetër, Thaçi tha se Kosova nuk do të jetë edhe gjatë e bllokuar.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar, por e theksoi edhe një herë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike që kanë adresa të partive politike, përgjegjësi të tyre të respektimit të vullnetit qytetar, por edhe të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm të një adrese politike. Vazhdoj të besoj fuqishëm që do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë në implementimin e prioriteteve që kemi si shtet i Kosovës qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për të ardhmen tonë euroatlantike”, tha ai.

Rreth mundësisë që ai t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mosdërgimin e emrit të mandatarit, Thaçi tha se do të pres që spektri politik të shterojë të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve, e pastaj do të shoh për hapat që do t’i ndërmarrin.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet