Thaçi adreson kritika ndaj BE-së, nëse ka ende izolim do të ketë ide nacionaliste

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar kritikat e tij karshi Bashkimit Evropian edhe nga Budva e Malit të Zi, ku po mbahet forumi i sigurisë, duke thënë se izolimi që po i bëhet Kosovës mund të dërgojë Kosovën drejt temave nacionaliste. I pari i shtetit foli dhe për dialogun me Serbinë, ku tha se ai është në krizë, mirëpo është momenti i duhur për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Edhe nga ky forum ballkanik i sigurisë, presidenti Thaçi përsëriti se nuk do të ketë shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, por nuk e mohoi korrigjimin e kufijve që sipas do mund të ndodhë përmes demarkimit të kufirit.

Për të arritur zgjidhjen përfundimtare, ai kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet BE-së dhe ShBA-së.

Thaçi: Është një vlerësim i standardeve të dyfishta

“Ka mjaft pakënaqësi për vonesat e BE-së, njëri prej atyre të pakënaqur jam unë me qëndrimin e ngurtë të BE-së për Kosovën që nuk e ka vlerësuar drejt progresin, e veçanërisht për liberalizimin e vizave. Sepse të ndodhë dhe më tutje izolimi i Kosovës kur ne i kemi përfunduar gjitha kriteret është absurd. Është e papranueshme prej qytetarëve. Nuk është një vlerësim, apo është një vlerësim i standardeve të dyfishta që ka sjell pakënaqësi, por në të njëjtën kohë të gjithë ne e dimë që alternative e vetme është e ardhmja Evropiane dhe në NATO, kështu që durimi ynë duhet të jetë më i madh sesa vonesat e Bashkimit Evropian”, tha ai.

I pyetur për idetë nacionaliste që po qarkullojnë në rajon, presidenti Thaçi duke aluduar në deklaratat e tij për bashkim kombëtar, theksoi se sa më shumë që vonohet BE-ja, do të ketë ide nacionaliste dhe populliste.

Thaçi: Nëse ka ende izolim do të ketë ide nacionaliste

“Jam i bindur që sa më shumë që vonohen Bashkimi Evropian aq më shumë pupollizëm, do të ketë në gjitha vendet, përfshi Kosovën. Do të ketë edhe ide nacionaliste më të fuqishme, por sot patriotizmi më i madh është kultivimi i këtij multietniciteti, zhvillimi ekonomik, sjellja e investitorëve të huaj, krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies sociale…ky izolim në Kosovë po konsiderohet si diskriminim dhe paragjykim. Nëse mbetët e izoluar do të ketë ide që nacionaliste që nuk përkojnë me frymën euroantlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Thaçi tha se është në krizë, por pavarësisht kësaj është momenti dhe duhet të punohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Ndërkaq, theksoi se duhet të zbatohen gjitha marrëveshjet e arritura dhe nuk do të lejohet një Republika Serbë në Kosovë.

Për opinionet e ndryshimet të kufijve Thaçi tha se është keqkuptim dhe se kurrë në tavolinën e bisedimeve nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve.

Mirëpo, Thaçi tha se për të arritur marrëveshjen përfundimtare duhet demarkim i kufijve. Sipas tij, korrigjimet e kufijve kanë ndodhur edhe në shtete të tjera dhe se kjo është në kuadër të çështjeve të hapura që kanë me Serbinë përfshi krimet serbe në Kosovë.

Thaçi: Asnjëherë nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve në tavolinën e bisedimeve

“Dialogu Kosovë-Serbi realisht është në krizë, nuk mundem me mohuar askush, por ka faktor që kanë ndikuar që të jetë në krizë, por e para është që se raporti Kosovë-Serbi është shumë i ndjeshëm për shkak të kaluarës së hidhur, por edhe për shkak të vështirësisë për marrjen e një vendimi strategjik për një marrëveshje përfundimtare…nuk shohë moment më të volitshëm sesa aktualisht për të arritur këtë marrëveshje historike…nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare këtë kohë me Serbinë konsolidimi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar do të jetë me plotë pengesa dhe i gjatë. Unë nuk jam ithtar i një rrugëtimi palestinez të Kosovës për konsolidimin ndërkombëtar. Nuk duhem të jem skeptik, por jam realist. Një marrëveshje që synoj është që të mbyllen gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar dhe të ruhet shpirti, struktura e shtetit dhe mos të ketë kufij me vija etnike…është krijuar një keqkuptim në opinion dhe tërë opinion është fokusuar tek mundësia e ndërrimit të kufijve. Kjo është e gabuar, këta kanë qenë zëra kritik të procesit. Kurrë në tavolinë nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve. Për arritjen e marrëveshjes përfundimtare duhet të ndodhë demarkimi i kufijve…pa qartësimin e vijës përfundimtare të kufirit me korigjime të lehta siç kanë ndodhur mes vendeve të rajonit do të diskutohen mes ekipeve teknike profesionale”, u shpreh ai.

Kurse, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq u shpreh se çelësi i zgjidhjes së problemeve në rajon është epilogu i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjukanoviq pati edhe disa rekomandime rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Gjukanoviq: Duhet ta kuptoni se nëse kini hyrë në dialog, më nuk kini zgjidhje

“Në çështje që kanë të bëjnë me probleme bilaterale, pavarësisht se cilat, tash flasim për Kosovën dhe Serbinë, nuk duhet të shikohen përmes prizmit të përdorimeve të brendshme, pasi aty do të bini në ngërç. Dëshironi të thoni atë që dëshiron ta dëgjoj publiku juaj. Kjo logjikë nuk do t’iu çojë askund. Duhet përmbajtur përgjegjësive politike shtetërore, duhet t’i ikni kësaj kurthe, duhet ta kuptoni se nëse kini hyrë në dialog, më nuk kini zgjidhje. Ju duhet të jini i suksesshëm në këtë drejtim dhe të kini pranë vetes partnerin dhe kjo më nuk është çështje e brendshme politike, dhe kjo do të jetë çështje ku duhet të arrini marrëveshje me partnerin. Kjo shpesh di të jetë shumë e vështirë”, tha Gjukanoviq.

Gjukanoviq ka treguar edhe arsyet e uljes në tavolinën e bisedimeve nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjukanoviq: Vuçiq është ulur në tavolinë të pranojë gjendjen e re faktike- Kosova shtet

“Të flasim pse e ka marrë përgjegjësinë që ka marrë presidenti Vuçiq. Ai nuk është ulur në tavolinë për të diskutuar nëse Kosova është pjesë e Serbisë ose jo. Përkujtojmë kjo ishte tezë dominuese politike deri vonë. Pra, ai është ulur në tavolinë që të bisedojë që të bisedojë për kushtet me të cilat do të formalizohet kjo gjendje e re faktike, ku Kosova është shtet. Pajtohem me atë që Thaçi tha. Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë kohë, mendoj se do të na duhen dekada për të ardhur serish deri kjo”, tha Gjukanoviq.

Ndërsa sa i përket idesë për korrigjimin e kufijve, presidenti Gjukanoviq indirekt është shprehur kundër duke thënë se zgjidhja duhet të kërkohet përmes shoqërisë multietnike dhe formulës së Badinterit, pasi në këtë rast do të kishte demarkim të kufijve edhe ndërmjet Serbisë e Kroacisë, Serbisë e Bosnjës, Kroacisë dhe Bosnjës.

Ai porositi se e rëndësishme është që sa më shpejt Kosova dhe Serbia t’i kthehen tavolinës së bisedimeve, pasi çdo vonesë mund të shkaktojë probleme afatgjate për gjetjen e një zgjidhje.

Forumi i Sigurisë “To be Secure” organizohet nga Këshilli Atlantik, nën patronatin e Qeverisë së Malit të Zi. Ky forum vjetor i nivelit të lartë ka mbledhur këtë vit shumë personalitete nga fusha e politikës dhe sigurisë, të cilët kanë diskutuar për çështje rajonale dhe globale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet