Tevez: Lehtë është të shkruash “qëndroni në shtëpi”, por njerëzit kanë nevojë për ndihmë

“Çdo futbollist mund të heq dorë nga paga e tij gjashtëmujore dhe të vazhdojë jetën pa probleme. Ne nuk jemi në të njejtën pozitë sikur njerëzit që punojnë deri në orën 19:00 për të ushqyer familjet”, ka thënë Tevez.

Futbollisti argjentinas dhe sulmuesi i Boca Juniors, Carlos Tevez u ka bërë thirrje futbollistëve që të ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Tevez në një prononcim për mediat argjentinase tha se futbollistët në këtë situatë duhet të marrin përgjegjësi.

“Lehtë është që në shtëpinë tënde të shkruash ‘qëndro në shtëpi’, siç bëra edhe unë vetë, por ajo që është e rëndësishme në këto momente është të ndihmosh njerëzit që kanë nevojë për ndihmë”, tha Tevez, duke shtuar: “Futbollistët, aktorët duhet të ndihmojnë në lagjet e varfra. Me kënaqësi të madhe shkoj në kuzhinën publike që të ndihmoj aq sa kam mundësi”.

Besoj se autoritetet bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre, por ne duhet të jemi me njerëzit dhe t’i ndihmojmë ata, tha Tevez.

Ai theksoi se edhe ai vetë kishte një fëmijëri shumë të vështirë.

“Aktualisht jam në një situatë tjetër, por e di ç’farë do të thotë të mos kesh një kilogram patate apo para për të blerë ushqim. Bota duhet të bashkohet. Ne nuk e kemi problem të qëndrojmë në shtëpi, ne mund të ushqejmë fëmijët tanë. Por, si e kanë ata që në rast të daljes nga shtëpia i pret arrestimi, kurse ata duhet të ushqejnë fëmijët. Kjo me të vërtetë është prekëse”, ka thënë Tevez.

Futbollisti i dikurshëm i Manchester Unitedit dhe Juventusit potencoi se futbollistët në këtë aspekt, duhet të jenë shembull për të tjerët në ndihmë dhe mbështetje.

“Çdo futbollist mund të heq dorë nga paga e tij gjashtëmujore dhe të vazhdojë jetën pa probleme. Ne nuk jemi në të njejtën pozitë sikur njerëzit që punojnë deri në orën 19:00 për të ushqyer familjet. Duhet të jemi mirënjohës që jemi shëndosh dhe të ndihmojmë njërëzit që janë në nevojë. Shpresoj se do të jemi më të mirë si shoqëri dhe ta bëjmë botën një vend më të mirë. Ky virus na mëson të jemi më të bashkuar”, ka thënë Tevez.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet