Tetovë, vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Qyteti i Tetovës çdo të premte organizon protesta në forma të ndryshme kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, të tilla si marshe protestuese, bllokim të rrugëve kryesore të qytetit, si dhe të autostradës

Qindra qytetarë të Tetovës kanë protestuar për të shprehur revoltën kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, që u paralajmërua se nga muaji shtator do të rritet për 7,4 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qyteti i Tetovës çdo të premte që nga fillimi i muajit gusht organizon protesta në forma të ndryshme kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, të tilla si marshe protestuese, bllokim të rrugëve kryesore të qytetit, si dhe të autostradës, ndërkohë që organizatorët theksojnë se do të vazhdojnë me protesta derisa të pranohen kërkesat e tyre.

Këtë të premte, protesta filloi nga sheshi “Iliria” duke vazhduar drejt zyrave të EVN-së, ndërsa më pas u kthyen përsëri në shesh nga ku organizatorët dërguan porositë e tyre kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike.

Kujtojmë se më 31 korrik, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë së Veriut (KRE) njoftoi se çmimi i energjisë elektrike të paguar nga amvisëritë nga muaji shtator do të rritet me 7,42 për qind, ndërkohë që qytetarët do të mund të përdorin tarifën e lirë në të njëjtën periudhë si më parë.

Protestat shpërthyen në disa qytete më të mëdha të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin Shkup. Protestuesit kërkojnë që KRE të rrëzojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind dhe më pas të ulë çmimin e energjisë elektrike për 46 për qind, ndërsa nga qeveria kërkojnë që të ulin TVSH-në në energji nga 18 për qind në 5 për qind dhe ta ndajnë monopolin e kompanisë private EVN.

Protestuesit po ashtu kërkojnë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të heqë KRE-në dhe të formojë një organ të pavarur që do të ketë mision t’i verifikojë shërbimet e kompanive të energjisë për qytarët.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet