Tërmeti në Shqipëri, mbahet konferenca e donatorëve në Bruksel

Drejtuesit e institucioneve të BE-së, por edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse kanë folur mbi mbështetjen që kanë ofruar dhe do të ofrojnë në të ardhmen për procesi ne rindërtimit pas tërmetit që goditi Shqipërinë në muajin nëntor.

Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, organizuar nga Komisioni Evropian (KE) për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin vitin e kaluar ka mbledhur në Bruksel zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian (BE), por edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë kanë folur mbi mbështetjen që kanë ofruar dhe do të ofrojnë në të ardhmen për procesin ea rindërtimit pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë në muajin nëntor.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në fjalën e saj tha se nevojat e Shqipërisë janë shumë të mëdha dhe duhet të adresohen me urgjencë. Sipas saj, mijëra shtëpi private duhen rindërtuar, ndërsa shkolla dhe spitale duhen restauruar.

Ajo tha se solidariteti nuk ka ardhur vetëm nga BE-ja, por edhe nga vende të tjera, si dhe shtoi se “slidariteti ka shpëtuar shumë jetë në Shqipëri”.

Presidentja e KE-së tha se kostoja e rindërtimit është e vlerësuar të jetë 1 miliard euro.

“Shqipëria e vetme nuk mund ta përballojë këtë barrë. Kjo konferencë shënon fillimin e bashkëpunimit tonë për rindërtimin e Shqipërisë. Komisioni Evropian angazhon 100 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë nga buxheti i BE-së dhe kjo është përtej 15 milionë që unë i bëra të njohura në dhjetor, ku nuk përfshihen kontributet e shteteve tona anëtare”, theksoi der Leyen.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke shprehur falënderime në disa gjuhë, përfshirë edhe turqisht, kërkoi mbështetje nga vendet pjesëmarrëse në konferencën e donatorëve për procesin e rindërtimit në Shqipëri.

“Për vendet e vogla nuk është kaq e thjeshtë edhe pse jam shumë krenar për mënyrën si ne menaxhuam pasojat. Çdo jetë e humbur ishte tragjedi. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. E ardhmja është më sfiduese kur e dimë që 17 mijë familje kanë mbetur pa strehë, mijëra ndërtesa të mëdha e të vogla duhet të rinovohen e fortifikohen, ndërkohë që infrastruktura e rëndësishme duhet të rregullohet”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama ka theksuar se sipas raportit përfundimtar pas katastrofës duhen rreth 1 miliard euro për dëmet.

Kujtojmë se gjatë muajt janar është nënshkruar protokolli në lidhje me ndërtimin e 500 njësive të banimit, projekt të cilin Turqia do ta realizojë me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Pas tërmetit, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202.291 persona.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet