Tendenca e “Telekom Srbija” për të blerë “Ipkon” kërcënim serioz për Kosovën

Kompania telefonike serbe “Telekom Srbija” ka ofruar 155 milionë euro për blerjen e kompanisë “IPKO”, pasiqë shitja e kësaj kompanie është pjesë e strategjisë 2019-2023, për të konsoliduar veprimtarinë e saj ose përmes zgjerimit ose përmes shitjes së investimeve në tregjet ku operon, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Mësohet se nga 10 ofertat e pranuara, “Telekom Srbija” ka ofruar shumën më të lartë për blerjen e kompanisë “IPKO”.

Po ashtu mësohet se Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e ka parashikuar që mund të vinte një situatë e tillë, dhe paraprakisht ka marrë veprimet si në vijim:

Me datë 25 korrik 2019, Bordi i ARKEP i kryesuar asokohe nga Kreshnik Gashi, tani Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në një vendim të nxjerrë, duke aprovuar kërkesën e IPKO Telecommunications LLC për ripërtëritjen e autorizimit për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të radio spektrit frekuencor të nevojshëm: sipas pikës 3 të Shtojcës 1, të po këtij vendimi, ka paraparë se: Autorizimi Individual i specifikuar për operatorin, nuk mund të shitet, jepet me qira, të transferohet apo të jepet si garanci, pa miratimin paraprak nga ARKEP. Asnjë ndryshim i kontrollit të operatorit (Autorizuarit), qoftë i drejtpërdrejt apo i tërthortë nuk mund të bëhet pa lejen paraprake me shkrim të ARKEP.

(Këtu mund të lexoni vendimin e plotë të AKREP-it: http://arkep-rks.org/repository/docs/Vendim%20Nr%201420%20-%20Ripertrirja%20e%20autorizimit%20per%20resurset%20frekuencore%20ne%20brezet%20900%20dhe%201800%20MHz%20per%20IPKO.pdf)

Kjo lë të nënkuptohet se kompania IPKO Telecommunications LLC nuk mund të ndërroj pronarin e saj, dhe nuk mund t’i shes aksionet, tek një kompani tjetër, pa miratimin paraprak të ARKEP-it.

Ekspertët vlerësojnë se në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë do të vihej në rrezik të paparë siguria kombëtare.

Për ekspertin e cështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, një tendencë e tillë nga ana e Serbisë paraqet rrezik të madh nacional.

“Mundësia e blerjes së ‘Ipko’ nga ‘Telekom Srbija’ është një kërcënim serioz, duke i pasur parasysh edhe vet raportet që i kemi me Serbinë. Sistemi i komunikimit kur shkon përmes Serbisë, edhe sistemi i përgjimit, paraqet ndjeshmëri të madhe për sigurinë e Kosovës. Nëse ka tendenca nga Serbia për blerje janë qëllimkëqija dhe prekin edhe aspektin e sigurisë personale dhe nacionale”, thotë ai për KosovaPress.

Edhe eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, e vlerëson si një kërcënim serioz një ofertë të tillë nga ana e Serbisë.

“Në cfarëdo rasti nëse do te kishim situatën hipotetike ku Telekom Srbija do të kishte qasje në të dhëna, të cilat janë mjaft të ndjeshme për qytetarët e Republikës të Kosovës, kjo do të thoshte një sfidë e sigurisë në këtë drejtim dhe po e themi kushtimisht të privatësisë… Në këto rrethana momentale në të cilat jemi, ku Serbia ende nuk e njeh Republikën e Kosovës, do të ishte e rrezikshme sepse ato të dhëna në cdo rast edhe mund të përdoren”, thekson Hoxhaj.

E lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sipas tij, Serbisë nuk do të duhej t’i jepej mundësia për një ofertë të tillë.

“Hell no!

Telekom Srbija paska dhënë oferten më të lartë për ta blerë Ipkon. Më kujtohet kur para dy vitesh Banka Qendrore e Serbise bllokoi blerjen e Telenor Bankes në Serbi nga shqiptari Elvin Guri.

As oferta nuk do të duhej të lejohej.

Së pari njohja, por edhe në rast njohjeje, asetet e ndieshme duhet të jenë diskutim i sigurisë kombëtare.

Ipko duhet ta bëjë të qartë këtë sa më herët!

E Qeveria sa më shpejtë të deklarohet bashkë me ARC”, ka shkruar ai në murin e tij në facebook.

Kategoritë
LajmeVendi