Telekomi pranë falimentimit, deputetët akuzojnë rënd njëri tjetrin…

Nga një kompani që sillte fitime me qindra miliona euro, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), është shndërruar në një kompani që ka humbje të shumta, aq sa ta çojnë në buzë të falimentimit. Pikërisht për këtë shkak, seanca e jashtëzakonshme e sotme u shndërrua në një arenë akuzash të ndërsjella ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës – shkruan Gazeta e Re.

Askush më mirë se sa deputeti Bilall Sherifi, nuk e artikuloi krizën e thellë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). “Urtësia kineze e tij” e ilustron në mënyrë të shkëlqyeshme gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ky institucion.

“Është një dënim i vjetër kinez me vdekje, që quhet vdekja me njëmijë prerja. I dënuari ekspozohet në publik dhe për çdo ditë i bëhet nga një prerje. Andaj a ka qenë më e rrezikshme prerja e quajtur Devolli, a Cactuas a punësim? Nëse ndalemi te historia se si erdhi Telekomi në këtë shkallë, ne do të mbesim duke vajtuar dhe duke u përplasur me njëri tjetrin se cila ishte më vdekjeprurëse” – tha ai.

Megjithëse, edhe partia e tij nuk është hiç më e pastër – të paktën bazuar në akuzat e bëra publike për punësime mbi baza nepotiste jo vetëm në PTK, ai tha që secili e “ka shkaktuar nga një prerje” e cila e ka çuar këtë institucion buzë falimentimit dhe kjo duhet të hetohet.

Më i gjatë, ndërkaq, qe debati ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje!; dhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca, në fjalimin e tij, ndër të tjera tha që: “Telekomi është në buzë të falimentimit. Ky është një shkatërrim i qëllimshëm dhe një skenar me paramendim. Anëtarët e këtij krimi janë akterët e shtetit. Protagonisti kryesor në pushtet ishte Hashim Thaçi, akterët kryesorë të Telekomit ishin Shyqëri Haxha dhe Rexhë Xhombalaj, biznismenët janë grupi devolli, ndërsa partia orkestruese e kësaj pune është PDK-ja e Kadri Veselit. Fillimisht në Telekom ka qenë një praktikë e punësimeve pa kriter. Telekomi ka shërbyer si parajsa e tenderëve të majm. Pushtetarët kanë vendosur edhe në cilat oborre të vendosen antenat e Telekomit për marrjen e qirasë.”

Më tutje ai theksoi faktin që nga një kompani e suksesshme e cila vetëm para 10 viteve, Kosovës i sillte të hyra qindra miliona euro brenda vitit, ajo është zhytur thellë në borxhe.

“Ajo që përbën kulmin e së keqes është kontrata e Telekomit dhe “Darda Phone”. “Darda Phone” pa asnjë cent investime ka profit 73 për qind. Një operatori privat i falen qindra miliona euro të qytetarëve të Kosovës. Prokuroria pretendon se Telekomi është dëmtuar 200 milionë euro nga një kontratë e tillë. Në çdo vend të botës për një kontratë të tillë dënohet me burgim” u shpreh Konjufca, duke kërkuar nga kryeministri që të ndërpritet menjëherë kontrata me Z-Mobile.

Si kundërpërgjigje Kryeministri Ramush Haradinaj tha që: “Sa i përket kontratës me z-mobile, për të ju shmangur një arbitrazhi të dytë i cili do të shkaktonte humbje, është krijuar një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë, e që e ka fatin deri në korrik 2019. Siç parashihet në kontratë, jemi në proces të negociatave me Z-mobile për të bërë analizën e kontratës. Pas këtyre proceseve ne mund të marrim vendim për tërheqjen nga kjo kontratë”.

Edhe deputeti Memli Krasniqi, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, nuk qëndroi duarkryq përball akuzave.

“Problemet e Telekomit kanë filluar prej para 15 viteve. Unë jam për të bërë verifikim për të gjitha, por kjo është punë e komisionit hetimor. Është një komision hetimor parlamentar që e ka filluar punën pikërisht për të dalë me një raport që do t’i jepte një përgjigje të gjitha hamendshmeve dhe akuzimeve”.  Sipas tij, në dështimin e PTK-së kanë hise shumë parti, e ndër to edhe LDK.

Shumë deputetë vunë theksin te kontratat e dyshimta dhe arbitrazhet ndërkombëtare, të cilat PTK-së i kanë kushtuar shumë. Ndër ta edhe Albin Kurti i cili tha që: “Kontrata e Telekomit me Dardafone dhe Dardafone.net si dhe ajo me Z Mobile është krim i organizuar, si dhe faktor kryesor i krizës aty.  Z Mobile ia plaçkitë mbi çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Prapa Z Mobile qëndron presidenti Thaçi”.

Më i ashpri në diskutime ka qenë deputeti i Milaim Zeka i cili në fjalimin e tij përmendi edhe emra:

“E  para, po e filloj me fjalimin e Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! kur në fillim të fjalës së tij paraqiti akuza të rana edhe shumë me ven ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, por e harroi me qëllim dhe e injoroi qëllimisht kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me bo nji gja të tillë para qytetarëve të Kosovës është si me thanë: Këto ditë s’e kemi pa arushën e Prizrenit!” – sipas tij, krimet më të mëdha ekonomike në këtë vend i kanë bërë PDK-ja në bashkëpunim me LDK-në. Ai madje edhe përmendi edhe emra.

Krimi në PTK ka filluar në kohën e LDK-së, sipas tij, “me zotin Ilir Salihu. Ai e ka fillu krejt këtë marre. Pastaj marre të tjera me epror Rrustemin; pastaj me Adnan Merovcin, me Shyqri Haxhën, me Ejup Qerimin, dhe vorrimin përfundimtar të Postës dhe Telekomit të Kosovës ia ka ba banditi, krimineli, Agron Mustafa”.

Përfundimisht seanca u mbyll pa ndonjë rezultat konkret, pas një debati të gjatë e shterues, nën premtimet e vazhdueshme të kryeministrit se hetimi i çështjes së kontratës, do të vazhdojë deri në fund, pavarësisht gjithçkaje. Ndërkaq rezoluta e propozuar nga opozitan, nuk ka arritur që të kalohet në votim, për mungesë të kuorumit./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet