Të udhëtosh nga Prishtina në Tiranë për të vjedhur libra

Ditët kur u hap për qarkullim ‘Rruga e Kombit‘, tregohej një barsoletë e cila tingëllon gjithmonë interesante nëse ndodhesh pranë kufirit shqiptaro-shqiptar. Rrëfehej se si një burrë nga Prizreni pasi vendos që ta shes shtëpinë, i shkon nëpër mend një ide gjeniale. Në reklamë, pas të dhënave kryesore, e shkruan edhe këtë fjali: << Shtëpia ndodhet vetëm dy orë larg nga plazhi!>>. Pikërisht këtë barsoletë e tregoi njëri prej bashkudhëtarëve, kur ne po e kalonim kufirin. Njëmend, rruga të duket e shkurtër, sidomos nëse ke fatin që për bashkudhëtar ta kesh ndonjë njeri të bisedës…dhe ne e kishim.

Të nesërmen, me mëngjes, përpara se ta lironim hotelin, patëm kohë t’i shfletonim gazetat. Të përditshmet që botohen në Tiranë, jepnin një pasqyrë të zbehtë mbi ngjarjen, duke na paralajmëruar që libri, ende ishte larg qendrës së vëmendjes. Botuesit ankoheshin për situatën e pavolitshme në të cilën ndodheshin, pa çka që ministria e kulturës prej kohësh i kishte paraprirë panairit me një fushatë e cila dukej qartë që nuk kishte pasur ndonjë efekt të madh. Në ambientet e Pallatit të Kongreseve fushatat #Takohemipernjeliber dhe #Tiranalexon etj, të mbështetura fuqishëm nga vet Ministrja Mirela Kumbaro Furxhi, reflektonin zbehtë. Pak vizitorë.

Panairi, i 20-ti me radhë, nisi më 15 nëntor dhe do të zgjatë deri më 19 nëntor. Mbi njëqind shtëpi botuese e institucione të tjera relevante nga viset shqiptare, në mëngjesin e 15 nëntorit, kishin vënë para lexuesve tituj të ndryshëm librash me çmime, sipas tyre, të leverdishme. Që në ditën e parë, disa nga shtëpitë, kishin zbritje deri në 20%, një tregues që në sy të parë s’tregon gjë tjetër pos që botuesit po bënin luftë për mbijetesë.

Kreu i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri u shpreh para medieve se kjo krizë ka bërë që tirazhi i librave të shtypur të bie nga 500 në 200 kopje. <<…kjo nuk ka ndodhur kurrë deri tani>> – tha ndër të tjera ai. Pjesa më e madhe e shtëpive botuese, 97 sosh, ishin nga Shqipëria ndërsa 20 prej tyre vinin nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Kur bëhet fjalë për çmimet, ky është një shqetësim që përsëritet për çdo vit. Disa mendojnë se çmimet e larta vazhdojnë të ndikojnë te lexuesi. Këtë mendim e ndau edhe Kreu i SHBSH Ymeri. Ai u justifikua duke thënë se këto lidhen me taksën e lartë mbi librin, duke e kritikuar qeverinë se ajo ende nuk po jep asnjë shenjë për uljen e saj, ani pse në vendet e Evropës, sipas tij, ato variojnë nga 4-6%, ndërsa në Shqipëri është 20%.

Sikurse në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, “vrasëset” më të mëdha të librit mbeten institucionet. Është absurde por e vërtetë, ndonjëherë mungon edhe një urë komunikimi ndërmjet institucioneve dhe botuesve. Botuesi dhe kryeredaktori i revistës letrare ‘Illz’ Rexhep Shahu, tregoi se me ç’vështirësi kanë arritur që t’i nxjerrin numrat e parë të kësaj reviste, e cila nuk do ta shihte dritën e botimit, sikur të mos gjente një mbështetje vullnetare te disa dashamirës të librit. Por, me sa kisha informacion, në situatë të sikletshme nuk ndodhej vetëm ‘Illz’, por edhe ‘Pasqyra e t’rrëfyemit’, një tjetër revistë letrare me pretendime të larta. Shqipëria, ndoshta kishte marr mësim nga Kosova, institucionet e së cilës, duke mos i mbështetur botuesit dhe rrjedhimisht edhe shkrimtarët, kishte bërë që të “vdisnin” revista si: Verbi, Kalendari Letrar, Oaza etj, ndërsa Jeta e Re, revista më jetëgjate kulturore – letrare, të arrijë të dalë vetëm disa numra brenda vitit. Pra edhe në Shqipëri, të shtypura më nuk i gjen të mirënjohurat si Epër7tshme ose Ars…

<<Ne ende jemi në epokën e letërsisë gojore, thotë një mik!>> më tha shkrimtari Bajram Sefaj, me të cilin pata nderin të “shterrja” disa orë bisedë diku në shëtitoret dhe kafiteritë e Tiranës. Ndonëse nuk pajtohej me disa tendenca të shfaqura kulturore që hetohen te brezat e ri të autorëve këndej e andej kufirit, ai shprehu mendimin se këta të fundit kanë dhënë prova të qarta që janë më origjinalë, e për rrjedhojë, e meritojnë përkrahen. Sipas tij, nuk ka arsye që ata të mos mbështeten.

Kështu iku një natë dhe një ditë në Tiranë. Miku im Uran Maxharri, një lexues i pasionuar, teksa po ktheheshim në hotel, e impresionoi taksistin, kur i tregoi që i kishte blerë afër 40 tituj. Atë e shoqëronte vëllai i tij Artani, i cili, po ashtu, nuk kishte mbetur duarzbrazur. Ne e plakëm një natë e një ditë në Tiranë. Në Tiranën me rrugët e reja me trafik të ngarkuar. Në  Tiranën me sheshin qendror të ndryshuar. Në Tiranën  me shumë banorë, por çuditërisht me pak lexuesë. Ne, katër hajdutët e librave nga Kosova. /ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
KulturëLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet