Të mbijetosh si piktor në Kosovë

Pikturat janë një mënyrë e veçantë e të shprehurit, shprehësi kjo, e cila vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njerëzit. Vlerësimi i pikturave ndryshon varësisht prej vendit dhe kulturës së atij vendi. Edhe në Kosovë jo të gjithë japin vlerësime të njëjta për të. Disa piktorë mendojnë se në vendin tonë piktura nuk vlerësohet mjaftueshëm, ndërsa ka prej tyre që thonë se kjo gjendje e vlerësimit të pikturës nuk është vetëm në Kosovë. Përpos vlerësimit, shumica e piktorëve në Kosovën kanë problem me shitjen e pikturave pasi që sasia e shitjes së tyre nuk është e mjaftueshme.

Piktorja Zake Prelvukaj, mendon se edhe në Kosovë piktura vlerësohet si në vendet tjera të botës, ndërsa sa i përket shitjes së tyre Prelvukaj mendon sasia e shitjeve nuk është e kënaqshme.
“Edhe në Kosovë vlerësohet piktura sipas njerëzve që i duan, i shijojnë, si çdo kund në botë. Gjithkush nuk ka adhurues. Edhe te ne ka që i adhurojnë pikturat, koncertin e pikturave, teknologjinë. Ndërsa, sasia e shitjes nuk është e kënaqshme por gjithkund është krizë dhe varet prej individi sa shet. Unë jam e kënaqur, mirëpo nuk shes shpesh qysh mendojnë njerëzit sepse unë i përzgjedh pikturat të cilat i shes”, është shprehur Prelvukaj duke theksuar se ajo është më e interesuar për t’i ekspozuar ato sesa për t’i shitur.

Ndërsa, piktori Bedri Kadriu mendon se vlerësimi i pikturës në vendin tonë është jo i mirë. Si fajtor për këtë ai e sheh mungesën e informatës për artet pamore.

“Arsyeja e vlerësimit jo të mirë të pikturës në Kosovë mendoj që është mungesa e informatave rreth arteve pamore, mendoj që mediat luajnë rol shumë të rëndësishëm për promovimin e artit në Kosovë konkretisht pikturës. Ndërsa, sa i përket çmimit të pikturës për Kosovë nuk mund të japim një vlerësim të saktë pasi që tregu në Kosovë është shumë i çrregulluar, për artin kemi shumicën e shitjeve të pikturës keq të importuar nga vendet tjera që vlerësohet si biznes i zakonshëm i dekorit. Mirëpo, nëse flasim për pikturën e mirëfilltë nga autorët e brendshëm mund të themi se shitja është minimale”, tha Kadriu i cili përveç të tjerave shtoi se standardi i ekonomisë në vend nuk është në përputhje me standardin e pikturës si krijimtari shpirtërore.

Se standardi ekonomik ndikon në shitjen e pikturave, kjo s’diskutohet, kështu madje mendon edhe piktori tjetër Valdrin Seniku. As ai nuk është i kënaqur me shitjen e pikturave të tij.

“Sipas mendimit tim piktura nuk vlerësohet edhe aq në Kosovë, arsyet janë të ndryshme duke filluar nga gjendja ekonomike e sociale ose mos njohuria për vlerat e artit. Personalisht kam oferta po jo aq kënaqshëm, ato oferta vijnë zakonisht nga të pasurit dhe gurbetqarët”, është shprehu Seniku.

Kurse, piktorja Dije Bllaca thotë se piktura vlerësohet kryesisht prej profesionistëve dhe se një artist në Kosovë për të mbijetuar duhet të ketë edhe një punë të dytë.

“Në Kosovë si duket nuk është koha e vlerave, jemi të mundur nga antivlerat, pra edhe piktura nuk mund të themi se ka ndonjë vlerë, ajo vlerësohet prej profesionistëve artistëve në përgjithësi, te një rreth i ngushte, por jo edhe prej masës së gjerë. Të jesh artist i pavarur në Kosovë është e vështirë, do të thotë të jetosh vetëm prej pikturës është e pamundur çdoherë artisti duhet të ketë një punë të dytë. Kjo na tregon më së miri sa shitet arti në Kosovë,” tha Bllaca e cila veç të tjerash tha se, pikturat që zakonisht kërkohen nga artdashësit janë peizazhe, natyra të qeta, portrete, pra kryesisht piktura me motive tradicionale.

Edhe dyqanet që merren ekskluzivisht me shitjen e pikturave, u ankuan për shitje të pakta të pikturave. Kornizadesing dhe Galeria Figura, dyqane që veprojnë në kryeqytet, nuk kanë shitje të mëdha. Në to, veç ekspozimit të figurave, bëhet edhe përgatitja e tyre me korniza. Turkan Zaimi punëtor nga Kornizadesing thotë që, ka koleksionistë prej të cilëve përfitojnë më së shumti. Nga ana tjetër Bujar Bicaj nga Galeria Figura, përmendi se piktura më e shtrenjtë që e ka shitur ky dyqan ka kapur vlerën 500 euro.

Nga e gjithë kjo mund të vijmë në një përfundim se Kosova, nuk është dashamirëse e piktorëve. Të mbijetosh si piktor në Kosovë, është një sfidë e vërtetë./Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëTema e Ditës

Të ngjajshmet