Të dashur shokë, kapitalizmi është i bërë nga “bytes”

Më shumë se tek mallrat, më shumë se tek paratë apo financa, vlera e vërtetë sot qëndron tek dokumentat që qarkullojnë në rrjet. Dhe kjo sepse çdo lëvizje e jona lë gjurmë në rrjet, të cilat pasurojnë ata që dijnë t’i shfrytëzojnë

Shkruan: Maurizio Ferraris

Kur isha fëmijë, zakoni ishte të shpallej shembja e radhës e Kapitalizmit nën peshën e kontradiktave të veta, dhe ngjitjes së afërt të Komunizmit. Ishte mesianik dhe pak i mërzitshëm, dhe veç të tjerash autorizonte qeveri të djathta që do të na shpëtonin nga bolshevikët.

Pas 1989 ndryshoi: Kapitalizmi ka fituar dhe ai do të sillte suksese njërin pas tjetrit (pozicion irritues sepse supozon një Kapital shumë inteligjent dhe një Komunizëm shumë budalla).

Situata ishte bërë e mundur, sado paradoksale që të duket, nga një gabim filozofik: në dallim me Hegelin, Marksi kishte parë tek kontradikta motorrin e historisë, ndaj pritej që Kapitali do të shembej nën peshën e kontradiktave të veta, duke i lënë vend Komunizmit. Miqtë e Kapitalit janë argëtuar duke kundërshtuar se ato kontradikta nuk ndodhën, por nuk shihnin që kapitali i ri realizonte komunizmin (janë të justifikuar, duke qenë se as edhe miqtë e komunizmit nuk e kanë vënë re këtë rrethanë).

Në botën sociale po del në sipërfaqe një makro-objekt i ri, pothuaj një botë e re, që ndoshta do të shembë gjithë të tjerat. Bëhet fjalë për kapitalin dokumedial, një kapital i ri më i pasur se ai financiar, që do të ketë një impakt të paprecedentë në krijimin e vlerës, në marrëdhëniet sociale dhe në organizimin e jetës së njerëzve. Edhe pse ende sot më shumë se një qenie njerëzore në dy nuk zotëron një celular, është domethënëse të vëresh se numri i pajisjeve të lidhura është 23 miliard: më shumë se trefishi i popullsisë së botës.

Kjo ndërlidhje, përditë, prodhon një numër objektesh shoqërisht të rëndësishëm, më të madh se sa prodhojnë gjithë fabrikat e botës: një sasi shumë të madhe aktesh, transaksionesh dhe gjurmësh të kodifikuara në 2.5 kuintilionë byte. Këto dokumente mund të jenë të dobët, ose regjistrime faktesh (filani ndodhej në filan orë, në filan vend: e thotë celulari i tij), dhe të fortë, ose regjistrime aktesh: Filani ka postuar një koment në një rrjet social, Filani ka blerë një biletë, Filani ka lunduar në rrjet përmes një motorri kërkimi. Dokumentat e dobët dhe dokumentat e fortë përbëjnë kapitalin e vërtetë të shekullit XXI, shumë më i fuqishëm se kapitali industrial, që kufizohet në prodhimin e mallrave, që tani në një pjesë të madhe prodhohen nga robotë, apo se kapitali financiar, që na jep vetëm atë që paraja mund të na japë, ose jo shumë dhe gjithësesi jo gjithçka. Në rastin e kapitalit dokumedial kemi qasje në informacione të shumta, të sigurta dhe në shumë raste në gjendje të na shpien deri tek detajet e individit, që nuk kanë të bëjnë vetëm me pasurinë, por sjelljet, interesat, besimet dhe shpresat e qenieve njerëzore.

Nuk është për t’u habitur pra që në kapitalin dokumedial vihet re një tranzicion i mbushur me pasoja, nga mallrat tek dokumentat.

Ky transformim shkon në dy drejtime. Nga njëra anë, mallrat prodhohen si dokumente, ose mënyra që, ashtu si me printimin 3D, bëjnë të luhatet dallimi mes punës intelektuale dhe punës së dorës, duke parë që ndërfaqja që i shërben punëtorit është makina universale, domethënë kompjuteri.

Tani ia vlen të vërehet se një prej karakteristikave të pagabueshme të shoqërisë komuniste është për Marksin, fakti që nuk ka më dallim mes punës intelektuale dhe punës së dorës. Dhe nëse ishte shumë e lehtë të thoje se kush punonte në një zinxhir montimi po kryente një punë dore, është shumë më e vështirë të thuhet se ajo e atij që punon me printer 3D është një punë dore, gjithmonë nëse nuk quajmë manuale edhe atë që po bëj në këtë moment, pra që po shtyp tastat e kompjuterit.

Shuhet pra një prej karakteristikave dalluese të botës borgjeze, ajo mes jakëbluve dhe jakëbardhëve. Por kjo është një rrethanë sociologjikisht jo shumë me peshë, duke qenë se numri i atyre që punojnë me printera 3D do jetë gjithësesi qesharak në krahasim me numrin e punëtorëve në zinxhirin e montimit.

Shumë më interesant është një tjetër aspekt, ose rrethana në të cilën jo vetëm mallrat prodhohen me instrumenta që tradicionalisht përdoreshin për të prodhuar dokumenta, por – dhe kjo është pika themelore – mallrat më të kërkuara bëhen dokumentat, që janë shumë më të rëndësishme se sa ai mall tradicionalisiht shumë i kërkuar që është paraja.

Si rezultat: mallrat tradicionale shpesh ofrohen falas ose me çmime shumë të ulëta, vetëm e vetëm që në këmbim, kush blen të lërë të dhënat e tij. Të dhëna që vlejnë shumë më tepër se paraja sepse na flasin jo për atë që ka, por për atë që është, për besimet, dobësitë, shpresat e tij.

Kjo rrethanë, më shumë se një kontradiktë në brendësi të Kapitalit, që heq dorë nga akumulimi i parasë për t’i dhënë vlerë njohjes së njerëzve, është praktikisht zbulimi, si i natyrës së parasë (që është në thelb një instrument informacioni, në këtë rast i aftësisë sonë paguese), ashtu edhe zbulim i mallrave. Në ç’kuptim?

Thjeshtë ai që për Marksin përbënte misterin e mallrave, faktin që ishin një marrëdhënie mes njerëzve që ngurtësohet dhe fshihet në një objekt, dhe tani na zbulohet krejt, duke qenë se dokumenti është një marrëdhënie mes njerëzve. Dhe sot çdo lëvizje e jona, duke qenë se ndodh në internet, lë gjurmë dhe prodhon dokumenta (domethënë vlerë dhe pasuri për ata që dijnë t’i përdorin).

Prandaj nuk ka më mister: sot është e qartë si drita e diellit se, arkivi që e quajmë Rrjet vlen, për shkak se përmban dokumenta që janë pafundësisht më të pasur se sa monedha, për shkak se përmbajnë gjurmë të çdo akti të njerëzimit, një Bibliotekë e Babelit që algoritmet e transformojnë në një burim parashikimesh dhe dijesh të botës sociale. Dhe prej këtu një pasojë që meriton reflektim.

Neoliberizmi ka gabuar, por gabimi i tij nuk ishte që e konsideroi kapitalin si thelbësor. Por në faktin që mendoi se kapitali është kapitali financiar, me qëllim fitimin, në një kohë është shumë më tepër se kaq. Pikërisht ashtu si kishte gabuar marksizmi kur mendonte se kapitali ishte prodhim mallrash dhe pune, në një kohë që është shumë më tepër se kaq.

Kapitali është forma esenciale e kulturës njerëzore, domethënë edhe e natyrës njerëzore (nuk ka natyrë njerëzore jashtë kulturës), sepse është gjendja e mundësive të teknikës dhe objekteve sociale: pa arkiv, domethënë pa kapital, nuk do të jemi të lirë nga skllavëria e parasë, por do të jemi “pa familje, pa djep, pa vatër”, për të huazuar imazhin e turpit sipas Homerit.

Revolucioni dokumedial e ka shtyrë në skaje atë dokument të varfër që është paraja: paraja, që përfaqësonte në mënyrë të paplotë arkivin, është zëvendësuar nga vetë arkivi si i tillë.

Kështu, kapitali dokumedial mund të paraqitet në formën e një dërrase të zezë universale, ku janë të shënuara të gjitha aktet sociale në formë të pashlyeshme dhe të aksesueshme nga i gjithë njerëzimi. /la repubblica – bota.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet