Taksisti shqiptar i frymëzuar nga Elvis Presley, i jep ngjyrë rrugëve të Tiranës me stilin e tij

Një artist dhe taksist unik, Arjan Kumrija, 57-vjeç, nga Tirana, nuk shkëputet nga imazhi dhe këngët e ikonës botërore të muzikës Elvis Presley, si në taksinë e tij që i ngjan një “mini muzeu”, ashtu edhe në jetën e përditshme.

Arjan Kumrija, një taksist 57-vjeçar në Tiranë, i jep ngjyrë rrugëve të kryeqytetit të Shqipërisë me stilin e tij si të muzikantit të njohur Elvis Presley.

Dëshira për të vazhduar traditën familjare muzikore dhe më pas pasioni për muzikën e shtynë taksistin nga Shqipëria të krijonte një taksi me imazhin e ikonës botërore të muzikës Elvis Presley.

Një artist dhe taksist unik, Kumrija, nuk shkëputet nga imazhi dhe këngët e Presley-t, si në taksinë e tij që i ngjan një “mini muzeu”, ashtu edhe në jetën e përditshme.

Ai e ka transformuar taksinë e tij “Taxi Elvis Albania”, duke e mbushur me foto, disqe muzikore, syze dhe parfume me portretin dhe fotografitë e “Mbretit të Rock and Roll-it”.

– Nga mësues i fizkulturës në taksist

Kumrija, ish-mësues i fizkulturës, tregon për Anadolu se punon taksist prej 15 vitesh dhe rreth gjashtë vite që punon me taksinë e tij me imazhin e Elvis Presley-t.

Një udhëtim me taksinë e veçantë në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë të çon në “botën e ikonës Elvis Presley”, ndërkohë, Kumrija, teksa punon me klientët e tij, këndon dhe muzika është e pandashme në profesionin e tij.

Taksisti artist tregon se muzika ka qenë prezente që në fëmijërinë dhe në rininë e tij në ambientin familjar, dhe gjeni muzikor i tij rrjedh po nga familja e tij, e trashëguar ndër vite.

Babai i tri vajzave të cilat edhe këndojnë, rrëfen mes emocionesh se ka realizuar një ëndërr që e ka pasur prej vitesh, ndërkohë që edhe qytetarët dhe turistët që vizitojnë Tiranën e shikojnë me kureshtje taksinë e tij të veçantë.

“Po rritesha edhe unë bashkë muzikën. Ajo që bie në sy tek pasioni që unë kam rreth muzikës është mënyra se si kanë evoluar kohërat, kanë evoluar nga një rrymë muzikore e origjinës familjare (popullore) në muzikën e Rock and Roll të Elvis Presley-t, e cila mund të themi që është dhe një muzikë popullore për gjithë botën”, tha Kumrija.

Ai thekson se “Elvisi mund të them se është një magji. Kudo që e dëgjojnë dhe kudo ku e shikojnë, të tërheq, të ‘rrëmben’ rreth vetes, jo vetëm për nga bukuria, por dhe nga mënyra e të kënduarit”.

– “Në sistemin diktatorial i mbaja fshehurazi fotot e Elvisit”

Ai shprehet se krijimi i një taksie të tillë unike i ka ardhur si ide shumë natyrshëm dhe e konsideron si një “një dhuratë nga Zoti” dhe realizim të ëndrrës dhe pasionit të tij.

“Në sistemin diktatorial, muzika Rock and Roll ka qenë shumë e ndaluar dhe unë i mbaja fshehurazi fotot e Elvisit. Në pamundësi për të realizuar një ‘lokal të Elvis Presley-t’, thashë po realizoj taksinë time. Unë ndihem shumë i plotë, sepse ajo ëndrra ime që ka qenë dikur në sirtar sot ka dalë dhe po bën xhiro jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në gjithë botën”, tha ai.

Kumrija tregon se përveç vendasve interes dhe kureshtje tregojnë edhe turistët e huaj.

“Ashtu si shqiptarët, kam dhe klientë të huaj. Të huajt janë edhe më të ndjeshëm ndaj muzikës së Elvis Presley-t dhe kanë dalë të kënaqur nga makina ime dhe (janë) nga e gjithë bota, nga Italia, Greqia, Gjermania, Turqia, Amerika, Anglia dhe nga vendet e Ballkanit. Njerëzit dalin të kënaqur nga taksia ime e cila është një dhe nuk është dy, ashtu sikurse edhe Elvis Presley është një dhe nuk janë dy”, tha ai.

Kumrija ka realizuar në shqip një pjesë të këngëve të Elvis Presley-t dhe dëshiron që t’i realizojë në shqip të gjitha këngët e ikonës botërore të muzikës.

– Presley ndërroi jetë në moshën 42-vjeçare

I lindur më 8 janar 1935, në Tupelo, Misisipi të SHBA-së, muzikanti legjendar amerikan Presley, i njohur si “Mbreti i Rock ‘n’ Roll-it”, e ka shkruar emrin e tij me shkronja të arta në historinë e muzikës si një nga muzikantët më me ndikim të shekullit të 20-të.

Duke tërhequr vëmendjen me incizimin e tij të parë, “That’s All Right”, në vitin 1954, Presley arriti një njohje të paharrueshme ndërkombëtare me këngë të tilla si “Heartbreak Hotel”, “Hound Dog”, “Jailhouse Rock” dhe “Love Me Tender”.

Presley, i cili luajti në më shumë se 30 filma përveç suksesit të tij muzikor, vdiq në moshën 42-vjeçare më 16 gusht 1977, në pronën e tij të famshme Graceland në Memphis.

Kategoritë
Kulturë