Taksa dhe takimi i 29 prillit në Berlin

Në prag të takimit të Berlinit, i cili do të mbahet me 29-tin e këtij muaji, edhe njëherë në qendër të vëmendjes është kthyer çështja e taksës 100% së vënë për produktet serbe e boshnjake. Ekspertët kanë interpretuar të dhënat, duke shpjeguar efektet e drejtpërdrejta të këtij vendimi dhe duke parashikuar se ç’do të ndodh nëse merret ndonjë vendim për shfuqizimin e saj – shkruan Gazeta e Re.

Agjencia e Statistikave e Kosovës, ka nxjerr të dhëna sipas së cilave ka pasur një deficit tregtar në raport me muajin mars të vitit të kaluar:

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.4% në muajin mars 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 259.6 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 228.9 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin  me 10.2%.”

Po sipas ASK-së, eksporti i mallrave “në muajin mars 2019 kishte vlerën 29.5 milionë Euro, ndërsa importi 289.1 milionë Euro, ku është një rritje prej 11.8% për eksport, si dhe një rritje prej 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.”

Më tutje, sipas raportit, përkatësisht sipas të dhënave të “grupeve kryesore të eksportit: 33.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.2% e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.4% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.4 milionë Euro, ose rreth 42.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 37.0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.3%), Finlanda (7.1%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (2.8%), Italia (2.7%), dhe Sllovenia (2.7).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 145.2 milionë Euro, ose 50.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 37.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.9%), Greqia (6.9%), Italia (4.9%), Sllovenia (3.0%), Bullgaria (2.7%) etj.
Në muajin mars 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.9 milionë Euro, ose 47.3% të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.6%), Maqedonia (14.2%), Mali i Zi (7.1%), dhe Serbia (5.3%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2018, arritën në 43.5 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-34.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (7.3%), Shqipëria (7.0%) dhe Serbia (0.2 %). Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.1 milionë Euro, ose 10.7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.1%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.3 milionë Euro, ose 34.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.4%).”

Megjithatë, përkundër vlerave të reja tregtare që kanë fituar eksporti dhe importi i mallrave nga Kosova, produkte serbe ka ende nëpër dyqanet tona. E Shtyrë nga ky fakt, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu kërkoi sqarim nga Ministri Endrit Shala, duke e pyetur se pse “raftet kurrsesi nuk po zbrazen nga këto produkte serbe, si po hyjnë këto mallra dhe secili është efekti real i taksës 100% ndaj këtyre mallrave?”.

Megjithatë Ministri Shala ka sqaruar situatën duke thënë se:

“Secili produkt ka afat, jemi të vetëdijshëm që masa është vendos në nëntor të vitit 2018, ka produkte në treg të Kosovës të cilat kanë afat më shumë se 1 vjeçar. Me hyrjen në fuqi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, respektivisht nenit për vendosjen e flamurit të origjinës, ne me këtë ligj i kemi ndihmuar qytetarët e Republikës së Kosovës në vetëdijesimin e tij se çfarë produkti po blen, dhe qytetari nuk është duke e konsumuar mallrat nga këto dy shtete. Dhe kjo është arsye pse mallrat janë në rafte”.

Taksa, pa asnjë dilemë, ka stimuluar prodhimin vendor, këtë e pohojnë vet prodhuesit kosovarë, por dilema është nëse ky vendim do të vijë në shprehje edhe pas takimit të Berlinit. Vet disa nga akterët e këtij takimi, veç kanë paralajmëruar për një mundësi të tillë. Siç merret vesh nga lajmet e mediave serbe, Vuçiqi është vënë nën presion nga opinioni publik serb, pasi që ka zëra që thonë se ai ka pranuar ta vazhdojë procesin e bisedimeve, ende pa u largua taksa./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet