Takimi VV-LDK pas kthimit të Kurtit nga Berlini

Takimi i fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, pritej të rezultonte me arritje të marrëveshjes mes dy partive për bashkëqeverisje. Por se një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi palët nuk u morën vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Ndonëse një takim i ri ende nuk është caktuar, pasi Kurti gjendet në Berlin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë e ditur se po presin thirrje nga VV-ja për takimin e radhës.

Zyrtari për media nga VV-ja, Arlind Manxhuka, i ka thënë Koha.net se Kurti e Mustafa janë në kontakt të vazhdueshëm.

“Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti momentalisht është jashtë vendit, por ai mban komunikim me kryetarin Mustafa dhe sa jemi ne dijeni Kurti i ka shkruar së fundi kryetarit të LDK-së”, ka thënë ai.

E një gjë e tillë nuk është mohuar as nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë për Koha.net se po sa Kurti të kthehet nga Berlini dhe momentin që do t’ua lejojë agjenda të dyja palëve, do të mbahet takimi i radhës.

“Kurti dhe Mustafa janë në komunikim të vazhdueshëm, meqenëse Kurti është në Berlin, atëherë takimi mes tyre njëherë nuk është i mundur. Po sa të kthehet dhe po sa t’ua lejon agjenda të dy kryetarëve, ata do të takohen”, ka thënë Mustafa.

Jo zyrtarisht Koha.net ka mësuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të kthehet nga Berlini më së largu nesër.

Kujtojmë se VV e LDK menjëherë pas zgjedhjeve kanë mbajtur takime me grupe punuese për harmonizimin e programit bashkëqeverisës.

Një program i tillë, nga të dyja partitë u tha se u harmonizua pothuajse 100 për qind në të gjitha fushat.

Por gjërat ngecën pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, kur nisën takimet mes liderëve të dy partive, ndonëse Kurti kishte deklaruar se marrëveshja do të arrihet 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

E pika ndarëse mes dy partive duket të jetë pozita e presidentit. Këtë e ka konfirmuar edhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca në një emision në T7.

Ai tha se marrëveshja nuk u arrit sepse Lidhja Demokratike e kushtëzoi atë me pozitën e presidentit.

Ndërkaq anëtari i LDK-së Avdullah Hoti, në Interaktiv të KTV-së, ditë më parë deklaroi se kërkesat e subjektit të tij janë krejtësisht të bazuara.

Ai tha se dallimi në vota mes VV-së e LDK-së është shumë i vogël dhe si rrjedhojë kërkojnë përgjegjësi të barabarta në qeverisje.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet