“Takati” i Thaçit

Mendja e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, nuk është duke punuar për një zgjidhje të shpejt të problemit shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e as për rikthimin e një qetësie në Ballkan. Për këtë është paralajmëruar edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ende po beson në idenë e qërimit të hesapeve, njëherë  e përgjithmonë me Serbinë – shkruan Gazeta e Re.

Edhe presidenti boshnjak Bakir Izetbegoviq, akuzoi së fundi presidentin serb Aleksandër Vuçiq se megjithëse e ka gojën plot me paqe, ai në anën tjetër është duke u armatosur. Hipokrizia e presidentit serb, sipas Izetbegoviqit, vihet në dukje sidomos kur thotë se e do një Bosnje e Hercegovinë unike, a në anën tjetër nuk e kritikon aspak Kryetarin e Republikës Serbe Milorad Dodik, për qëndrimet e tij tejet dekstruktive në raport me boshnjakët. Në një intervistë për portalin Klix, Izetbegoviq ndër të tjera i është referuar edhe fjalimit të presidentit serb të mbajtur në Kosovë,  fjalim në të cilin “Vuçiq ka lavdëruar udhëheqësit e luftës dhe të dënuarit për krime lufte”.  Sipas tij, nuk është në interesin e Serbisë kjo gjendje e satusqosë, por, Vuçiq po vijon ta përdorë një gjuhë të atillë që i qetëson radikalët serbë, në një kohë kur po hetohet se “zgjidhja e nyjës kosovare”, është pranë fundit. E çka është me rëndësi, presidenti boshnjak e sheh të rrezikshme idenë e shkëmbimit të territoreve, sepse sipas tij, kjo do t’ua rriste ambiciet Republikës Serbe në Bosnje për pavarësi, entitetit kroat dhe shumë entiteteve të tjera brenda Ballkanit.

Por nuk është vetëm presidenti boshnjak ai që në mënyrë indirekte ka paralajmëruar Presidentin Thaçi për rrezikun e kësaj ideje. Ekspertë të shumtë dhe njohës të politikave ballkanike, po ashtu kanë thënë që një ndërmarrje e tillë politike, do të mund të ketë efekt zinxhiror në tërë rajonin.

Studiuesi dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan Murat M. Aliu për Gazeta e Re e ka komentuar këtë ide, duke u pajtuar me të gjithë ata që e kanë cilësuar si të rrezikshme idenë e shkëmbimit.

“Realisht mendoj se nuk është korrekte nga ana e atyre të cilët e hodhën në opinion këtë ide, përkatësisht, nuk ishte korrekte nga ana e presidentit Thaçi. Kjo sepse “korrigjimi i kufijve” është një shprehje relative dhe opinioni nuk e ka të qartë se për çka saktë po bisedohet. Askush nuk e di se çka do të jepet e çka do të merret. Sidoqoftë, për mendimin tim, po qe se në fund del të jetë një lojë politike, do të ishte mjaft amatoreske nga ana e presidentit të Kosovës të bëjë të tilla gjëra me çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe popullin e saj, por edhe për gjithë Ballkanin” – është shprehur Aliu.

Ai ka vijuar duke thënë se  nëse shihet çështja nga konteksti ballkanik, sërish ideja del të jetë problematike meqë “Kosova, rrezikon të humbë një pjesë të territorit të saj, gjë të cilën askush nuk e dëshiron. Pastaj edhe për faktin se ky hap mundë e çelë “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, duke krijuar domino efekt edhe në disa shtete tjera Ballkanike. Në një situatë të tillë, shqiptarët dhe Ballkani do të ishin rikthyer në konstelacionet politike të viteve 90-ta dhe gjithçka do duhej filluar nga e para” – ka përfunduar ai.

Por presidenti duket që është ndërgjegjësuar për sa i përket rrezikut. Në një editorial që u komentua gjerë e gjatë këto ditë, ai ndër të tjera tha që të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë ide, duhet të radhiten me skeptikët  meqë kjo marrëveshje “paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolet me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdorej në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë.”

Por ai nuk ka paralajmëruar ndonjë datë eventuale, kur ky proces do të finalizohet. Fundi i epokës “do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruar presidenti. Duket që ai, edhe për një kohë të gjatë, duhet të orvatet që ta bindë së pari opinionin e gjerë vendor, e sidomos klasën politike, se ka të drejtë për sa i përket idesë së shkëmbimit. Kundër një ideje të tillë është pozicionuar edhe vet kryeministri i vendit Ramush Haradinaj. Ndërsa presidenti, deri më sot, nuk ka pasur më shumë “takat” që t’i bindë të gjithë, se ai, ndryshe nga herët e tjera, ka të drejtë, me të vërtetë ka të drejtë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet