Szijjarto: Do të presin rezultatet e emigracionit për Gruevskit

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se çështja e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski është ligjore dhe politike.

Para gazetarëve në Prishtinë, ai ka thënë se autoritet i emigracionit do të kryejë procedurat e nevojshme lidhur më këtë çështje.

Pas kërkimit nga policia e Maqedonisë me një fletëarrest të lëshuar për një rast korruptiv dhe keqpërdorim të detyrës, ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ditë më parë ka ikur nga Maqedonia.

Ai pastaj u lajmërua nga Budapesti, duke thënë se po kërkon azil politik në Hungari.

Pasi u pyet nga gazetarët, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto tha se do të presin rezultatet e autoriteteve të emigracionit.

Szijjarto: Çështja e Gruevskit është ligjore, jo politike

(Video)

“Unë mund t’iu them një gjë. Merreni këtë si një çështje ligjore,  jo si politike, autoriteti ynë përkatës, autoriteti i emigracionit, do ta kryejë procedurën dhe të shohim rezultatet”, tha ai.

Nikolla Gruevski ishte në kërkim nga policia e Maqedonisë pas fletëarrestit të lëshuar për vuajtjen e dënimit prej 2 vjet burg për keqpërdorim të detyrës dhe një rast korruptiv.

Ish-lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski njihet për lidhjet e tij me kryeministrin hungarez. Viktor Orban, i cili muaj më parë e kishte ftuar për vizitë në Budapest, por kjo u pamundësua për shkak të konfiskimit të pasaportës nga organet gjyqësore.

Ndërkohë që tani nuk dihet se me çfarë pasaporte është arratisur ai.

Eurodeputeti Knut Fleckestein, përmes llogarisë së tij Tëitter ka thënë se autoritetet hungareze nuk do të miratojnë kërkesën e Gruevskit për azil politik.

E partitë opozitare hungareze i kanë bërë thirrje qeverisë që të arrestojë dhe të ekstradojë sa më shpejt ish-kryeministrin, Nikola Gruevski, i cili ka kërkuar azil në Hungari.

Kujtojmë që deputetit Nikolla Gruevski nuk mund t’i ndërpritet mandati pa u siguruar 80 vota në Kuvend.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka thënë se për marrjen e mandatit të Gruevskit, Kuvendi do të votojë pas 6 muajve në rast se konstatohet mungesa e tij e paarsyeshme.

Mundësi tjetër, sipas tij, që me automatizëm të ndërpritet mandati i Gruevskit, është bashkimi i dënimeve për të gjitha veprat për të cilat dënohet e që në total do të rezultonin mbi 5 vite burg.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet