Surroi: Aktakuzat e Speciales i kanë tri dimensione; juridike, politike dhe historike

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi, ka thënë se arrestimet e Gjykatës Speciale i kanë tri dimensione, atë juridik, politik dhe historik.

Sipas tij, këto aspekte në diskursin publik nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën.

“Varet nga cili dimension e shikojmë. I kemi së paku tri që dalin në sipërfaqe. Aspekti i parë është juridik; kemi të bëjë me një gjykim, i cili ashtu siç është ndërtuar hibrid brenda sistemit tonë juridik, do të merret me krimet e supozuara nga raporti i Dick Marty-t, ato që janë konfirmuar, në masë në të cilën janë konfirmuar nga Williamson”.

“Kemi të bëjmë me aspektin politik, pra me mënyrën se si kjo reflektohet jo vetëm në punën e institucioneve, sepse institucionet i kalojnë format e tyre zgjedhore dhe nëse nuk është një president, është një tjetër, nëse nuk është një kryeministër është një tjetër, dhe institucionet si të tilla duhet ta kenë fuqinë regjenerative”.

“Është edhe aspekti i tretë, ballafaqimi me të kaluarën, sepse kemi një koincidencë që kemi një gjykatë e cila fillon punën 20 vjet pas krimeve të supozuara, por 20 vjet më pas kemi të bëjë me distancën historike, pra në shkencat historike 20 vjet janë të nevojshme për të pasur distancën e reflektimit mbi ato që kanë ndodhur”.

“Pra në një formë apo tjetrën, do të kemi ndërhyrje të këtyre aspekteve tek njëra-tjetra, dhe për shoqërinë kosovare është me rëndësi që t’i trajtojë çdo njërën me meritat e veta, pra ajo që është juridike, le të mbetet juridike, ajo që është politike, le të mbetet politike, ajo që ka të bëjë me kujtesën historike, le të mbetet në kujtesën historike”, tha Surroi.

Surroi në Rubikon në Klan Kosova, shtoi se Kosova nuk i ka shfrytëzuar dënimet e serbëve për krime lufte,  siç është rasti i Nikolla Shahinoviq, në negociatat me Serbinë.

“Nëse e shohim Gjykatën e Hagës, kemi një aktgjykim për ndërmarrjen e përbashkët kriminale. E kemi rastin Shahinoviq  i  dënuar në vitin 2009 dhe të vërtetuar dënimi në vitin 2014. Problemi, të cilin ne e kemi në diskursin publik, është si është e mundur që si Kosovë kemi lënë që një aktgjykim nga i cili buron një platformë politike dhe e cila influencon natyrën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë,  të mos jetë shfrytëzuar në procesin e negociatave mes nesh dhe Serbisë”, tha Surroi.

“Në vitin 2009 është dënuar Shahinoviq dhe gjeneralët e tjerë për ndërmarrje të përbashkët kriminale, e cila kishe për qëllim që nëpërmjet spastrimeve etnike, dhunimeve, djegies së xhamive etj, të mbajë Kosovën nën kontrollin e Serbisë. Duke qenë kështu Serbia nuk ka dhënë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë”.

Surroi tha se marrëdhëniet tona me Serbinë duhet të varen edhe nga gjykimi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi