Suad Jetullahi: Ngritja e vetëdijes së qytetarëve, nuk mund të arrihet nëpërmjet një sistemi të degraduar arsimor

Suad Jetullahi është një emër i njohur tashmë për lexuesit. Ndonëse profili i tij, në kuptimin e shkollimit, nuk është i orientuar drejt publicistikës, me stilin e tij të çiltër, ai, megjithatë, i është imponuar asaj. Studimet bazike në fushën e Sociologjisë i ka kryer në vitin 2014, ndërsa nivelin Master më 2017 – në Universitetin ‘Hasan Prishtina’ – në Prishtinë. Po në Prishtinë, në vitin 2017 i ka përfunduar ato në fushën e Shkencave të Politikës.

Sikurse në rastet e tjera, edhe në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai thekson se problemet më të mëdha të shoqërisë ndërlidhen me sistemin e degraduar të arsimit. Sipas tij, pa i rikuperuar dëmet e mëdha të cilat ia kemi shkaktuar këtij sistemi, vështirë që mund të këndellemi si shoqëri.

 GER: Parlamenti i Republikës së Kosovës është bllokuar. Opozita e cila e ka braktisur atë, po i përmend zgjedhjet e parakohshme, ndërkohë që po e cilëson koalicionin aktual qeverisës si të paaftë dhe jo kredibil për t’i udhëhequr proceset politike. Në anën tjetër ajo nuk po ka guxim ta provojë opsionin e të ashtuquajturës votë e mosbesimit kundër qeverisë. Në këtë situatë, ç’zgjedhje duhet kërkuar?

Jetullahi: Parlamenti i Kosovës nuk është se po përballet për herë të parë me një bllokadë të tillë. Madje, mund të themi që deri më tani, më tepër ka qëndruar i bllokuar sesa duke funksionuar normalisht. Kjo për shkak se fillimisht koalicioni i partive në pushtet ka qenë kryekëput i bazuar në interesat e tyre të ngushta, duke anashkaluar kështu tërësisht interesin e përgjithshëm. Më pastaj, sa herë që njërës prej partive të koalicionit nuk i janë përmbushur kërkesat, ka ardhur deri tek sabotazhi dhe kësisoj është bllokuar jeta institucionale. Ky është një nga treguesit e shumtë se sa jostabile është kjo nomenklaturë qeverisëse. Nga ana tjetër, opozita deri më tani nuk ka shfrytëzuar mundësinë legjitime të rrëzimit të kësaj qeverie për shkak se ajo nuk është e bashkuar rreth kësaj ideje. Megjithatë, vlerësoj se ky koalicion qeverisës nuk ka jetë të gjatë dhe brenda pak muajsh opozita do ta shfrytëzoj mundësinë e rrëzimit të tij. Dhe në fakt, kjo rezulton të jetë mundësia e vetme për ndryshim.

 GER: Gjithsesi frika që në pushtet do të “riciklohen”  subjektet e njëjta politike, ka bërë që në opinionin publik të dominojë një skepticizëm i përgjithshëm. Ju a mendoni që zgjedhjet e parakohshme, do të mund të sjellin ndryshime?

Jetullahi: Megjithëse tani për tani zgjedhjet mund të shihen si mundësia e vetme për ndryshim, pritjet tona duhet të jenë shumë modeste. Kjo sepse që nga paslufta, zgjedhjet në Kosovë nuk kanë sjellë në pushtet njerëz të cilët do të angazhoheshin për përmirësimin e jetës së qytetarit. Përveç kësaj, për të qenë gjendja edhe më e pashpresë, pushtetin e kanë shijuar pothuajse pjesa dërrmuese e atyre që sot janë pjesë e skenës politike në vend. Ndërsa ata të cilët deri më tani nuk kanë qenë pjesë e pushtetit janë numër i vogël dhe ndikimi që ata do të mund të kishin në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të një vendi të zaptuar nga cubat në rastin më të mirë do të ishte tejet minimal.

GER: Marrëveshja me Serbinë për çështje të territorit, mund të jetë një tjetër kompromis i dhimbshëm për Kosovën, por ka zëra që thonë se pas kësaj, vendit do t’i çelen dyert e progresit, a duhet ta besojmë këtë “përrallë”?

Jetullahi: Që nga fillimi i plasimit të idesë mbi rishikimin e kufirit me Serbinë e kam konsideruar si alibi të Thaçit për të bërë presion mbi deputetët që të votojnë sa më shpejt krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, gjë e cila nëse do të votohet do të ketë pasoja fatale për funksionimin e mirëfilltë të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e saj. Mirëpo, edhe nëse do të kishim një ndryshim të kufirit me Serbinë, nuk ka kurrfarë garance se Kosovës do t’i hapen dyert e progresit. Si shembuj që e rrëzojnë këtë ide janë “rregullimi” i kufirit me Maqedoninë (më herët) dhe së fundi me Malin e Zi. Sidomos për këtë të fundit janë bërë premtime specifike (liberalizimi i vizave), por që kanë mbetur vetëm fjalë boshe. Prandaj, rishikimin e kufirit me Serbinë (nëse do të ndodh) e konsideroj si një veprim që do të kishte më tepër pasoja destabilizuese sesa progresive.

GER: Në plot artikuj keni trajtuar trendet negative të shoqërisë. Ndër këto më negativet mund ta rendisim edhe korrupsionin, pse ka arritur të shndërrohet në “kulturë” kjo dukuri?

Jetullahi: Se korrupsioni është bërë pjesë e secilit segment të jetës në Kosovë, kjo nuk ka nevojë për ndonjë investigim të thellë ngase tashmë ka arritur nivelet më të larta dhe është një sekret publik për të cilin askush nuk është duke çarë kokën. Fajin kryesor që tek ne funksionon trekëndëshi ajr – ushqim – korrupsion, është tek sistemi i drejtësisë tërësisht i padrejtë dhe jofunksional i cili ka dështuar dhe po dështon në vazhdimësi të dënojë rastet korruptive. Kësisoj, duke mos u dënuar korruptuesit dhe të korruptuarit në mënyrë të tërthortë janë nxitur edhe të tjerët që t’i futen kësaj valleje. Ky virus jo vetëm që është përhapur masivisht, por është përbrendësuar aq shumë sa që sot konsiderohet si diçka e natyrshme dhe e domosdoshme për të arritur qëllimet. Nëse francezi Zhan Zhak Ruso thoshte se të heqësh dorë nga liria do të thotë të heqësh dorë nga cilësia jote si njeri, ‘Rusoi’ ultramodern kosovar (në mënyrë indirekte) thotë se të heqësh dorë nga korrupsioni do të thotë të heqësh dorë nga cilësia jote si njeri. Pra aq shumë është bërë pjesë e pandashme e jetës, sa që konsiderohet si diçka normale dhe vetëm një presion serioz i jashtëm mund ta ndryshojë këtë gjendje.

GER: Sulmet islamofobike, gatishmëria për t’i eliminuar elementet orientale, a ka të bëjë me vetëdijen e ulët, apo ka grupe interesi që investojnë në këtë drejtim?

Jetullahi: Sa i përket kësaj çështjeje, mendoj që kemi një sërë faktorësh që kanë ndikuar për të arritur deri në situatën që kemi sot. Përveç faktit që qarqe të ndryshme shfrytëzojnë fuqinë e tyre ekonomike për të shtyrë përpara një kauzë të tillë duke shfrytëzuar njerëz naivë, rol destruktiv kanë luajtur edhe masat e gjera në mesin e muslimanëve të cilët tani për tani janë pa një ide të qartë për të ardhmen e tyre. Dhe kjo nuk vlen vetëm për vendin tonë, por ka karakter global. Duke qenë se muslimanët janë në këtë gjendje, duhet kërkuar një zgjidhje në mënyrë që të faktorizohen. E faktorizimi nuk do të ndodh pa një rezonim dhe autokritikë të sinqertë, e cila më pastaj mund të sillte frytet e saj. Në të kundërtën, islamofobia do të vazhdoj me ritmin e njëjtë (në mos me ngritje) dhe një një pjesë të fajit për këtë duhet t’ia faturojmë muslimanëve.

GER: Cili në të vërtetë, do të duhej të ishte roli i feve në një shtet laik?

Jetullahi: Laicizmi nënkupton që feja të mos ndërhyj në çështjet që vlerësohen si politike, por në të njëjtën kohë, as shteti nuk duhet të ndërhyj në çështjet që i përkasin fesë. Një rregullim të këtillë (së paku formalisht) ka edhe shteti ynë, por që sikurse në të gjitha dimensionet e jetës institucionale që ka mungesë të praktikimit të asaj që proklamohet, edhe në këtë pikë vërehen padrejtësi në qasjen e shtetit ndaj feve të ndryshme që ekzistojnë në Kosovë. Qasja selektive të shtetit karshi feve natyrisht që e dëmton shtetin laik dhe krijon hapësirë për pakënaqësi dhe probleme të tjera krejtësisht të panevojshme.

GER: Për fund, kush besoni se mund ta rimëkëmbë kulturalisht, ekonomikisht e politikisht vendin?

Jetullahi: Pika fillestare dhe më e qenësishmja është ngritja e vetëdijes së qytetarit. Kjo assesi nuk mund të arrihet me një sistem totalisht të degraduar arsimor sikurse ky i yni, i cili vetëm se është duke e mirëmbajtur degradimin e përgjithshëm shoqëror. Pra, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është krijimi i një sistemi arsimor të mirëfilltë nga i cili dalin gjenerata të përgatitura për t’i bërë ballë të keqes që po na dominon tash e 20 vite pas luftës. Kjo më pastaj do të kishte efekt në ringjalljen kulturore, ekonomike e politike në vend. Por, duke parë praktikat qeveritare kundruall kësaj problematike, nuk ka shpresë se një gjë e tillë do të ndodh, së paku jo në një periudhë të afërt./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet