Studenti zv/ministër i Arsimit, AAK e shkel ‘me të dy këmbët’ marrëveshjen e koalicionit me LDK-në

Driton Bardheci i AAK-së është punësuar dje si zëvendësministër i Arsimit në qeverinë Hoti. Emërimi i tij shkaktoi reagime të mëdha në opinion, pasi që i njëjti më pas doli se ende nuk i ka të kryera studimet. Kësisoj AAK shkeli edhe njëherë marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

Një student i padiplomuar do të jetë zëvendës i ministrit në ministrinë e Arsimit, shkruan lajmi.net.

Driton Bardheci, aktivist i AAK-së së Haradinajt, nuk është përmendur për ndonjë përvojë të mëhershme institucionale, përveç aktiviteteve të tij partiake. Për më tepër, siç edhe u publikua dje në media, ai nuk i ka të kryera as studimet universitare.

Një emërim i tillë, përbën shkelje direkte të marrëveshjes 14-pikëshe të koalicionit të lidhur mes AAK-së  dhe LDK-së më 29 prill.

Pika 9 e marrëveshjes mes dy partive që tani janë në koalicion qeverisës, saktëson dhe specifikon se në pozita të kabinetit qeveritar, duhet të përcaktohen persona të cilët kanë kompetencë të lartë profesionale.

“LDK dhe AAK pajtohen që në kabinetin qeveritar, të caktojnë persona me kompetencë të lartë profesionale, pastërti të figurës, të mos kenë dhe të mos kenë pasur probleme me ligjin, si dhe të kenë vullnet për punë ekipore”, thuhet në pikën 9 të kësaj marrëveshjeje.

Një emërim i tillë në kabinet qeveritar, saktësisht në  pozitën e zv/ministrit të Arsimit, dikaster ky me jashtëzakonisht shumë probleme në Kosovë, përbën shkelje me të dy këmbët të marrëveshjes së 29 prillit mes dy partive.

Kjo pasi që aty specifikohet shumë qartë, se personat e emëruar duhet të kenë kompetencë të lartë profesionale, e që në rastin e Bardhecit një kriter i tillë nuk është përfillur fare nga AAK.

E kjo e fundit nuk është hera e parë që ka shkelur marrëveshjen e arritur me LDK-në. Njëjtë kishte vepruar edhe me emërimin e Meliza Haradinajt si ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Haradinaj-Stublla në tetor të vitit 2019 ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk do të ekzekutohet nëse Haradinaj nuk kryen vepër të re penale në periudhën brenda një viti. Kjo do të thotë se e njëjta nuk e ka kryer ende dënimin e saj.

Një vendim i tillë i gjykatës së shkallës së parë përbën shkelje direkte të së njëjtës pikë të marrëveshjes e cila specifikon se anëtarët e kabinetit qeveritar, nuk duhet të kenë pasur probleme me ligjin në të kaluarën apo gjatë punës së tyre zyrtare.

Kategoritë
LajmeVendi