Stomatologët e papunë protestojnë sërish, kërkojnë të mbahen premtimet ndaj tyre

Me dhjetëra specialistë stomatologë të papunë, për të tetën herë kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar edhe një herë ndryshimin e udhëzimit administrativ, gjë që ishte premtuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Prej orës 10:00 ata janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre, derisa në anën tjetër po presin të takohen me udhëheqësin në detyrë të këtij dikasteri.

Mirjeta Berisha, specialiste e papunë e stomatologjisë, tha se në lidhje me kërkesat e tyre u është premtuar që deri më në fund të majit do të përfundohet gjithçka por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ne kemi protestuar disa herë, në takimet me ministrin kemi pasur premtime se do të bëhet ndryshimi i një udhëzimi administrativ, i cili nuk ka lejuar neve kyçjen në institucione publike shëndetësore, mirëpo nuk kemi ndonjë rezultat. Premtimet kanë qenë që me datën 27 maj do të përfundohen të gjitha procedurat rreth draftit dhe plotësim ndryshimit të këtij udhëzimi, mirëpo nuk ka ndonjë finalizim. Ne kemi ardhur sot që t’i kërkojmë ministrit përgjigjen për atë që na ka premtuar deri më sot. Dhe i vetmi frustrim që na ka sjellë neve sot është se ne kemi kërkuar që në grupin punues rreth këtij udhëzimi në komisionin për këtë udhëzim kemi kërkuar që të jetë një përfaqësues i lëmisë së stomatologjisë, e cila me vite të tëra nuk ka qenë ndonjë përfaqësues që na ka përfaqësuar”, tha Berisha.

Ajo tha se nga ky komision kërkon që të kenë përgjigje dhe qasje në komentet qe janë dhënë në këtë komision. Berisha shtoi se pret nga ministri që të reflektojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre.

“Në bazë të marrëveshjes që kemi bërë dhe i kemi ndërprerë protestat, në fillim të majit ka qenë protesta e fundit që e kemi organizuar, mirëpo nuk kemi ndonjë rezultat. Premtimet e ministrit kanë qenë që me datën 17 maj do të jetë data e fundit, mirëpo ne i kemi dhënë kohë deri në fund të majit dhe nuk ka ndodhë ky proces… kisha kërkuar nga ministri që të ma dërgojë një listë të specialistëve që janë papunë dhe i kanë mësyer rrugët e Evropës, është turp për një shtet, është turp për ata që na udhëheqin në këtë mënyrë qe të na maltretojnë”, ka shtuar ajo.

Berisha tha se nuk do të ndalen me protesta dhe se do të presin që ta takohen me ministrin në detyrë Uran Ismaili, për çka tha se janë të gatshëm edhe në rrugë ta takojnë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet