Sterna Bazilika në Stamboll, mahnitëse me shtyllat dhe skulpturat misterioze

Sterna, e cila është një nga vendet historike në Stamboll që mirëpresin numrin më të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj, ka qenë temë e filmave të shumtë në Hollywood.

Sterna Bazilika në Stamboll është një nga vendet historike në këtë qytet që mirëpresin numrin më të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj. Sterna, e cila është e lartë nëntë metra, mahnit vizitorët me 336 shtyllat e saj dhe dy skulptura të Meduzës, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sterna, e cila gjendet në Gadishullin Historik të Stambollit, ku gjenden edhe Xhamia Sulltan Ahmet dhe Ajsaofja, ka qenë temë e filmave të shumtë në Hollywood.

Monumenti është ndërtuar në vitin 542 nga perandori bizantin Justiniani i Parë, ndërsa më vonë është njohur si Sterna Bazilika, pasi më parë në atë vende gjendej një bazilikë.

Ky rezervuar ujor ka një sipërfaqe prej 9.800 metrash katrorë dhe ka kapacitet për të grumbulluar 100 mijë ton ujë.

Në periudhën bizantine, sterna plotësonte nevojat për ujë të pallatit të madh ku jetonte perandori si dhe të zonës përreth.

Pas çlirimit të Stambollit në vitin 1453, sterna ngeli në përdorim edhe për një kohë, ndërsa u bë e mundur që ajo të furnizonte edhe kopshtet e Pallatit Topkapi, ku qëndronin sulltanët.

336 shtylla të larta nga nëntë metra

Sterna Bazilika ka 336 shtylla mermeri të larta nga nëntë metra, me një distancë prej 4,8 metrash ndërmjet secilës shtyllë.

Shumica e shtyllave janë në formë cilindri ndërsa disa prej tyre kanë formë kubike.

Meqenëse osmanët prefonin të përdorin ujëra të rrjedhshëm në vend të ujit të amullt, rezervuari pas një kohe filloi të mos përdorej më.

Sterna u riaktualizua në vitet 1540 nga Petrus Gyllius, i cili erdhi në Stamboll për të hulumtuar mbetjet bizantine.

Gjatë periudhës osmane, Sterna Bazilika u rinovua dy herë, ndërsa në vitin 1987 u hap për qëllime turizmi nga Bashkia Metropolitane e Stambollit.

Kokat e Meduzës

Dy kokat e Meduzës, statuja që janë nga shembujt që tërheqin vëmendjen për artin e skulpturës romake, gjenden në pjesën e poshtme të dy shtyllave në veriperëndim të sternës.

Këto skulptura tërheqin vëmendjen e vizitorëve, megjithatë, nuk dihet se prej nga janë sjellë në Sternën Bazilika.

Po ashtu, vëmendje tërheq fakti se kokat e Meduzës janë vendosur mbrapsht.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet