Sportistët e mëdhenj, nga një vendi i vogël

Jehona që ka shkaktuar fitorja e fundit e Përfaqësueses së Kosovës në Futboll ndaj Çekisë, ka qenë edhe e pritshme. Sporti për kosovarët vijon të mbetet shtegu i vetëm ku po reflektohen vlera të mirëfillta, e madje edhe të krahasueshme me vendet më të zhvilluara. Sportistët, për rrjedhojë, janë shndërruar në ambasadorë të vërtetë të republikës sonë të dashur – shkruan Gazeta e Re.

Një artikull i gjatë i BBC-së i është kushtuar sportit të futbollit në Kosovë. Artikulli reflekton edhe mbi kontekstin historik e politik të zhvillimeve, duke marrë parasysh gjithë përpjekjet dhe sakrificat e shumta që figura sportive e politike kanë bërë për ta sensibilizuar botën për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht të drejtat e tyre të mohuara.

«Fjala ‘mrekulli’ jehoi gjatë gjithë ditës. Ndoshta këta mijëra njerëz që derdhen nëpër rrugët e Prishtinës sapo e kanë përjetuar një tjetër. Qe shtatori i 2016-tës kur Kosova luajti ndeshjen e tyre të parë konkurruese ndërkombëtare në futboll. E të shtunën, ata zgjodhën të jenë të pamposhtur në 15 ndeshje, me mbase rezultatin e tyre më të rëndësishëm, një fitore 2-1 në shtëpi ndaj Republikës Çeke» – ka shkruar në rreshtat e parë të artikullit të tij Patrick Jennings, gazetar i sportit në BBC.

Sipas tij «Kosova tashmë ka një shans shumë të mirë për të arritur në Euro 2020», pavarësisht që ndeshja e radhës do të jetë këtë të martë, kundër superfuqisë botërore të futbollit – Anglisë.

Shumë media të njohura ndërkombëtare, e kanë lavdëruar paraqitjen e Kosovës, duke ia dhënë madje edhe epitetin: Kosova Brazili i Ballkanit. Bëhet fjalë për gazetarin e The Guardian Bryan Armen Grahm, të cilin paraqitja e Kosovës e kishte impresionuar jashtë mase.

Pas ndeshjes Jaroslav Silhavy – trajner i republikës së Çekisë, u shpreh që sulmuesi Vedat Muriqi ka qenë thjeshtë i pandashëm. Me paraqitjen e këtij të fundit edhe klubi i famshëm turk Fenerbahçe, duket që është ndier krenar. Në faqen sajtin zyrtar të klubit, një artikull me titull: Vedat Muriqi shënon, Kosova fiton, ka freskuar lajmet e së shtunës.

Por të martën djelmoshat kosovarë do ta kenë një sfidë të vërtetë. Ata do t’i dalin përballë Anglisë, e cila po ashtu nën drejtimin e Gareth Southgate po gëzon një përlindje të re në futboll. Ky i fundit, nuk e ka nënçmua përfaqësuesen tonë, e madje në një intervistë dhënë së fundi për mediat angleze, ka shprehur simpati duke e cilësuar si një kundërshtare të denjë për Anglinë.

«Jam i impresionuar nga Kosova. Është ndeshja jone kyçe ajo ndaj tyre» – është shprehur ai pas ndeshjes që kombëtarja angleze e zhvilloi kundër bullgarëve.

Megjithëse ka një entuziazëm që po reflekton jo vetëm tek futbollistët te trajneri Bernard Challandes, dhe tifozët, të gjithë thonë që humbja ndaj anglezëve, nuk do të thoshte asgjë. Kemi të bëjmë me një kombëtare të fortë, me përvojë të gjatë dhe emra të spikatur të futbollit. Nxjerrja e një rezultati pozitiv, jo që s’është i pamundur, sipas tyre, por do të ishte një mrekulli tjetër e radhës./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreSportTema e DitësVendi

Të ngjajshmet