Specialja vazhdon punën e saj, ish komandantët, tashmë politikanë nuk e përmendin as gjatë fushatës

Kur Ramush Haradinaj shpalli dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, tha që këtë po e bënte për hir të asaj se dëshiron të paraqitet atje si një qytetar i thjeshtë i Kosovës. Reagimet për këtë akt, e sidomos për ftesën nga Haga, qenë të menjëhershme. Megjithatë, ftesat kanë vazhduar të vijnë edhe këto ditë, por ish komandantët, që tashmë janë shndërruar në politikanë, nuk po kanë kohë të merren me këtë punë – shkruan Gazeta e Re.

Edhe pesëmbëdhjetë ftesa të tjera, për ish luftëtarë të UÇK-së nga rajoni i Llapit dhe për disa civilë, kanë ardhur së fundi nga Haga. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

«Ne kemi informacione se disa nga ftesat janë për ish-ushtarët e rajonit të Llapit» – ka thënë Nasim Haradinaj për Express, nënkryetar i OVL-UÇK-së. Ai e ka vënë theksin mbi standardin e dyfishtë dhe trajtimin e padinjitetshëm që po u bëhet ish-luftëtarëve me këtë rast:

«Ata po dërgojnë thirrje “blanko” njësoj sikurse për dëshmitarët ashtu edhe për të dyshuarit është e njëjta sjellje, i njëjti tekst, dikën e vendosin si të dyshuar, dikë si dëshmitar e dikë si dëshmitar i dyshuar. Mua këto ftesa po ma çojnë mallin si ftesa të nënshkruara nga Jusuf Karakashi në kohën e Rrahman Morinës».

Njohësit e këtyre fushave konsiderojnë që Gjykata Speciale është duke punuar me një ritëm të atillë, andaj nuk është aspak e befasishme nëse së shpejti do t’i kemi edhe aktakuzat e para.

«Gjykata Speciale ritmin e saj e përcakton në bazë të Zyrës së Prokurorisë Speciale, i cili tashmë është shumë aktiv dhe duket se prokurori ka vendosur që punën e Gjykatës ta vazhdojë duke mos e bërë publike listën e dëshmitarëve të caktuar, sepse dëshmitarët mund të merren në pyetje edhe pa e ditur askush. Aktualisht mund të jemi në fazën përfundimtare të ngritjes së aktakuzave të para» – ka thënë për Zërin avokati Tomë Gashi.

Shumë nga ish komandantët e zonave operative brenda Kosovës, veç janë intervistuar, ndërsa Gashi beson që meqë nga kjo gjykatë veç është prekur hierarkia më e lartë e UÇK-së, nuk është e çuditshme që nesër, pasnesër të ketë ftesa edhe për ish luftëtarët e tjerë që tash janë shndërruar në politikanë. Sipas tij, kjo do të mund të ndikonte direkt edhe në rrjedhën e zhvillimeve politike.

Bashkim Gashi, ish luftëtar i UÇK-së, nuk ka qenë i vetmi që e refuzoi ftesën nga Haga, ndërsa nga OVL e UÇK-së opinioni publik është siguruar që megjithatë nuk do të krijohet precedent me këto refuzime. Ish luftëtarët, pavarësisht kategorisë në të cilën janë thirrur nga Gjykata Speciale, si të dyshuar apo si dëshmitarë, janë këshilluar të tregohen bashkëpunues. Ndërkaq, askush nuk e mohon që bëhet fjalë për standarde të dyfishta, përderisa për krimet e kryera kundër kosovarëve nga ish militarët dhe paramilitarët serbë, janë dënuar shumë pak njerëz.

Por ajo që ka lënë përshtypje gjatë këtyre javëve, nuk janë ftesat, por heshtja e ish komandantëve të lartë të UÇK-së. Tre prej tyre janë edhe kandidatë për kryeministra: Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj. Asnjëri prej tyre nuk i ka komentuar zhvillimet e fundit që ndërlidhen me specialen. Duket qartë që janë të zënë me fushatën zgjedhore./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet