Sot bëhet 1 vjet qëkur gjuha shqipe u zyrtarizua në shkollat fillore të Turqisë

Ministria e Arsimit të Turqisë në vitin 2016 kishte vendosur në programin arsimor për vitin 2017 gjuhën shqipe dhe boshnjake si lëndë zgjedhor duke nisur që nga klasat e 5-ta.

Programi mësimor i gjuhës shqipe dhe boshnjake, pasi u përgatit dhe u vlerësua edhe me kontributet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit, u paraqit në Kryesinë e Bordit të Arsimit dhe Edukimit të Turqisë. Pas procesit të vlerësimit të programit menjëherë filluan punimet për përgatitjen e teksteve mësimore.

Pas përgatitjes se teksteve mësimore dhe punimeve të plan-programit me datë 11 dhjetor 2017 zyrtarisht u mbajt ora e lëndës shqipe në një shkollë fillore në Izmir të Turqisë.

Përmes një postimi në facebook, Drejtori i Qendrës Kulturore të Diasporës së Kosovës në Stamboll, z. Kamil Bitiş kujtoj këtë ditë të veçantë duke quajtur si ditë historike.

“Kjo foto është foto historike nga fillimi i gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollat turke me datën 11 dhjetor 2017. Është fotoja më krenare për mua”, shkroi Bitişi në profilin e tij, transmeton Gazeta e Re.

Ndryshe, Gjuha Shiqpe mbrohet me ligj në Turqi.

Me vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare më 7 shkurt 2018-të u është hapur rruga e mbrojtjes zyrtarisht të gjuhës shqipe në Turqi.

Me këtë ligj, poseduesit e gjuhës shqipe në Turqi tani më mund të nënshtrohen provimit përmes së cilës e caktojnë nivelin e njohurisë.

Dokumenti i lëshuar nga Qendra e Përzgjedhjes dhe Sistemimit të Nxënësve (OSYM) pas korrigjimit të provimit mundëson gjithashtu edhe shpërblim për nëpunësit shtetëror që zotërojnë gjuhën e huaj.

Kështu që bashkë me shpërblimet e dhëna për gjuhët e tjera të huaja, një nëpunës në Turqi që zotëron gjuhën shqipe, do të marrë shpërblim nga shteti çdo muaj, duke e bashkangjitur atë me rrogën mujore.

Mësimi i shumë gjuhëve, përveçse pasuron njohuritë e njeriut, është edhe mundësi praktike për komunikimin e tij jashtë vendit ku jeton, si dhe ngre nivelin e punonjësit, për këtë qëllim shteti turk ka zgjedhur të shpërblejë punonjësit sipas nivelit zotërues për të nxitur mësimin e gjuhëve të huaja.

Dokumenti i lëshuar nga Qendra e Përzgjedhjes dhe Sistemimit të Nxënësve njihet jo vetëm në institucionet shtetërore por edhe nga sektori privat.

Kjo është një bazë themelore edhe për bizneset që kërkojnë zotërues të gjuhës shqipe.

Mundësimi i mbrojtjes së gjuhës shqipe tregon rëndësinë që Turqia i jep kësaj gjuhe, e cila është një urë e rëndësishme dhe e nevojshme për krijimin e marrëdhënieve edhe më të fuqishme vëllazërore, kulturore, sociale, ekonomike etj. ndërmjet Turqisë dhe të gjitha hapësirave gjeografike, ku flitet shqip. /Gazetaere.com/

Kategoritë
DIASPORALajme

Të ngjajshmet