Sofra e poezisë: Hafiz Tahir Kolgjini

Hafiz Tahir Kolgjini ka qenë hoxhë, hafiz, por ka shërbye si mësues, shkrues publik, kryetar bashkie në Kukës e Prizren.

Ka qenë prefekt në disa qytete të Shqipnisë, prefekt në Prishtinë, Gjirokastër e Shkodër dhe më në fund Drejtor i Përgjithshëm i Policisë…

Ka qenë anti-komunist, atdhetar-nacionalist, por edhe krijues, letrar, poet,  studiues, shkrimtar, historian, gjuhëtar…

Tahir Kolgjini lindi me 24 Prill 1903, në katundin Lusën të Lumës. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku mësuesi i i parë i tij ishte hoxha, Mulla Ademi, nga rrethi  Shkupit.

Në vitin 1913 shkoi në Stamboll, ku vazhdoi mësimet në shkollën “Sulltan Mahmud”, ku krahas mësimeve e mësoi përmendësh Kur’anin e Madhnueshën  dhe e fitoi titullin e nderuem: Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë, e cila quhej: Dar-ul Hilafet-ul Aliyye.

Në vitin 1924 kthehet në Shqipni, në Lusën, katundi i tij.

Në vitët 1925-1928 shërbeu si mësues e kryemësues në Bicaj, Lusën, Kolesian e Kukës. Në fund të vitit 1928 emërohet si sekretar i gjyqit në Himarë, ndërsa nga prilli i vitit 1929 emërohet si Sekretar i Gjyqit të Shkallës së Parë në Kukës…

Në vitët 1939-1944, Hafiz Tahir Kolgjini u emërue në detyra të larta, me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi. Në fillim emërohet Kryetar Bashkie në Kukës.

Me 15 Prill 1941, kur Jugosllavia e Kralit u shkatërrue e Kosova, kryesisht, me Shqipni u bashkue, por nën Italinë fashiste, hafiz Tahir Kolgjini e mori në dorëzim Bashkinë e Prizrenit, për të ndihmue, vendosjën e administratën në gjuhën shqipe…

Në nëntor të vitit 1941, pas bisedimeve që bëri me Bashkësinë Islame të Gjakovë e Prizrenit dhe në marrëveshje me Hafiz Abdullah Telakun, organizon Kongresin e Myslimanëve të Kosovës, për të cilin u çortue rëndë nga Komisari i Lartë në Tiranë, për Kosovë, Fejzi Alizoti, tek Kryeministri, Mustafa Kruja, i cili e ftoi në Tiranë…

Në Tiranë, pyetja e parë që i bëri  kryeministri ishte:

“Ç’asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren”?

Hafiz Tahir Kolgjini ia shpjegoi me këto fjalë:

“Po të mos e kishte fitue Sulltan Murati  betejën e Kosovës dhe po të kishin qëndrue shqiptarët pa e pranue Islamizmin, me kohë do të ishin bamë serb, tue u sllavizue.”

Më këto fjalë, Kryeministri, Mustafa Kruja u bind dhe iu përgjegj: “Keni të drejtë.”

Gjatë vitëve 1942-1943 Hafiz Tahir Kolgjini ka shërbye si Kryetar Bashkie në Gjirokastër dhe në Prishtinë, ku shërbeu deri në shtator, 1943, kur erdhën gjermanët…

Kur erdhën gjermanët, Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm, e caktoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilën e kreu deri në muajin gusht, 1944.

Në muajin gusht, 1944, caktohet Prefekt i Shkodrës, ku shërbeu deri me 24 nëntor 1944.

Me 24 gusht 1944, Hafiz Tahir Kolgjini, bashkë me Kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin, largohen nga Shkodra, nga Shqipnija dhe nisen për në Vjenë, Austri…

Nga kryeqyteti i Austrisë, Vjena, shkon në Milano, mandej në Romë, kryeqytetin e Italisë dhe ma në fund, me shumë shqiptarë të tjerë anti-komunistë, vendoset në Reggio Emiglia, ku qëndron deri më 1948.

Në vitin 1948 shkon në Stamboll, aty ku ishte shkollue dhe aty ka jetue dhe veprue edhe 40 vjetë, derisa ndrroi jetë, me 12 dhjetor 1988.

Hafiz Tahir Kolgjini, ndër të gjithë shqiptarët që kishin emigruar, për shkak se me komunizmin nuk ishin pajtuar, ka qenë një nga burrat më të shquar, më të kulturuar, këte ai me veprimtarinë e tij e ka dëshmuar….

Përveç që ishte një anti-komunist i përbetuar, përveç që ishte një atdhetar-nacionalisht i dëshmuar, Tahir Kolgjini ishte edhe krijues, studiues, shkrimtar, poet, letrar, historian gjuhëtar…

Ka shkruar shumë artikuj, punime, studime në fusha të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore. Këto janë botuar nëpër gazeta e revista nëpër Evropë, Amerikë…

Janë botuar, me pseudonimin Lok Limthi, Dylej, Dashamiri, por edhe me emrin e tij, në revistën “Shejzat”të Rromës, që e drejtonte Prof. Ernest Koliqi, në revistën “Koha e Jonë”, Pariz, që e drejtonte Prof. Lec Shllaku, në gazetën “Dielli”, Boston, Mass. (SHBA), organ i Federatës Pan- Shqiptare “Vatra”,  në gazetat “Vardari” e “Besa” të Stambollit etj.

Ndërsa, vepra e botuara të Hafiz Tahir Kolgjinit janë:

Shpalime rreth Lahutës së Malësisë, mbi 300 faqe, botue në Stamboll, 1969.

Esad Pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen, botuar në Stamboll, me 1977.

Të vërtetat shqiptaro-greke, (Arnavutluk ve Yuninistan Gerçekleri), Stamboll, 1968. Kjo vepër është përkthye në gjuhën shqipe e ribotuar në Tiranë, me 1997, me një parathënie shkruar nga Dr.Hysamedin Feraj, nga Godeni i Gjakovës.

Fjalët turkisht në Lahutën e Malësisë, “Shejzat”, Romë, Itali, 1962

Luma dhe luftat e saj, Stamboll, 1970

Po vajtojmë Gjon Gjinin, Stamboll, 1979

Poezi,  Tiranë, 1993 (është vepra ku janë të përbledhuna vjershat e tij nën kujdesin e Agim Spahiut).

Këto vepra, që i ka shkruar e botuar, pa dyshim, emrin e Hafiz Tahir Kolgjinit e kanë përjetësuar. Ai që i lexon, me siguri, këtë edhe më mirë do ta kupton…!

Për herë të parë Hafiz Tahirin e kam takur në New York, në vitin 1977, gjatë një Seminari, ku na afroi, na prezentoi e na bashkoi  z.Ago Agaj, apo siç e quejshin “kosovari nga Vlora”

Hafiz Tahiri, edhe pse ishte plakur, dukej fort i mbajtur, në pamje të jashtme zotni, në muhabet bënte edhe mahi,  kishte një fjalor të pasun e të pastër si gurra, ishte burrë mbi burra…! /M.Yvejsi /Gazetaere.com/

FLIJIMET E NANËS SHQIPTARE

Isha rritun bukur shumë sa nji far’ voci,
si me thanun,
Për të shkue në shkollë fillore,

lakmi rrethit për me i lanun.
Nji ditë vere, dit’e gjatë, qi prej vape me u tërmeke,
E shoh nanën tue lavrue, fort ngërmue përmbi jeke,
Tue iu dhanun urdhën qeve:
-Hajt ir, hajt, hallall ju qoftë,
Ç’ju kam dhanun tagji elbi, bar’ e kashtë e qulle të ngroftë!-
Komandonte qe e almise, si ma i miri burrë në dhe,
Për të kryem punë bujksije, si ma i miri bujk
ndër ne,
Për ta bamë arën ugare, që ish djerrë që tri vjet,
Për ta mbjellun n’muejt e vjeshtës me parmendë o me çdo mjet.
N’djers’ e n’pluhun ishte mbytun, i kullonte llom nga ftyra,
ishte lodhun, ish postatun, paraqitej ngjyra ngjyra.

-”Ah moj loke i thash’ dhimbshëm, po m’vjen keq se qenke lodhun.
A s’m’i l’shon almiset mue pak në ndihmë për t’u ndodhun?
Mbasi penda n’vendet tona asht për gra nji punë e randë.
Kosë e lavër janë për burra, gurë e baltë, me nxjerrun landë!”
M’u përgjegjë me fjalë bujare:
-”Hajt more bir, m’u bafsh katund,
Nuk don nana me t’helmue; ç’asht ndër ne, nuk asht gjithkund:
Kur Ti ishe n’djep, i vogël, msyni anmiku vend për vend.
Krejt polemi rroki armët, kush ish burrë, mbarë e me rend,
Edhe gra, nji palë, u lëshuen, si ulkojat e kësaj ane,
Për me bajtujn bukë e nozull, mjete tjera dhe xhebhane,
Për t’i dalun ballë për ballë e grykë më grykë, si ç’ish zakoni,
Për shqiptarët burra trima n’kohë të vjetra e të s’voni,
Që nuk dinë se kah del plumbi, se ç’asht vrasa, se ç’asht mbeta,
Kur luftojnë për nder e sedër, për Atdhe e troje t’veta.
Dhe Yt atë ishte bashkue me kët rragje luftëtare,
Për të shkue n’ballë të luftës, ku kish krisë lufta batare,
Dhe përpara se të nisej, me nji za me plot urti,
M’u drejtue me kambëngulje, tue m’bamë kët porosi:

-Për kët jetë unë ta kam lanun, për at jetë un’ ta kërkofsha,
Rritma djalin si ka hije, -mos ma rrit si pulë ndër kosha!-
Qi t’m’i dalë zot Flamurit, si simbol qi na e kanë lanun,
Gjyshat tonë, burrat e vjetër, edhe jetën për me e dhanun,
Tue luftue kundër anmikut, kur n’Atdhe ai ta ket prekun,
N’asht se shkrue asht për mue në kët luftë dëshmor me dekun!
Edhe mbet trimnisht si kushi; për mbi të vegoftë drita,
U kujtoftë me të mira sa t’vazhdojë nata e dita!

“Pra, lum nana…, m’paç uratën, kambë ku ve, ku ban ferkem,
Un’ si grue e nanë shqiptare – si besnike e burrit tem-,
Qi përpiqet për familje e për rreth e ç’ka përanë,
Qi përpiqet dhe për Fis e për të fismin Komb të tanë,
Tue ngarendun ku t’jetë puna ma e vështira me mundime,
Tue e bamë egis vetveten ndër rreziqe të jetesës,
Tue u kredhun pa kursime nëpër pellgje të trishtesës,
Herë me magje e punë shpjake, herë me gja e herë me blege,
Herë me kmese, herë me latoshe, lis më lis e degë më degë,
Herë me krrabza o me gjylpana, herë me bosht e herë me furkë,
Herë me lamsh e herë me pasma shpat më shpat e sukë më sukë,

Herë me vekë o me punë dore, tue hakatun pa ia damë,
Herë me pleh e herë me ara, simbas shortit, qi ka ramë,
Diku ngime e diku unet, me bark thatë si t’ketë qillue,
Pa u ungjun, pa pushue, qysh se drita t’ketë fillue,

Fushë e megje, bjeshkë e male pa i marrun parasysh,
Kur nuk kanë, me shokë e vllazën tue e damë kacorën dyshë,
Si ç’na e la zakon i pari, gjysh mbas gjyshi e brez mbas brezi,
Me i ndihmue njani tjetrit, qoftë Ilia, qoftë Elezi,
Sepse ndera e faqja e bardhë për shqiptarët qi kanë mend,
Ose dhuna e fatkeqësia, iu vjen bashkë vend për vend.”

“Pra, lum nana…, Ti me qenë se je copë e trupit tem,
Gjithashtu -dhe dije mirë se – i t’em burrit je nji rrem,
Qi ka mbetun si dëshmorë në fushë të nderit për Atdhe,
Mall tue lanun, jetë tue dhanun, tue bamë fli gjithshka për ne,
E qi mue m’porositi për me t’rritun si ka hije,
Për me shkue n’gjurma t’babës, pa u shmangun asnji fije,
Kam me t’mbajtun, kam me t’rritun, tu t’punue ding e dang,
Kam me t’mbajtun ndezë oxhakun,
Kam me t’mbajtun shpi e plang,
Për me ruejtun amanetin, qi s’e kalbë as tokë as det,
Qi Yt atë ma kish dorëzue, sa t’kem frymën në kët jetë,
Kur u damë për herë të fundit, tue qamë me lot për faqe,
Kur ishem tue e përcjellun rreth katundit me bajraqe…”

Anishka, moj zemra e nanës, un’ jam nanë e atë për Ty,
Do t’punoj e do të lvirem, në këtë s’ka tetë e dy,
Ja me pendë e me almise, o me mjete tjera lloje,
Por me thonj do t’i përvishem e me dhambë, simbas nevoje,
Der’ sa Ti, në moshë madhore me shëndet e mirë të rritesh,
Për të zanë vendin e babës n’moshë burrnije kur të ngjitesh,
Për t’kujtue nanë e babë, për t’mendue vlla e motër,
Për të dashtun far’ e fisin për të çmue vend e votër…
Mandej vijnë detyra tjera me flijime si përherë,
Qi të parët i kanë përballun: Komb, Flamur, Liri me nderë!…”

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet