Sociologët: E vetmja gjë e sigurt në Kosovë është pasiguria

Krahas rritjes së pakënaqësisë së qytetarëve me kushtet e rënduara ekonomike, duket që po shtohet edhe numri i rasteve të krimeve të organizuara. Sociologët nuk e përjashtojnë faktin që: rritja e rasteve të grabitjeve të armatosura, ka të bëjë edhe me përkeqësimin e situatës ekonomike dhe  përgjithësisht mungesa të shumta, siç është ajo e një drejtësie sociale në vend – shkruan Gazeta e Re. 

Në fillimin e këtij viti dhe në fundvitin që iku, një seri grabitjesh të armatosura tronditën opinionin publik. Vetëm me 31 dhjetor, 3 grabitje me armë dhe një në tentativë, qenë realizuar në disa qytete të Kosovës. Rasti që më së shumti ngriti shqetësime, qe ai në Istog, ku edhe humbi jetën polici Izet Demaj, i shpallur së fundi Hero i Kosovës, nga Presidenti Hashim Thaçi. Një trend kaq i lartë i grabitjeve, nuk është njohur më parë, të paktën jo në përmasat e tilla.

Krahas kësaj, matjet e fundit nga organizatat e ndryshme, tregojnë që pakënaqësia e qytetarëve me kushtet e rënduara ekonomike, ka arritur kulmin. Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga Gallup, 46% e të rinjve duan të ikin nga Kosova.

I pyetur nëse kjo rritje enorme e pakënaqësisë, mund të ndërlidhet edhe me numrin e shtuar të rasteve të grabitjeve të armatosura, sociologu Suad Jetullahi thotë se: “Rritja e veprimeve kriminale në kohët e fundit është një shënjues që forcon tezën që: e vetmja gjë e sigurt në Kosovë është pasiguria. Këtu përfshihet pasiguria për pronën, perspektivën dhe më e keqja, pasiguria për jetën e individit. Natyrisht që niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, mungesa e perspektivës dhe degradimi total i sistemit edukativo-arsimor kanë rolin e tyre në rritjen e krimit, mirëpo konsideroj që problemi kyç me të cilin po përballemi sot është kriza vlerore prej të cilës po derivojnë të gjitha anomalitë në shoqëri.”

Sociologu tjetër Valter Nasufi, çështjen e sheh më komplekse. Sipas tij, ndonëse është e nevojshme të bëhet një studim më i thelluar, nuk duhet harruar faktin që “krimi i organizuar po sofistikohet akoma edhe më shumë me zhvillimin e teknologjisë, dhe siç duket, ata janë gjithmonë një hap përpara ruajtësve të ligjit. Kjo sjell një lloj mos efekshmërie në aspektin e sundimit të ligjit, e cila ndikon si drejtpërdrejt ashtu dhe indirekt në mos ndëshkueshmërinë e kriminelëve. Mos ndëshkueshmëria humbet rolin e ligjit në shoqëri. Për rrjedhojë, rritet krimi dhe bandat bëhen më kryeneçe duke sfiduar edhe shtetin. Njerëzit jo vetëm që nuk do të respektojnë ligjin, por as nuk do të kenë frikë prej tij. Në një shoqëri ku padrejtësia sociale është e kudondodhur, krimi ripërtërin vetveten. Dhe e vetmja arsye për të mbijetuar është ose ta luftosh deri në fund ose të bëhesh pjesë e tij. Nuk duhet harruar se mbi 15% e popullsisë jetojnë në kushte minimale të jetesës. Varfëria dhe papunësia janë normalizuar duke u bërë pjesë e kulturës sonë. Të dyja këto së bashku janë faktorë shtytës të cilët nxisin individët të kryejnë akte të tilla kriminale.”

As Jetullahi nuk e anashkalon faktin që sistemi i drejtësisë, karakterizohet me një varg problemesh. Ai shton se rritja e akteve të tilla kriminale, “na e rikujton se jemi shndërruar në një shtet tërësisht formalist. Kjo nënkupton, përveç tjerash, që kemi një sistem të drejtësisë që do duhej të merrej seriozisht me rastet e akteve kriminale, por ky sistem gjithçka tjetër mund të na garantoj përveç drejtësisë. Duke qenë se faktikisht jemi të pavetëdijshëm për kahjen që po i japim shtetit dhe të ardhmes tonë, kemi lejuar që të krijohen çarje të cilat iu mundësojnë njerëzve që në mënyrë ilegale, por pa u ndëshkuar nga ligji, të arrijnë deri tek përvetësimi i pronës dhe pasurisë private dhe asaj publike. Rastet e fundit të grabitjeve me armë e dëshmojnë pikërisht këtë që po flasim. Një pseudoshoqërie që në çdo dimension të saj tenton të funksionoj përmes improvizimit nuk mund të prodhoj njerëz që jetojnë me dinjitet, andaj shohim që pjesa dërrmuese zgjedhin rrugët më të lehta dhe më të shpejta për të arritur qëllimet e tyre.”

I të njëjtës mendje është edhe Nasufi. Ai mendon që brishtësia e një konteksti të tillë ekonomik, i shtynë individët që të kërkojnë rrugë më të lehta “për të bërë më shumë para. Niveli i papunësisë në Kosovë është tejet i madh, sipas statistikave deri në 45%. Për pasojë, kjo gjë çon në nxitje të kriminalitetit duke shtyrë moshat e reja që të merren me aktivitete antiligjore.”

Megjithatë, ai shton se një ndikim të konsiderueshëm kanë edhe faktorët e tjerë:

“Të rinjtë nuk kanë se me çfarë të merren duke pasur parasysh këtu edhe pakujdesin e prindërve, si e tillë janë të predistinuar që një pjesë e tyre të bien preh e bandave të nëntokës. Ndërkaq, grabitjet mund të shihen edhe si një lloj trendi, brenda kaosi social i cili hap shtigje për devijime shoqërore të cilat janë evidente në këtë konglomerat marrëdhëniesh ndër-njerëzore. Nëse vidhet diku, atëherë të tjerët do të mendojnë se edhe ata munden.”

Fenomeni, sipas Nasufit, ka rrezik që të përshkallëzohet, por kjo varet nga suksesi “që do të kenë grabitësit në të ardhmen. Sa më shumë grabitje të ndodhin, aq më tepër njerëzit do të tentojnë të vjedhin. Gjithashtu, një faktor shtesë është dhe niveli i rrezikshmërisë. Duke paramenduar rrezikun sipas përllogaritjeve të grabitësve. iu del që sigurimi privat nuk rrezikon jetën për të mbrojtur një godinë qoftë kjo dhe një Bankë. Mos rrezikimi i jetës nga ana e tyre e bënë këtë problem më kompleks, siç janë kushtet të pa favorshme të punës, dhe se a ia vlen të rrezikosh jetën për një grusht parash. Rrjedhimisht, kjo sjell tendecën për grabitje.”

Rastet e fundit kanë treguar që Policia e Kosovës, megjithatë, ka marrë masa të reja, me ç’rast disa tentime të disa grabitësve, kanë dështuar. Një pjesë e tyre janë identifikuar dhe kapur nga policia, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në arrati. Zvogëlimi i rasteve të tilla, sipas ekspertëve, edhe më shumë varet nga përmirësimi i jetës së qytetarëve, ndërsa kjo e fundit, me një zhvillim më të madh ekonomik. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet