Skandaloze, Dalin në pah lidhjet familjare në Fakultetin e Inxhinierisë

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, është kthyer në shtëpi të dytë për familjen Krasniqi. Akademik Fejzullah Krasniqi bashkë me fëmijët e tij dhe të vëllait shumicën e kohës e kalojnë aty duke ligjëruar e asistuar.

Fejzullahu ligjëron shtatë lëndë në FIM. Ndërsa e bija e tij, Drenusha asiston në po këtë fakultet deri në 13 lëndë. Disa në Bachelor e disa në Master.

Gazeta Fjala ka marrë vesh nga burime brenda fakultetit se edhe vajza tjetër e Fejzullahut, Marigona është angazhuar së fundmi në këtë fakultet, ndonëse emri i saj nuk figuron në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Drenusha e Marigona nuk janë të vetmet familjare të Akademikut. Gazmend Krasniqi është djali i vëllait të Fejzullahut, po ashtu i angazhuar në FIM.

Punësimet familjare në këtë fakultet, sidomos ato prind-fëmijë nuk mbarojnë këtu.

Edhe profesori Shaban Shabani, e ka të punësuar djalin e tij, Shkëlzenin. Ndërsa asistenti Fisnik Osmani është djali i Hysni Osmanit, profesor i rregullt në këtë fakultet.

Deri tash babë e bir, në një fakultet punonin edhe Fehmi e Valdrin Krasniqi.

Në një hulumtim një mujor, ka gjetur se shumica e profesorëve Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, i kanë të punësuar edhe fëmijët e tyre si asistentë.

Në këtë fakultet këto lloj punësime ekzistojnë prej kohësh.

Shpejtim Lajci është i punësuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, bashkë me të vëllain, Naserin. Njëjtë sikurse që janë edhe dy vëllezërit tjerë, Agron dhe Arbnor Pajaziti.

Se të gjithë këta kanë lidhje familjare mes vete, e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala vet ata.

Për këto punësime brenda këtij fakulteti ka folur edhe Dekani i FIM-it, Ahmet Shala.

Dekani Shala ka thënë se në konkursin e fundit nuk është angazhuar asnjë bashkëpunëtor të jashtëm që ka dikë të afërm në Departament apo program. Nuk mohon se në vitet e kaluara kjo ka ndodhur.

“Në konkursin e fundit nuk është pranuar asnjë bashkëpunëtor i jashtëm që ka dikën të afërm në Departament/Program përkatës të njëjtë”, ka thënë Shala

Super-asistentët

Gazeta Fjala pati raportuar ditë më parë për asistenten në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Drenusha Krasniqin e cila asistonte deri në 13 lëndë. Por, e bija e Fejzullah Krasniqit nuk është e vetmja që asiston në numër kaq të madh të lëndëve.

Pothuajse të gjithë asistentët në FIM janë angazhuar në 3 deri në 11 lëndë. Së paku kështu figurojnë në faqen zyrtare të fakultetit.

Riad Ramadani është asistent në Konstruksion me mekanizëm, ku asiston në 11 lëndë. Gjashtë lëndë në Bachelor e pesë në Master.

Vetëm në një lëndë më pak asiston edhe kolegu i tij, Rinor Berisha.

Edhe Halil Demolli asiston në hiq më pak se 9 lëndë. Ndërsa dy kolegët e tyre, Ramadan Duraku dhe Shkëlzen Shabani asistojnë nga 8 lëndë.

Ndërsa, asistenti i vetëm që ka numër më të vogël të lëndëve në të cilat asiston është Shkumbin Makolli.

E konfirmon rregullores për pagesa në UP, norma për asistent në UP/FIM është 10 orë në javë, dhe deri në 10 orë në javë mbi-normë.

Dekani Ahmet Shala ka thënë se angazhimi i asistentëve në më shumë se 10 lëndë nuk preferohet as nga vetë ata dhe as nga menaxhmenti i FIM-it, por këtë e bëjnë për të mos angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm.

“Kështu varësisht nga lëndët në të cilat angazhohen asistentët mund të kanë mbi 10 lëndë, që nuk është e dëshirueshme as prej asistentëve por sigurisht as për menaxhmentin e FIM-it, por Rregullorja për pagesa është obligative dhe Norma për pagën duhet siguruar për të gjithë stafin e rregullt akademik, në mungesë pastaj shpallet konkurs për staf të angazhuar-bashkëpunëtor të jashtëm”, ka thënë Shala.

Për asistimin e Drenusha Krasniqit në 13 lëndë ishin deklaruar edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim. Asistimin e Krasniqit në numër kaq të madh të lëndëve ata e kishin konsideruar si dyshim për nepotizëm dhe favorizim.

Në ORCA kishin deklaruar se askush nuk të ushtrojë detyra në 13 fusha të ndryshme.

“Nuk ka ndonjë standard ndërkombëtar për çështje të tilla por është e qartë që askush nuk mund të ushtrojë detyra në 13 fusha të ndryshme. Këtu nuk kemi të bëjmë me shpërthime gjeniale por me keqpërdorime të disa natyrave dhe për të cilat duhet të merren masa”, thuhet në përgjigjet e ORCA-s.

“Të pazëvendësueshmit”

Në anën tjetër, në këtë fakultet disa nga profesorët po del të jenë të pazëvendësueshëm. Ndonëse kanë dalë në pension, ata vazhdojnë të ligjërojnë.

Musli Bajraktari, Fehmi Krasniqi e Mustafë Muhaxheri janë profesorë që janë të angazhuar në FIM, ndonëse ka kohë që kanë dalë në pension.

Njëjtë sikurse Shaban Shabani, Xhemajl Fejzullahu dhe Xhevat Pejruci.

Së paku kështu figurojnë në faqen zyrtare të Fakultetit të Inxhiniersë Mekanik, tek Personeli Akademik i Angazhuar.

E numri i lëndëve që ligjëron secili prej këtyre “të pensionuarve” është nga katër deri në tetë. Disa në nivelin Bachelor, e disa në Master.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet