Skandali që nuk zgjon vëmendjen e atyre që duhet ta zgjidhin problemin

Një grup jo i vogël i studentëve të Universitetit publik të Prizrenit, të cilët i kanë filluar studimet në vitet shkollore 2011/2012 dhe 2012/2013 dhe kanë kryer studimet, kanë diploma të cilat nuk kanë asnjë vlerë përtej kufijve të vendit.

Ata nuk mund të regjistrohen në nivelin master në ndonjë Universitet jashtë vendit, por as nuk mund të punësohen as në shtetet fqinje Maqedoni e Shqipëri.

Programet lëndore në Universitetin e Prizrenit në këto vite nuk janë akredituar nga Agjensioni për akreditim. Programi i gjuhës angleze, ai Kimi –Fizikë dhe disa programe të tjera janë rihapur me vendim të Ministrit të MASHT-it, me akreditim të këtyre programeve në Universitetin e Prishtinës.

Përveç banorëve të Kosovës sipas vetë rektorit të UPZ-së këtë problem e ka edhe një shtetas turk, i cili  ka kryer drejtimin Kimi Fizikë në Universitetin e Prizrenit, dhe të cilit nuk i është nostrifikuar diploma.

“Është vlerë kur një shtetas i huaj studion në Universitetin tonë” tha rektori Vataj, i cili pohon se që nga fillimi i mandatit të tij si rektor i UPZ-së është duke u angazhuar që ta zgjidh këtë problem, që është shqetësim për Universitetin pasi këta studentë këtu i kanë kryer studimet.

Studentët e kuptuan se programet ku studiuan janë të pa akredituara, kur nga shtetet tjera u kërkua nostrifikimi i diplomës së tyre.

“Na thanë programet ku kemi diplomuar janë të pa akredituara, ndonëse ne u pranuan pas kalimit të provimit pranues,në një konkurs publik të një universiteti publik”, tha Rudina  Kadolli, të cilës problemi iu shfaq kur kërkoi të regjistroj studimet master ne Gjermani e ku iu kërkua nostrifikim të diplomës së saj.

Të njëjtin problem e ka edhe Dëfrim Jupa she shumë shokë tij, e këta pohojnë se janë mbi 70 vetëm studentë të gjuhës angleze.

Gjatë reformimit të sistemit të Arsimit sidomos në programet e Fakultetit të Edukimit, të cilat në Prizren kanë funksionuar si Degë e Universitetit të Prishtinës, në vitin 2010 UPz mbetet pa programet lëndore. Për shkak të kërkesave dhe nevojës, sipas rektorit të UPZ-së Ramë Vataj, me një vendim të Ministrit së Arsimit të asaj kohe, me programet dhe kurikulat e akredituara në Universitetin e Prishtinës në vitin shkollor 2011/ 2012 janë hapur këto programe edhe në Univeristetin e Prizrenit.

Problemi është shfaqur kur të diplomuarit kanë kërkuar vërtetimin e diplomave të tyre.

“Meqenëse nuk ka pas vendim të Agjensionit të akreditimit siç e parasheh ligji dhe udhëzimi administrativ këta të diplomuar kanë pengesë për vërtetimin e diplomës sepse ligji e thotë kështu ndërsa në anën tjetër Ministri me vendim  e ka lejuar studimin në këto programe” u ka thënë medieve rektori Vataj.

Më vonë në vitin 2012, Ministri i Arsimit, Ramë Buja e lëshon një vendim ku thuhet se këtyre studentëve ju njihet diploma për punësim dhe vazhdim të shkollimit, mirëpo zyrtarët aktual të Ministrisë së Arsimit nuk e njohin këtë vendim.

Studentët e shtrojnë pyetjen pse Ministri i tashëm i Arsimit nuk i njeh vendimet e paraardhësit të tij.

Rektori Vata apelon që Ministria e Arsimit të ketë mirëkuptim për këta studentë sepse thotë ai “regjistrimi është bërë në mënyrë legale dhe këta studentë kanë diplomuar pas  mësimit që është mbajt në  rrethana normale. Ka pasur nevojë për këto programe”.

Në ndërkohë këta studentë janë duke e vazhduar betejën për njohjen e të drejtës së tyre në trekëndëshin: Ministri e Arsimit-Universitet-Agjension i akreditimit.

Mos akreditimin e viteve 2011/2012 dhe2012/2013studentët e diplomuar  e vlerësojnë si një skandal që nuk zgjon vëmendjen e atyre që duhet ta zgjidhin problemin, ndërsa premtojnë se të drejtën e tyre do ta kërkojnë pa u ndalur deri në Gjykatën Kushtetuese…/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeVendi