“Situata makroekonomike globale ka ndikim të rëndësishëm në rajon”

Meta: Situata makroekonomike financiare globale si dhe ajo e eurozonës dhe e vendeve partnere ka një ndikim të rëndësishëm në rajon.Konferenca “Një botë e re e guximshme – E ardhmja e bankave në Evropë” ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë dhe ekspertë nga rajoni, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e Bankës Qendrore të Shqipërisë, e cila u organizua në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ministrja Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ekspertë të ekonomisë.

Në fjalën e tij, presidenti Meta tha se situata makroekonomike financiare globale si dhe ajo e eurozonës dhe e vendeve partnere ka një ndikim të rëndësishëm në rajon.

“Përmes marrëdhënieve financiare dhe tregtare si dhe emigracionit ekonomia jonë është e lidhur ngushtë me atë të eurozonës dhe ndikohet nga zhvillimet ekonomike dhe financiare të këtyre vendeve. Investimet e vendeve evropiane në ekonominë shqiptare kanë qenë një prej faktorëve më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik. Goditjet e ndryshme me natyrë ekonomike kanë dhënë ndikim të ndjeshëm edhe në strukturën e sistemit bankar në Shqipëri”, tha Meta.

Sipas tij, politika e Bankës së Shqipërisë ka realizuar zbutjen e efekteve negative. “Zbatimi i politikës monetare konvencionale të Bankës së Shqipërisë ka mundësuar ndërhyrjet e duhura në kohën dhe masën e nevojshme, pa cenuar parimet bazë, ku mbështetet administrimi i politikës monetare dhe regjimit të kursit të këmbimit”, u shpreh Meta.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, tha se roli i institucioneve të konsoliduara në Shqipëri mbetet imperativ në mbarëvajtjen e politikave qeveritare.

“Banka e Shqipërisë ndër vite ka dëshmuar stabilitet përkundrejt angazhimit për një ekonomi të qëndrueshme dhe me zgjerim të vazhdueshëm. Në dekadat e fundit Shqipëria është transformuar ekonomikisht, duke i hapur rrugë një tregu me potenciale, jo vetëm në terma të burimeve natyrore, por edhe të kapitalit njerëzor. Rritja e konsolidueshme ekonomike e qëndrueshme në vitet e fundit i kanë shërbyer uljes së papunësisë dhe përthithjes së investitorëve të huaj”, u shpreh Denaj.

Sipas saj, rritja ekonomike kërkon një vëmendje të veçantë, në aspekt shifrash dhe strukturash.

Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sistemi financiar dhe sektori bankar, kanë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies.

Qëllimi i konferencës ishte të trajtojë mënyrën se si përballen bankat në rajonin e Evropës Juglindore me sfidat e reja që sjellin institucionet rregullatore ashtu edhe institucionet financiare.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet