Sirianët e kthyer dëshpërohen kur i shohin shtëpitë e tyre të rrënuara

Turqia dëshiron të riatdhesojë rreth 2 milionë refugjatë sirianë që i strehon aktualisht në zonën e sigurtë pasi ta pastrojë nga terroristët.

Sirianët të cilët për 5 vite kanë qenë larg shtëpive të tyre për shkak të okupimit të grupit terrorist YPG/PKK, më në fund janë kthyer në vendlindjen e tyre pas operacionit të suksesshëm të Turqisë në këtë zonë, por ndjehen të shqetësuar pasi panë qytetet e tyre të shkatërruara nga grupi terrorist.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tre operacione të suksesshme në veri të Sirisë kundër terroristëve të YPG/PKK-së dhe DEASH-it: Operacioni “Mburoja e Eufratit” (2016-17), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes”.

Ahmet al-Abdullah Ibrahim, njëri nga sirianët që kthehen në vendlindjen e tyre, ishte i lumtur që u kthye por njëkohësisht i dëshpëruar nga skenat që i gjeti në qytetin e tij, bashkë me familjen e tij 6-anëtarëshe.

“Kam ardhur këtu për herë të parë pas operacionit ‘Burimi i Paqes’. Janë bërë 5 vite që kur kemi braktisur qytetin dhe shihni se çfarë i kanë bërë shtëpisë sime. Kjo është një tirani e vërtetë”, thotë ai për Anadolu Agency (AA).

Pasi shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht, Ibrahim dhe familja e tij u zhvendosën në Tal Abyad ku kanë edhe anëtarë të familjes.

Edhe pse ata kanë humbur gjithçka pasi YPG/PKK okupoi qytetin e tyre, Ibrahim thotë se ata ende janë të lumtur pasi zona është çliruar nga grupi terrorist falë operacionit ushtarak të Turqisë.

“Falë Zotit ne jemi gjallë. Ne mund t’i riparojmë shtëpitë tona apo t’i rindërtojmë, nuk është problem”, thotë ai.

Selva al-Matar dhe familja e saj 4-anëtarëshe janë gjithashtu në mesin e sirianëve që u kthyen në vendlindje.

“Ne jemi larguar nga shtëpia para 4 viteve. Ne jemi të lumtur që po shohim anëtarët e familjes pas një kohe të gjatë”, thotë ajo.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, për të ndihmuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe për të siguruar integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja ra dakord me Washingtonin më 17 tetor për të pauzuar operacionin e saj dhe për të lejuar terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqeshin nga zona e planifikuar e sigurtë.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje e cila parashihte që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen rreth 30 kilometra në jug të kufirit të Turqisë me Sirinë ndërsa forcat e sigurisë nga Turqia dhe Rusia të kryejnë patrulla të përbashkëta.

Turqia dëshiron të riatdhesojë rreth 2 milionë refugjatë sirianë që i strehon aktualisht në zonën e sigurtë pasi ta pastrojë nga terroristët.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet