Siria pohon rolin e vetëm të shtetit në ruajtjen e sovranitetit mes trazirave në Suwayda

“Përballë trazirave aktuale, vetëm shteti sirian mund ta ruajë sovranitetin dhe dinjitetin e tij në të gjithë territorin e tij’, tha Sharaa

Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, ka riafirmuar se vetëm shteti sirian ka kapacitetin për të rivendosur rendin dhe për të ruajtur sovranitetin kombëtar në të gjitha pjesët e vendit, përfshirë edhe provincën jugore të trazuar Suwayda, transmeton Anadolu.

“Përballë trazirave aktuale, vetëm shteti sirian mund ta ruajë sovranitetin dhe dinjitetin e tij në të gjithë territorin e tij’, tha Sharaa në një fjalim televiziv.

Sharaa, i cili ka konfirmuar një armëpushim pas ditësh përleshjesh, dënoi “bombardimet flagrante izraelite” në Sirinë jugore dhe Damask, duke theksuar se “ndërhyrje të tilla kanë përkeqësuar tensionet dhe kanë dëmtuar stabilitetin kombëtar”. Ai theksoi se largimi i forcave shtetërore nga Suwayda kishte “krijuar kaos”.

Ai po ashtu tha se qeveria “mori ftesa ndërkombëtare për të ndërhyrë në atë që po ndodh në Suwayda dhe për të rivendosur stabilitetin në vend”.

Presidenti sirian gjithashtu shprehu mirënjohje për partnerët e huaj.

“Falënderojmë Turqinë, SHBA-në dhe disa vende arabe për qëndrimet e tyre pozitive dhe mbështetjen për Sirinë gjatë kësaj faze kritike”, tha ai.

Duke iu drejtuar komunitetit druzë, i cili përbën shumicën në Suwayda, Sharaa theksoi se, “Druzët janë një pjesë thelbësore e strukturës siriane. Margjinalizimi i tyre përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e vendit”.

“Nuk duhet ta mbajmë të gjithë sektin fisnik druzë përgjegjës për veprimet e një pakice të vogël. Ngjarjet kanë treguar se populli i Suwayda-s, me pak përjashtime, qëndron me shtetin”, tha ai.

Ai gjithashtu vlerësoi udhëheqësit fisnor në Suwayda, duke i quajtur ata një “vijë jetësore e mbrojtjes kundër kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme”.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që t’i përmbahen deklaratës së armëpushimit dhe të mbështesim përpjekjet për pajtim kombëtar”, shtoi ai.

Sharaa theksoi se sirianët “duhet të refuzojnë me vendosmëri thirrjet për hakmarrje”.

“Ngjarjet e fundit kanë vërtetuar se Siria nuk është një fushë për projekte separatiste ose sektare”, tha ai.

Më herët, presidenca siriane njoftoi një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm pas disa ditësh trazira në Suwayda.

Më 13 korrik, shpërthyen përleshjet midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në qytet. Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulmet ajrore izraelite, duke përfshirë edhe ndaj pozicioneve dhe infrastrukturës ushtarake siriane në Damask. Izraeli përmendi “mbrojtjen e komuniteteve druze” si pretekst për sulmet e tij.

Kategoritë
BotaLajme