Si po komentohet taksa prej 10%, e vënë nga qeveria, për produktet serbe dhe boshnjake? (foto)

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për t’ua vënë një taksë prej 10%, produkteve serbe, ka ngjallur një valë reagimesh brenda dhe jashtë vendit. Pjesa më e madhe e vendorëve e kanë përkrahur këtë akt, ndërsa i druhen një tërheqjeje të shpejtë, pas presionit ndërkombëtarë, i cili veç ka filluar – shkruan Gazeta e Re.

 Klubi i Prodhuesve të Kosovës, qumështarët dhe asociacione të ngjashme vendore, e kanë përgëzuar Qeverinë Haradinaj për vendimin e marrë në llogari të prodhuesve serbë e boshnjak, si masë mbrojtëse ndaj produkteve vendore. Por pothuajse i menjëhershëm ka qenë reagimi BE-së, zyrtarët e së cilës kanë kërkuar sqarim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës, për këtë vendim, të cilin e kanë cilësuar si të papritur. Por vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, ndërsa sot është raportuar se Doganat e Kosovës kanë filluar që ta aplikojnë. Ai përmban krejtësisht katër pika:

 

  1. Vendoset masa mbrojtëse prej 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
  2. Përjashtim nga paragrafi 1. I këtij vendimi bëjnë brendet ndërkombëtaret të vendeve të tjera të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
  3. Obligohet Ministria e Financave, Dogana e Kosovës, për zbatimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  4. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

 Debati nuk është bërë vetëm në planin e efekteve pozitive që mund t’i prodhojë në aspektin ekonomik, por edhe pasojat, pasi që kjo përbënë shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s.

 Njohësi i çështjeve ekonomike Lulzim Beqiri për Gazeta e Re tha që: “Me marrëveshjen, CEFTA është e paraparë që të gjitha produktet dhe mallrat në mes shteteve që janë anëtare, të lëvizin në mënyrë të lirë, pa vendosjen e taksave të ndryshme. Kosova është aktualisht kryesuese e CEFTA-s, ndërsa dihet që bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 Mendoj, janë dy anë të medaljes të këtij vendimi qeveritar për taksën prej 10% për produktet serbe. Njëra anë është se prodhuesit vendorë do të përfitojnë nga kjo tarifë, por e udhës do të ishte që ata të mbështeten nga shteti më shumë në rritjen e cilësisë dhe kapacitetit prodhues, sepse Kosova nuk i plotëson nevojat e veta esenciale. Ana tjetër është se kjo tarifë mund të sjell ngitje të çmimeve, me çka do të rëndohet xhepi i konsumatorit kosovar.”

 Por Beqiri rritje të menjëhershme të çmimeve, nuk parasheh “për arsye se kompanitë kanë ende stoqe dhe nuk ka rrezik për rritje të çmimeve, mirëpo duhet shikuar alternative nga një kundërpërgjigje e Serbisë lidhur me dëmin ekonomik që mund të shkaktojë kjo tarifë.”

 Ai kujton që një veprim të ngjashëm Kosova e kishte bërë  para disa vitesh, por ishte tërhequr menjëherë:

 “Kosova edhe në vitin 2013 kishte venë embargo ndaj prodhimeve maqedone mirëpo u detyrua të tërhiqet nga vendimi i saj si pasojë e presionit ndërkombëtar. Andaj unë do të parapëlqeja që Qeveria e Kosovës fillimisht të mbështeste më shumë prodhimin vendor, më pastaj të vë taksa e tarifa. Kanë kaluar rreth 20 vite që Serbia eksporton në Kosovë dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë” – tha Beqiri.

 Gjithsesi vendimi, ndonëse i rrafshit ekonomik, ka për qëllim një presion politik mbi Serbinë e Bosnjën, shtete këto që po vijojnë të ruajnë një qasje destruktive ndaj çdo hapi të Kosovës, që ka të bëjë me integrimin e saj drejt BE-së. Vet Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke e komentuar vendimin ka thënë që:

 “Nëse Shërbimi i Jashtëm i BE-së nuk e përdorë ndikimin për t’i ndalur veprimet destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar që të veprojmë vetë”.

 Qytetarët dhe prodhuesit vendorë, nga ana tjetër, shpresojnë që kësaj radhe qeveria të tregohet më e guximshme, duke i rezistuar presionit ndërkombëtarë./Gazetaere.com

Kategoritë
FamiljeLajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet