Si mund të rrëzohet Qeveria Haradinaj

Skandalet dhe përçarjet e brendshme, nuk janë treguar të mjaftueshme për ta fundosur “barkën e koalicionit qeverisës”. Vetëm pak kohë më parë, mediat raportonin për thellimin e dallimeve ndërmjet partnerëve të koalicionit, kur tensionet dhe presioni u shtua pas taksës 100%, por edhe këtë, duket që qeveria aktuale e ka tejkaluar – shkruan Gazeta e Re.

 AAK s’frikësohet pse Veseli po nominohet për çdo ditë Kryeministër” – mbante titullin një artikull në një të përditshme kosovare, duke paralajmëruar për rrezikun e prishjes së mundshme të raporteve ndërmjet partnerëve kryesor brenda koalicionit qeverisës. Megjithatë zyrtarët nga AAK-ja për media janë deklaruar se kjo është tërësisht normale, pa çka që nuk janë shpallur zgjedhjet.

 Është krejtësisht e natyrshme që një parti politike, në këtë rast PDK, ta nominojë kryetarin e partisë për kryeministër të ardhshëm. Po të ishte ndryshe, një parti politike as që do të ishte parti” – është shprehur Muharrem Nitaj, i pyetur për këtë çështje.

 Pikërisht mbi bazën e këtyre përçarjeve, politologu Ramush Tahiri, po konstaton një version të mundshëm të rrëzimit të qeverisë.

“Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë, ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa” – ka thënë ndër të tjera Tahiri, në një intervistë të dhënë për Epoka e Re.

“Tani ka mbetur të bëhet vetëm një marrëveshje e fshehtë PDK – LDK dhe qeveria të bie nesër. Kjo nuk është një strategji, por interes pragmatik. Bisedimet në këtë bazë janë duke u zhvilluar. Në atë moment që PDK-ja e siguron një mbështetje për ta krijuar qeverinë pas zgjedhjeve me LDK-në, menjëherë ajo e rrëzon qeverinë. PDK-ja nuk ka asnjë interes të qëndrojë në qeveri dhe për ta forcuar Ramush Haradinajn, ose për t’i duruar kritikat publike të Haradinajt derisa janë në koalicion bashkë” – ka spekuluar ai.

Për sa i përket opozitës, atë e sheh të përçarë e jofunksionale në këtë drejtim. Të ndryshme nga Tahiri, tingëllonin deklaratat e liderit të Vetëvendosjes – Albin Kurtit, i cili në një intervistë për T7 qe shprehur se raportet ndërmjet VV-së dhe LDK-së janë shumë të mira. Ai madje tregoi që edhe pikëpamjet e tij në raport me Ibrahim Rugovën, nuk janë më të njëjta, ashtu siç i kishte para shumë kohësh.

Mirëpo opozita nuk ka qenë mjaftueshëm e sinkronizuar për ta futur në vështirësi, apo për ta vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Qeverisë Haradinaj. Kjo e fundit, me gjithë vështirësitë, mjaft ligje të cilat janë kundërshtuar nga deputetët opozitarë, ka arritur që t’i kalojë në parlament. Vitin e  kaluar, përflitej ideja e rrëzimit të qeverisë me anë të votës së mosbesimit në parlament, madje deputetët nga Partia Social Demokrate (PSD), patën premtuar votën e tyre  në dobi të kësaj kauze.

“E kemi qitë në binarë procesin e dialogut, ndërsa për projekt buxhetin kemi qitë disa kushte të cilat jo vetëm nga ne por edhe nga shumica e qytetarëve janë vlerësua si të drejta dhe të domosdoshme, kështu që ne nuk jemi të interesuam me u lëshuar me akuza, ne bëjmë thirrje që LDK të bëhet pjesë e proceseve në Kosovë dhe të diskutojmë bashkë, jemi të hapur për rrëzimin e qeverisë dhe të interesuar, jemi i vetmi subjekt që i kemi dorëzuar nënshkrimet” – pat deklaruar atëbotë Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së.

Megjithatë, sipas tij, LVV-së dhe LDK-së u mungon guximi për ta provuar këtë version. Mocioni – nuk është përmendur, të paktën që nga viti i kaluar, si version për rrëzimin e qeverisë. Ndërsa ky vit, duket më sfidues e më me shumë pengesa për koalicionin qeverisës. Ato, siç raportojnë mediat, më shumë kanë origjinë nga divergjencat brenda koalicionit, se sa që po i vijnë nga jashtë. Protestat e organizuara nga shoqëria civile, pas rastit të ish Prokurorit Elez Blakaj, por edhe ato të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, qenë “kërcënimet e vetme” që i erdhën nga jashtë Qeverisë Haradinaj. Ani që sipas analistëve ajo nuk do të mund të mbijetojë gjatë, hë për hë, ia ka dalë t’i menaxhojë disa situata./Gazetaere.com/

 

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet