Si duhet kuptuar takimet e shpeshta të krerëve opozitarë?

Takimet e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës janë shpeshtuar. Rikuperimi i raporteve të ndërsjella, ka fituar formë të qartë, sidomos në muajt e fundit. A po përgatiten për zgjedhje të parakohshme? Kjo është një pyetje retorike – shkruan Gazeta e Re.

Të gjithë janë të bindur që qeveria aktuale, nuk do të mund t’u përballojë zgjedhjeve të parakohshme këtë verë. Brishtësia që e ka karakterizuar Kabinetin Haradinaj për shkak të forcave të shumta politike pjesëmarrëse në te, është parë përherë si faktor destabilizues i brendshëm i cili mund të çojë në fundosjen e qeverisë. S’mund ta mohojmë, kjo është dëshmuar mjaft shpesh. Së fundi me rastin e vendimit për taksën.

Por sa e ka shfrytëzuar opozita këtë brishtësi?

Takimet e shpeshta ndërmjet dy liderëve opozitarë, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, pasqyron një përpjekje reale për ta harmonizuar gjuhën politike ndërmjet tyre. Edhe në parlament, disa herë, është dëshmuar që njëfarë sinkronizimi politik ndërmjet këtyre dy forcave politike.  Por a do të thotë kjo që ata janë duke u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme?

“Të gjitha takimet e krerëve të partive opozitare duhet të jenë në funksion të unifikimit të qëndrimeve karshi zhvillimeve politike në vend dhe veprimeve të pushtetarëve në veçanti. Si asnjëherë më parë deri më tani, e kemi një mazhorancë opozitare shqiptare kundrejt një minorance të pushtetit, e cila është duke u ndihmuar nga minoriteti serb dhe minorancat tjera politike në Kuvend” – u shpreh për Gazeta e Re Florim Zeqa.

Sipas analistit Zeqa: “Edhe pse ekuacion i vështirë, lidhja e koalicionit LDK-LVV krijon premisat e një koalicioni fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjegjësisht do të krijonte mundësinë e formimit me lehtësi të Qeverisë së Re. Megjithatë, bazuar në konceptet politike diametralisht të kundërta mes LVV-së dhe LDK-së, si dhe të kundërthënieve brenda këtyre dy subjekteve në raport me bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor, lë pak hapësirë për një gjë të tillë. Kur kësaj i shtohet edhe çështja e mandatarit të qeverisë (kryeministrit), e bënë akoma më të vështirë lidhjen e një koalicioni parazgjedhor. Shkuarja ndaras në zgjedhje e LDK-së dhe LVV-së do të determinonte qartë emrin e mandatarit të qeverisë, mirëpo në anën tjetër do ta zvogëlonte në minimum mundësinë e ndryshimit substancial të qeverisjes së vendit” – përfundoi ai.

Dilema për punë postesh, edhe mund të ketë, megjithatë i pari i LVV-së në një emision në News 24, e bëri të qartë që ai nga zgjedhjet e ardhshme nacionale, do të dalë “kryeministër i Republikës së Kosovës”. Këtë e tha me mjaft bindje.

Oferta për kryeministër e LDK-së për qytetarët, ndërkaq, nuk dihet me saktësi se cila do të jetë, por është e qartë që të gjithë po punojnë që të jenë gati, kurdo që të ndodhin zgjedhjet.

Vlen të rikujtohet se sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e 2017-tës kanë qenë të regjistruar 1888,059 votues. Prej tyre të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar 41.30% e tyre. Ua kujtojmë që rezultatet përfundimtare nxorën koalicionin PAN si fitues me 33.98 % të votave, i ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje e cila si e vetme, arriti të grumbullonte 27.12 % të votave. LDK, e cila ishte në koalicion me AKR-në dhe AL-në, u rendit e treta me 25,74% të votave. Së këndejmi, po qe se mbështetemi në logjikën e rezultateve të zgjedhjeve të fundit, një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe VV-së, do të jetë vështirë i sfidueshëm në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, misioni për t’i bindur qytetarët kësaj radhe, do të jetë shumë më i vështirë. Këtë e kanë kuptuar edhe vet partitë politike, prandaj i kanë filluar herët përgatitjet./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet