Si do të ndikojë liberalizimi në ekonominë tonë?

Liberalizimi i vizave, nuk është formula adekuate për zbutjen e papunësisë. Heqja e regjimit të vizave mundëson vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por jo edhe punësimin e tyre. Shkalla e lartë e papunësisë, ndërkohë, vijon të mbetet një problem pa zgjidhje tash e sa dekada – shkruan Gazeta e Re.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) papunësia në nivel vendi, për tremujorin e dytë të këtij viti, është vetëm 29.4%. Por ka indikatorë të tjerë që aludojnë që kjo shifër duhet të jetë dukshëm më e lartë. Nga rezultatet e analizës së Pulsit Publik të realizuar nga UNDP dhe USAID, 48% e të anketuarve kanë deklaruar se janë të papunë, ndërsa 60% si zgjidhje të vetme e shohin largimin nga vendi. Të dhënat tregojnë që qytetarët i kanë varur shpresat në liberalizimin e vizave, akt pas së cilit mendojnë se do të ndodhë integrimi në shoqërinë perëndimore, ku i pret një perspektivë e sigurtë.

Por Seb Bytyçi, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Winchester-it, për Gazeta e Re thotë se efekti i liberalizimit, do të jetë negativ, ndryshe nga ç’shpresojnë vet qytetarët:

“Ndikimi i drejtpërdrejtë i liberalizimit në ekonomi nuk është shumë i madh, dhe mund të jetë negativ. Së pari kemi kursimet që vijnë nga mospagesat për viza, pastaj të ardhurat që mund të fitojnë ai numër i vogël i njerëzve që e shfrytëzon mundësinë e udhëtimit që të punojë “në të zezë” për një periudhë të shkurtër, dhe i kemi shpenzimet që do t’i bëjnë kosovarët në shtetet e BE-së si vizitorë/turistë. Këto të fundit mund të jenë më të mëdha se sa të ardhurat dhe kursimet, por e kemi edhe ikjen e disa shpenzimeve turistike nga Kosova jashtë vendit, kështu që ka gjasa që efekti direkt afatshkurtër të jete negativ.”

Por parë në një perspektivë më afatgjate, ai mendon që po të përgatitej shteti pak më shumë, do të mund të kishte efekte pozitive kjo çështje:

“Në aspektin indirekt dhe afatgjatë, Kosova do të mund të përfitonte ekonomikisht, po të ishte e përgatitur për këtë. E kam fjalën për lehtësimin e plasimit të prodhimeve vendore nëpër panaire dhe tregje jashtë vendit. Që të ndodhë ajo duhet së pari të kemi industri e prodhime vendore (të manifakturës) dhe së dyti të promovohet eksporti i tyre. Pra duhet shfrytëzuar mundësia e lëvizjes së lirë që të rritet eksporti dhe të zhvillohet industria. Po nuk ndodhi kjo efekti ekonomik i liberalizimit është i shumë i vogël, dhe mund të jetë edhe negativ.”

Tamam ashtu siç e parashikon Bytyçi, po qe se heqja e liberalizimit të vizave ndodh shpejt brenda një viti, efekti nuk do të jetë pozitiv. Industria e Kosovës, është e rrënuar, ndërsa gjeneratorët më të mëdhenj ekonomik të periudhës së paraluftës si Trepça apo asetet e tjera ekonomike, nuk janë rimëkëmbur kurrë. Disa nga fabrikat më të njohura kanë rënë pre e procesit të privatizimit të egër, e shumë të tjera, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur ta gjejnë veten në treg. Sipas njohësve të fushës, karakteristikë e ekonomisë kosovare mbetet varësia e lartë nga importi i mallrave, si dhe pamundësia e integrimit në nivel rajoni  apo më gjerë. Disa nga marrëveshjet të cilat Kosova i ka realizuar në letër me shtetet fqinje, nuk janë përfillur shpeshherë dhe kjo ka pasur pasoja, thonë ekspertët.

Për rrjedhojë, trendi negativ i një ekonomie mezi të rimëkëmbur, do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave, ndërsa niveli i papunësisë do të mbetet më i larti në rajon./Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet