Si do ta ndryshojë pandemia Ramazanin për myslimanët?

Myslimanët në mbarë botën do ta përjetojnë muajin e shenjtë të Ramazanit të mbyllur dhe nën kufizime të ashpra për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19 që ka paralizuar pothuajse gjithë globin.

Ramazani është muaji më i shenjtë për myslimanët, në të cilin ata agjërojnë gjatë orëve të ditës, bashkohen për lutje dhe ndajnë ushqime si komunitet.

Por, me masat për kufizimin e lëvizjes dhe ato për distancë sociale të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shumë nga ritualet dhe traditat e Ramazanit do të kufizohen këtë vit.

“Unë nuk mund të kujtoj të ketë ndodhur diçka si kjo ndonjëherë më parë”, tha Mohd Faizal Musa, një studiues në Institutin e Universitetit Kombëtar të Malajzisë për Al Jazeera.

“Kishim Luftën e Dytë Botërore ose katastrofa natyrore, por nga letërsia e kaluar, tekstet historike dhe arkivat e ndryshme, zbulova se myslimanët gjithmonë mblidheshin gjatë Ramazanit, edhe pse kishte luftë ose katastrofa ata kryenin ritualet e tyre fetare së bashku. Sidoqoftë, këtë herë jemi duke u përballur me një armik tjetër. Mund të jetë i pamëshirshëm dhe i padukshëm”.

Si do të ndryshojë agjërimi?

Gjatë muajit të shenjtë, myslimanët zgjohen herët për të ngrënë një vakt para agimit të quajtur syfyr dhe e prishin agjërimin e tyre pas perëndimit të diellit me një vakt të quajtur iftar.

Prishja e agjërimit zakonisht bëhet në tryezë të përbashkët familjare apo të komunitetit. Është e zakonshme që xhamitë të organizojnë iftarë madhorë, veçanërisht për të varfërit.

Për shkak të pandemisë, e cila është përhapur në 185 vende, shumë shtete këtë vit kanë këshilluar qytetarët që të shmangin tubimet e mëdha dhe të bëjnë syfyr dhe iftar individualisht ose vetëm me familjen e ngushtë në shtëpi.

Në Egjipt, të gjitha aktivitetet e Ramazanit, përfshirë iftaret e grupeve të ndryshme dhe tryezat e bamirësisë, janë të ndaluara.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka këshilluar përdorimin e alternativave virtuale, aty ku është e mundur, për tubime sociale dhe fetare.

Blerjet e Muajit të Ramazanit në pazare që shesin ushqime, pije dhe rroba, zakonisht vende tejet të frekuentuara, nuk lejohen në Malajzi, Brunei dhe Singapor.

Rozana Isa, udhëheqëse e grupit “Motrat në Islam” me bazë në Malajzi, tha se kjo do të ketë një ndikim të madh ekonomik në bizneset e vogla dhe nënat beqare, të cilat mbështeten shumë në këtë burim të ardhurash.

Ndërkohë, përderisa konsumi i ushqimit zakonisht rritet në Ramazan, ekzistojnë shqetësime për blerje paniku dhe mungesë furnizimesh në mes të bllokimeve.

Udhëzimet për distancë sociale gjithashtu do të dobësojnë frymën e Ramazanit, tha Rozana për Al Jazeera.

“Në këtë rast kur ne duhet të praktikojmë distancën fizike, duke mos u përshëndetur me njëri-tjetrin në mënyrat që ne zakonisht përshëndetemi, duke përqafuar bashkëqytetarët tanë myslimanë ose duke shtrënguar duart e tyre, kjo padyshim që do të ketë një ndikim në shpirtin e festës”.

A mund të luten njerëzit bashkë?

Lutjet me xhematë janë të ndaluara në disa vende, dhe shumë xhami janë mbyllur përkohësisht.

Arabia Saudite ka pezulluar lutjet speciale të taravive në mbrëmje në xhami, njëjtë siç ka vepruar edhe Jordania, duke u kërkuar qytetarëve t’i kryejnë ato nëpër shtëpi.

Në Iran, në një nga vendet më të goditura nga pandemia në këtë rajon, Lideri Suprem Ayatollah Ali Khamenei gjithashtu u ka bërë thirrje njerëzve që t’i shmangin lutjet kolektive.

“Autoritetet fetare padyshim inkurajojnë njerëzit që t’i kryejnë pesë lutjet e tyre të përditshme në shtëpi, dhe unë mendoj se me të vërtetë është brenda familjes që ta ngulitim atë frymë të bashkimit dhe lutjes si grup”, tha Rozana Isa.

Në Selangor të Malajzisë, sulltani ka pezulluar aktivitetet fetare në xhami të paktën deri më 31 maj.

Ndërkohë, Pakistani do t’i lejojë lutjet me xhemat në xhami gjatë Ramazanit, por adhuruesit duhet të mbajnë një distancë prej dy metrash nga njëri-tjetri dhe inkurajohen të sjellin sexhadet e tyre.

Në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa të Jeruzalemit, i cili do të jetë i mbyllur për adhuruesit myslimanë gjatë gjithë muajit të Ramazanit, thirrja për lutje do të vazhdojë të bëhet pesë herë në ditë.

Xhamitë në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera do të mbajnë predikime, recitime kuranore dhe lutje të transmetuara drejtpërdrejtë online.

Myslimanët gjithashtu do të jenë në gjendje të marrin pjesë në ligjëratat fetare përmes aplikacionit të konferencave me video Zoom, Facebook dhe YouTube.

“Për ne, lidhja – qoftë ajo përmes klasave, recitimit të Kuranit ose përmes lutjeve në xhami – ne tani do të përpiqemi ta përballojmë nëpër shtëpitë tona”, tha Aiasha Amir, mësuese islamike pakistaneze dhe oratore motivuese, e cila do të japë leksione të përditshme drejtpërdrejt në Facebook gjatë Ramazanit.

Si do të organizohet bamirësia për të varfërit?

Bamirësia dhe dhënia e sadakasë, që është një nga pesë shtyllat e Islamit, inkurajohet gjatë Ramazanit.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është vendosur një kufizim i lëvizjes mbarëkombëtar që nga 26 marsi, bamirësit do të ofrojnë ushqime për iftar për të varfërit në vend që t’i shërbejnë në tendat e Ramazanit ose në xhami.

Por në Arabinë Saudite, xhamia e Profetit Muhamed në Medinë nuk do të shtrojë iftar për njerëzit në nevojë këtë vit.

Për arsye sigurie, ekspertë fetarë dhe shëndetësorë kanë këshilluar përdorimin e metodave të donacioneve online për OJQ-të që ndihmojnë të prekurit nga pandemia.

“Për t’i evituar tubimet me shumë njerëz për tryezat e iftarit, konsideroni të përdorni kuti individuale të ushqimeve të paketuara paraprakisht” thuhet në udhëzimet për Ramazan të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Këto mund të organizohen nga njësitë dhe institucionet e centralizuara, të cilat duhet t’i përmbahen distancës fizike gjatë gjithë procesit (mbledhjes, paketimit, ruajtjes dhe shpërndarjes)”.

A mund të agjëroni me simptoma të Covid-19?

Në të gjitha rastet, është thelbësore të kërkoni këshilla mjekësore nga mjeku juaj.

Sipas Kuranit, njerëzit e sëmurë janë të liruar nga agjërimi dhe mund ta bëjnë kompensimin e agjërimit të humbur brenda një viti pas Ramazanit. Të moshuarve, shtatzënave dhe nënave ushqyese gjithashtu u lejohet të mos agjërojnë.

Prandaj, sipas Rozana-s, nëse jeni duke përjetuar simptoma serioze të koronavirusit, këshillohet që të mos agjëroni.

“Në Islam, është shumë e qartë se kush duhet të agjërojë dhe kush është i përjashtuar nga agjërimi, veçanërisht për ata që janë duke përjetuar një sëmundje të veçantë dhe mendoj se simptomat e Covid-19 nuk tingëllojnë si një sëmundje që është diçka e lehtë” tha ajo.

Aiasha Amir tha se nëse një individ nuk është nën mbikëqyrjen e mjekut dhe kollitjet apo gripi i tyre nuk është serioze, atëherë mund ta vazhdojë agjërimin.

“Kjo gjë varet nga imuniteti i personit, nëse simptomat janë të buta dhe të durueshme siç mund të jenë kollitja normale dhe gripi në të cilin nuk ka asnjë rrezik për jetën tuaj … vazhdoni me agjërimet tuaja për aq kohë sa nuk është duke ndikuar në shëndetin tuaj fizik “.

Si mund të festohet Bajrami në pandemi?

Festa e Fitër Bajramit shënon fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe është festë zyrtare në vendet me shumicë myslimane.

Me masat për kufizimin e lëvizjes dhe ndalimin e tubieve të mëdha, festimet e këtij viti do të zvogëlohen.

Këshilli Indonezian Ulema rekomandon që njerëzit që jetojnë dhe punojnë në qytete të tjera duhet të përmbahen nga vizitat në vendlindjet e tyre për pushime.

Mbetet e paqartë nëse shtetet do të heqin ose lehtësojnë masat e mbylljes për Bajram.

Myftiu i madh i Arabisë Saudite ka thënë se, nëse shpërthimi vazhdon, lutjet e Bajramit mund të kryhen në shtëpi.

“Ju pëlqeu ose jo, Bajrami këtë vit do të jetë i kufizuar”, pohoi Mohd Faizal Musa.

“Do të jetë ndryshe. Do të organizohet një festë e vogël e ngushtë e Bajramit midis anëtarëve të njësisë së vogël të familjes. Kjo do të jetë më pak argëtuese për fëmijët dhe ata do ta kujtojnë këtë epokë apo këtë vit për t’u treguar fëmijëve të tyre dhe brezave të ardhshëm”.

 

 

Saba Aziz, Al Jazeera
Përktheu Klan Kosova


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet