Shtetet e Gjirit miratojnë rivendosjen e trupave amerikane

“Rivendosja e trupave amerikane është kundërpërgjigje e aksionit të përbashkët kundër Iranit për të zmbrapsur Teheranin zyrtar nga tentimi për të eskaluar situatën në rajon”.

Arabia Saudite dhe shtetet tjera arabe thuhet të kenë pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për rivendosjen e trupave amerikane në Gji.

E përditshmja Asharq al-Awsat, duke cituar burime nga Gjiri, shkruan se rivendosja e trupave amerikane do të bëhet në përputhje me marrëveshjet dypalëshe mes Uashingtonit dhe shteteve të Gjirit.

Gazeta në fjalë nuk ka përmendur emrat e shteteve të Gjirit, megjithatë shkruan se rivendosja e trupave amerikane është kundërpërgjigje e aksionit të përbashkët kundër Iranit për të zmbrapsur Teheranin zyrtar nga tentimi për të eskaluar situatën në rajon.

Ndërkohë, burimet diplomatike arabe thanë se aktualisht po mbahen kontakte për të organizuar një samit arab në margjinat e samitit të planifikuar islamik, që do të mbahet në Mekë më vonë këtë muaj.

As Arabia Saudite as Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) nuk kanë komentuar pohimet e gazetës në fjalë.

Javët e fundit kanë folur për tensione në rritje në relacion SHBA-Iran, pasi Uashingtoni zyrtar zbarkoi në Lindjen e Mesme një avionmbajtës me arsyetimin e një kërcënimi nga Irani.

Javën e kaluar, presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha se Irani do të rifillojë pasurimin e nivelit të lartë të uraniumit në nivele të ngushta armësh nëse interesat e Teheranit në marrëveshjen bërthamore nuk mbrohen brenda 60 ditëve.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet