Shtesat për Policinë e Kosovës nxisin debatin për Ligjin e Pagave

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, ka kërkuar mbështetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të bëjnë ligjin për paga, ligj i cili tha se është prishur në Kuvend.

Derisa është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të paguajë shtesat për punën e Policisë së Kosovës, Tahiri tha se Ligji për Paga do ta rregullonte këtë çështje.

“Ndihmonani ta bëjmë Ligjin e Pagave, Ligji i Pagave ju them me përgjegjësinë më të madhe është prish në Kuvend. Për shkak se në Kuvend është heq neni i cili e ka paraparë parashikueshmërinë e pagës që ka qenë problemi kryesor. Nuk është e vërtet kjo, në komision kanë qenë të gjitha partitë, unë ju them me sinqeritetin më të madh nëse duam të bëjmë një Ligj të Pagave do të thotë ne jemi të gatshëm për t’iu kthyer procesit edhe një herë, për të kthyer të drejtën në pagë normale edhe për të gjithë zyrtarët publikë. Tani e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk po e komentojmë, ata e kanë larguar një numër të madh të institucioneve, po ashtu na i kanë dhënë disa udhëzime sa i përket disa subjekteve dhe sektorëve në Qeveri, ndihmonani ta bëjmë”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Policisë së Kosovës duhet t’i aprovohet paga shtesë për angazhimin e tyre 12 orësh para se të vijë Ligji i Pagave.

“Mendoj që Policisë së Kosovës duhet t’i aprovohet paga shtesë për angazhimin e tyre 12 orësh në ditë para se të vijë Ligji i Pagave, sepse Ligji i Pagave nëse tash iniciohet do të bëhet i plotfuqishëm vetëm për vitin e ardhshëm. Kështu që, duke pasur parasysh angazhimin maksimal të Policisë së Kosovës dhe të domosdoshëm që ata të jenë nga 12 orë në terren unë kërkoj që Qeveria e Republikës së Kosovës ta trajtojë me urgjencë kërkesën time dhe në mbledhjen e ardhshme të merret një vendim”, tha ajo.

Në replikën e tij, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, tha se ai pajtohet për të ndodhur pagesa e punës shtesë.

“Unë pajtohem plotësisht për të ndodhur një shtesë e tillë, ku është rreziku po të tregoj, rreziku është që këto shtesa munden të prodhojnë efekt zinxhirë çdo kund. Çka unë po propozoj tash këtu duhet me e pa Ministria e Financave cila është mundësia, çka unë po propozoj është që të mblidhemi të gjithë për Ligjin e Pagave për shkak se në qoftë se me të vërtet dikush ka bërë diçka për të rregulluar sistemin e pagave në sektor të policisë ka qenë Ligji i Pagave që e kemi punuar bashkërisht me disa njerëz”, tha ai.

Për kërkesën e tij, deputetja e LVV-së Mimoza Kusari, tha se partitë që kanë qenë në koalicion i kanë bërë pazaret me grupet e interesit, për çka tha se është bërë “sallatë” Ligji i Pagave.

“Partitë që bashkë keni qenë në koalicion i keni bërë pazare me grupe të interesit dhe është copëtuar është bërë sallatë Ligji i Pagave këtu në seancë”, tha ajo.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet