Shtesat për fëmijë, një lehtësim për familjet kosovare

Kuvendi i Republikës së Kosovës, megjithëse gjysmë i paralizuar, ka arritur t’i shtyjë përpara disa procese, e t’i marr disa vendime. Ndarja e shtesave për fëmijë, një propozim i deputetes Donika Kadaj Bujupi, mund të renditet në këtë listë – shkruan Gazeta e Re.

Deputetët e Republikës së Kosovës votuan pro, me shumicë, rezolutën për shtesat për fëmijë. Kjo rezolutë, është iniciuar nga Donika Kadaj Bujupi, deputete nga radhët e AAK-së e cila i falënderoi të gjithë deputetët për përkrahjen dhe vullnetin që kanë treguar për sa i përket harmonizimit të dokumentit të rezolutës.

Siç u mor vesh, rezoluta tashmë e harmonizuar, ka këtë përmbajtje:

“ 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të hartojë dhe ta zbatojë sa më parë legjislacionin për ndarje të shtesave për fëmijë në Republikën e Kosovës;

  1. Ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë gjatë vitit 2019;
  2. Shuma mujore e shtesave për fëmijë duhet të kategorizohet duke marr parasysh kriteret përkatëse: duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.”

Deputetja Bujupi, edhe njëherë i ftoi deputetët, që ta përkrahin pa hezitim atë, duke qenë në thelb një iniciativë që ka t’i ndihmojë familjet e varfra të Kosovës.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u shpreh pro rezolutës duke thënë që:

“Edhe pse nuk kemi qenë pjesë e debatit kur është diskutuar rezoluta, e kisha lutë propozuesen, që bashkarisht edhe me deputetët që janë më kompetentë me këtë fushë, sidomos me ata që ndërlidhen me pjesën buxhetore, që t’i harmonizojnë këto qëndrime.”

Ai vijoi duke shtuar se:

“Është mirë që është kërkuar kategorizimi, është diçka që është debatuar si pjesë e punës sonë dhe kërkesave që këto të hyra familjare të kenë kategorizim dhe mbi të gjitha që t’ju jepet mundësi prindërve” në çështjen e ndihmës financiare, për fëmijët e tyre. Ai përveç mirëkuptimit nga të gjitha subjektet politike parlamentare, kërkoi angazhim edhe nga komisionet përkatëse, që për këtë çështje të harmonizohen qëndrimet e të gjithëve.

Nga 81 deputetë sa ishin të pranishëm 61 deputetë votuan pro (57 në mënyrë elektronike), 1 kundër dhe 2 abstenuan. Kështu kjo draft-rezolutë kaloi me shumicë votash.

Gjendja e rëndë e ekonomive familjare, po shihet si një ndër faktorët të cilët kanë ndikuar në rënien natalitetit. Por ligjet që do të miratohen mbi bazën e kësaj rezolute, pritet të kenë një efekt më të gjerë, duke ua lehtësuar kështu barrën ekonomike familjeve kosovare./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet