Shqiptarja bëhet kryetare e Komunës në Suedi

Kur 20-25 vjet më parë, qindra familje shqiptare ikën nga Kosova në Suedi për ti shpëtuar represionit serb, ishin të paktë ata që besonin se fëmijët e tyre do të integroheshin aq shpejt në jetën e këtij vendi dhe pak e nga pak do të kapnin majat e përfaqësimit në sport, kulturë, universitete, media, administratë publike, politikë, parlament, biznes, etj.
Tashmë brezi i dytë i ish emigrantëve, është realisht gjenerata e re që përfaqëson denjësisht shqiptarët në Suedi, të rritur dhe edukuar në këtë vend.

Njëra prej tyre që ka shkëlqyer së fundi, është Dëshira Vrajolli Flankör, e cila është zgjedhur kryetare e bashkisë Värmdö, një nga njësitë administrative të qarkut të Stockholmit.

Dëshira, një nga fëmijët e familjes së Sadik Vrajollit, ka studiuar në ekonomi në Suedi, ndërsa prej shumë vitesh ajo ka drejtuar departamentin e ndërtimtarisë të administratës lokale si përfaqësuese e Partisë Moderatore.

Në një njoftim publik që ka bërë pas zgjedhjes së saj në këtë post të lartë, zonja Dëshira Vrajolli Flankör, shprehet:

“Miq, brenda dhe jashtë partisë! Me përulje të plotë dhe nga thellësia e zemrës, ju falënderoj për besimin në postin e kryetares të komunës së Vermdës. Sonte morëm konfirmimin se komuna e Vermdës ka një grup të politikanëve kurrizdrejt, të cilët besojnë në demokraci”.

Zgjedhja e saj në këtë forum të lartë vendimmarrës është pritur me shumë entuziazëm nga shqiptarët që punojnë e jetojnë në Suedi.

Ata kanë shprehur vlerësimin e tyre për Dëshirën si dhe krenarinë që një shqiptare dhe për më tepër një grua, arrin një përfaqësim kaq të lartë në politikën e vendit skandinav.

Värmdö, është një qytet me një popullsi prej rreth 42 mijë banorë. Papunësia në këtë qytet është shumë e ulët ndërsa të ardhurat për frymë, të larta.

Në këtë zonë ka rreth 10 mije ishuj të vegjël. Në Suedi jetojnë afërsisht 70 mijë shqiptarë, shumica dërmuese e tyre nga Kosova.

Kategoritë
Diaspora

Të ngjajshmet