Shqiptarët, turqit e boshnjakët, bëhen bashkë në ‘Marshin e Solidaritetit me Demokracinë’

Me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti në Turqi, u mbajt marshim i “Solidaritetit me Demokracinë” ku morën pjesë me qindra njerëz.

Marshimi për të përkujtuar tentativën për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016 u organizua me iniciativë të shoqatave të shoqërisë civile, si Unioni i të Diplomuarave në Turqi (TUMEB), OJQ ARASTA, OJQ IDEA dhe Qendra Liberal Demokrate dhe nën mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Gazeta e Re.

Pjesëmarrësit me pankarta me mbishkrimin “Jemi me ju” nga sheshi “Nëna Tereza” në Prishtinë ecën drejt sheshit “Zahir Pajaziti” ku në skenën e përgatitur për këtë ditë, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç mbajti një fjalim.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kılıç falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij marshimi duke theksuar se dy vitet e fundit që nga tentativa për grusht shteti në Turqi, miqësia dhe solidariteti në mes të popullit të Kosovës dhe Turqisë është forcuar edhe më shumë.

Duke kujtuar suksesin e treguar nga populli turk i cili ka vepruar bashkë pa dallim partie apo ideologjie në natën e 15 korrikut, Kılıç tha se solideriteti i treguar në ditën e sotme nga të rinjtë, të moshuarit e të gjitha komuniteteve të Kosovës ka një vlerë shumë të madhe.

“Në këtë ditë kujtojmë me respekt të gjithë dëshmorët që mundësuan që ne të jemi sot këtu pasi që falë tyre ajo natë e trishtueshme u lidh në një mëngjes të ndritshëm. Nuk do t’i mbesin sytë prapa martirëve tanë të demokracisë sepse kjo miqësi, ky solidaritet dhe dashuria për demokracinë do të vazhdojë përjetësisht. Me dëshirën që ajo tradhti e 15 korrikut të mos përsëritet në asnjë shtet mik, edhe njëherë dua të përkulem me respekt para dëshmorëve tanë dhe dua t’iu falënderoj edhe juve miqve të madhërishëm këtu në Kosovë. Rroftë Kosova, rroftë Turqia”, u shpreh ajo, transmeton AA, përcjell Gazeta e Re.

Kujtojmë se në këtë marshim përveç përfaqësuesve të shoqërive civile dhe një numri të madh të qytetarëve nga mbarë Kosova, morën pjesë edhe disa ministra, kryetar partie, deputetët nga Kuvendi i Kosovës, kryetar komune dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Kosovë.

Ndryshe Turqia sot shënon 2 vjetorin e tentimit të grusht shtetit, i cili ndodhi më 15 korrik të vitit 2016. /Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet